Në lojë është e ardhmja e Europës*
Për momentin e tërë Europa dhe posaçërisht Gjermania është përfshirë në debatin publik mbi emigracionin masiv apo të zhvendosjes kolektive të masave të mëdha të njerëzve. Në rastin konkret termi “emigrant” është zëvendësuar me termin “refugjat” ose më saktë, me termin “emigrant për motive ekonomike”. Kjo përshtatje në fjalë nuk është aspak serioze, është për t`i hedhur hi syve opinionit publik, por jo vetëm kaq, mbivlerësimi i tij për të qënë sa më “korrekt politikisht" mund të kthehet bile në vetëvrasje. Shkencat sociale na mësojnë, se në një shoqëri funksionale, efektive dhe pa konflikte, me një stabilitet të qëndrueshëm, marrëdhëniet shoqërore që e mbajnë atë në unison janë një faktor vendimtar. Në shkencat ekonomike kjo nënkupton “kapitalin socialo-human” pa të cilin bëhet i pamundur funksionimi i shtetit. Debati i sotëm mbi emigracionin injoron disa fakte elementare. Ideologët e dehur nga idelogjia e multikulturalizmit nuk shohin asnjë problem serioz në këtë proces. Ata besojnë se është plotesisht e mundur që “hapesirat boshe” të shoqërive në shtete të vecanta të Europes mund të “mbushen” pa problem me masat e emigrantëve. Prandaj nuk është aspak për t`u çuditur, që politikanët nuk merren aspak me çështjen themelore të ndaljes së kësaj vale emigrimi. Ata preokupohen më shumë në përballimin e kësaj vale, pra në gjetjen e mjeteve financiare, në mënyrat e pritjes krahehapur, gjetje dhe hapje vendbanimesh të reja dhe premtime për një jetë të re dhe më të mirë.
Përse ndodh kështu?
Në këtë rast dëshiroj të citoj kolegun tim Jiri Weigl, i cili hedh tezën, se ideja dhe qellimi i “mirëseardhje-politikës” është pikërisht mjeti që shoqëritë e qëndrueshme europiane të shkojnë në të ardhmen drejt një degradimi gradual. Sepse ata vetëm mbi keto germadha mund të ndërtojnë “Europën e tyre të re”, por pa dyshim jo me ne dhe as me ata të cilet janë të kënaqur me këtë Europe që kemi aktualisht. Nga emigrantët duhet të lindin pjesëtarët e parë të “Kombit” të ëndërruar europian, shprehet Waigl. Emigrantët e vendeve nga vijnë nuk kanë kurrëfarë lidhjesh me asnje shtet të Europës së sotme, prandaj në kushtet e një Europe të re multikulturore ata do të mund të gjejnë veten me shumë lehtësi . Atyre do t`u duhet të marrin rolin e një “faktori lidhes” në shoqërine e kësaj Europe të re.
Gabimi fatal i gjermanëve
Një arsye tjetër në këtë sjellje të politikanëve europianë dhe veçanërisht atyre gjermanë është qasja e tyre naive e të parit të problemit, me pretendimin se, emigracioni natyrisht që do të ketë pasoja negative në të ardhmen e afërt, por efektet pozitive do të shfaqen më së miri në periudhat afatgjata. Kjo është një qorrollepsje fatale. Po aq qesharake janë dhe pretendimet, para se gjithash të z.Gauck dhe znj. Merkel, që emigrantët e motivuar, inteligjentë dhe të mirëarsimuar do të jenë një faktor vendimtar për të zëvendësuar të punësuarit dhe specialistët tashmë të “vjetër në moshë”. Kjo qëndron në kontradiktë të plotë me të gjitha eksperiencat që ka Gjermania me emigracionin e saj të mëparshem ose fuqinë punëtore të huaj (Gastarbeiter). Është botërisht e njohur, që tek çdo njeri, edukimin dhe fomimin që merr në rininë e tij dhe në radhë të parë në familje e reflekton në sjelljen e tij në shoqëri. Pra ka të ngjarë, që simpatizantët e ketij emigrimi masiv të besojnë në fuqinë e “riedukimit”, “manipulimit” dhe “indoktrinimit” për të ëndërruar në krijimin e “Njeriut të ri”, i cili sipas tyre do të jetë një krijesë tradicionale sipas fantazisë së shkrimtarit Aldous Huxleys e pasqyruar në librin e tij gjenial “Nje bote e re dhe e bukur” (Schöne neue Welt).
E tëra kjo është një imagjinatë fëminore. Wolfgang Kaspers, me origjinë gjermane, i cili jeton prej një gjysëmshekulli në Australi thotë: “Sigurisht që ka përjashtime, por pjesa më e madhe e emigrantëve të sotëm do të t`u duhet të kalojnë në një proces të gjatë, ndoshta prej disa gjeneratash për t`u përshtatur nga ana kulturore në vendet ku janë vendosur”. Kaspers na kujton gjithashtu edhe faktin, që në shumë raste gjenerata e dytë e emigrantëve ekonomikë nuk dëshiron të integrohet në shoqeritë europiane. Jo vetëm kaq, por hedhin poshtë kategorikisht vlerat e shoqërive perëndimore. Nëse këto tendenca do të fitojnë terren, atëherë procesi i “përshtatjes kulturore” do të ketë dështuar, duke u kthyer në një proces me simptoma të një sëmundjeje të pashërueshme. Dhe pyetja e fundit si qershia mbi tortë, është, përse pikërisht tani filloi kjo valë emigrimi. Ç’ngjarje tronditëse ka ndodhur, që pikërisht 40% e emigrantëve që arritën në Bavari, para dy fundjavëve të kaluara ishin nga Kosova? Atje ku këtu e 15 vjet nuk luftohet më. Përse 40%-shi tjetër mbërriti nga Afganistani, kur kofliktet e armatosura në një forme ose në një tjetër zhvillohen prej disa dekadash? Ndryshime dramatike në shtetet nga vijnë këta emigrantë nuk ka patur. Ndaj tyre ka patur mesazhe të qarta, por dhe me nënkuptime, që tani ka ardhur momenti për të hyrë në Europë. Këtë e përforconte akoma më shumë edhe frustrimi mbi gjendjen e mjeruar ekonomike në vendet e tyre, që natyrisht është i justifikuar, për të lënë gjithçka atje, jetët e tyre dhe për të marrë rrugët drejt Europës, në pjesën më të madhe drejt Gjermanisë. Duhet shtuar edhe kjo, që braktisja e vendlindjes së tyre është lidhur më së shumti me pagesa marramendëse kundrejt bandave kriminale. Emigrantët e ndoqën këtë “thirrje tunduese” të politikanëve të papërgjegjshëm europianë, duke mos ditur dhe mos marrë parasysh rreziqet dhe kërcënimet që mund t`i prisnin ata, fëmijët dhe familjarët e tyre gjatë rruges, ku qindra prej tyre lanë jetën në Mesdhe, në mënyrën më të hidhur të mundshme. Ata ndoqën deklaratat, që në Europë është plotësisht e mundur të jetohet. Këto deklarata u përforcuan akoma më shumë nga politikanë si Joachim Gauck dhe Angela Merkel. Ndoshta këta politikanë besojnë se ftesat e tyre janë gjeste pozitive dhe humanitare. Ato nuk janë kurrsesi. Përkundrazi, ajo ndihmë është si në fabulën e la Fontain-it “Ariu dhe miku i tij kopshtar”.
(Kopshtarit, i cili kishte marrë një sy gjumë në një lëndinë i vinte vërdallë mbi fytyrë një mizë. Përpiqej ariu i shkretë për ta larguar nga fytyra e mikut të tij kopshtar, por nuk qe e mundur. Ajo fluturonte sa fluturonte dhe kthehej përsëri mbi fytyrën e kopshtarit. Në fund ariun e zuri një inat i madh dhe për të larguar atë mizë i shkon mendja tek një ide radikale. E qëllon atë me një gur të madh dhe e vret atë mizë, por …fatkeqësisht qëllon edhe në kokën e mikut të tij kopshtar mbi të cilën qëndronte deri para pak sekondash.) Ndjej një shqetësim të thellë mbi të ardhmen e civilizimit europian. Vetëm për atë dhe për asgjë më tepër.
*Marrë nga e përditshmja gjermane “Die Welt” me titull: “Merkel erweist Europa einen Bärendienst”.
Përgatiti: Adrian Stefi
Add new comment