Rihapet loja, LSI: “Kanë ndërruar Durim Bamin me Kastriot Ismailajn”. Serial akuzash - për “Opinion, për Berishën. Aludime për Edi Ramën
CEZ dhe implikimi i supozuar i Ilir Metës në të, është rimarrë sot si temë nga emisioni “Opinion” ku kanë qenë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike. Fillimisht duhet thënë se në studio janë nxjerrë disa pretendime për vetë organizimin e emisionit, qëllimin dhe përshtatjen e tij me axhenca politike. Ylli Manjani i LSI-së tha se “ky emision është përgatitur në Sheraton”. “Shashka” e dytë ishte lapsusi, nëse mund të quhet kështu, i përfaqësuesit të PD-së, Enno Bozdo, i cili kërkoi shfaqjen në ekran të një materiali që e kishte sugjeruar vetë për emisionin. Këto dy elementë kanë krijuar një përhtypje se ka një iniciativë këmbëngulëse për të goditur Ilir Metën në këtë histori dhe kjo ishte ajo çfarë Manjani tha. Një element që binte në sy ishte mungesa në panel e përfaqësuesve të qeverisë apo të PS-së.
Mund të veçohen dy momente nga qëndrimi i LSI-së: së pari se kjo është një goditje politike, që si burim dhe nxtës direkt ka Dritan Priftin dhe Sali Berishën. “U zëvendësua Durim Bami me Kastriot Ismailajn”, deklaroi zyrtari i LSI-së. Sa për Edi Ramën, Manjani tha: “Nuk e di”. Së dyti, se lojërat me uljen e çmimit të energjisë kanë firmën e ish-kreut të Entit Rregullator të Energjisë, z. Nepravishta, i caktuar në atë detyrë nga PD. Bozdo ka pranuar se ulja e çmimit nga Nepravishta solli largimin e tij nga detyra, pas ai e çoi çmimin në 1.4 lekë atë në shitje nga KESH. Ky detaj zgjidh një aspekt të dyshimtë që është shtruar në artikujt për këtë punë e që është pikërisht lobimi dhe korrupsioni me uljen e çmimit. Dhe një fakt i tillë është konfirmuar nga Ridvan Bode që ka ndërhyrë me telefonatë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Bozdo, tha se çuarja e çmimit në 2.2 lekë nga 2.8 është bërë me sugjerim të Bankës Botërore. Manjani ka rihedhur tezën se “ish-kryeministri është Vilson Ahmeti”, vëllai i të cilit, Petrit Ahmeti ishte këshillitar i Nepravishtës. Nga ana tjetër, sipas Manjanit, Vilson Ahmeti është ortak me Kastriot Ismailajn, administrator i DIA-s, kompania nënkontraktore e CEZ-it për mbledhjen e borxheve e që sot akuzohet për pastrim parash.
Versioni i PD-së, i trajtuar nga Bozdo është i njohur: në momentin e identifikimit të drejtimit të parave drejt Ilir Metës, qeveria aktuale, nën presionin e një skandali, ka falur 500 milionë euro detyrime të njohura për CEZ, me të cilin ndodhej në arbitrazh. Në këtë linjë, shfaqet përgjegjiësia edhe e Edi Ramës, por duhet kujtuar se këtë opsion, Sali Berisha ka shumë kohë që e publikon. A mundet të jetë kjo një përpjekje parandaluese? Ndoshta, por e sigurtë është që në aferën e CEZ-it, ku flitet për qindra milionë euro, Sali Berisha të jetë i pastër. Dhe ai nuk mund të thotë sërish se Ilir Meta më hodhi hi syve.
Një video e re
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në panel, ka deklaruar se një jurist i OSHEE-së është shantazhuar pasi është dëshmitar në çështjen e arbitrazhit. Dhe se për këtë madje ka video. Mirëpo personi i akuzuar, Rezart Ruço, përfaqësues i OSHEE-së për dosjen e Arbitrazhit, ka komunikuar direkt në emision duke hedhur poshtë çdo akuzë për shantazh. Sipas Ruços dyshohej se personi në fjalë kishte nxjerrë informacione dhe dokumentacion që dëmtonin shtetin shqiptar në Arbitrazh, ku DIA kërkon 130 milionë euro. Kjo mbetet një çështje delikate, që pritet të hapë një dritare të re në këtë çështje. Dhe kjo do të shihet nëse prokuroria do të reagojë apo jo.
Panorama politike: Goditja e dytë ndaj Ilir Metës. Aludime për bashkëpunim Rama-Berisha?
Në planin politik është e dukshme se ka një përqasje mes PS-së dhe PD-së për të mos lejuar zgjerimin e mëtejshëm të LSI-së. Legjitimiteti i kësaj kundërvënieje buron nga aludimi i gjithënjohur se LSI dhe Ilir Meta përfaqëson modelin e korrupsionit agresiv, gjithë një tezë mashtruese pasi sado që evokon një të vërtetë, nuk mund të relativizojë korrupsionin e dy të mëdhenjve. Këtu pëshpërimat dhe lajmet për ftohjen PS-LSI konfirmohen tërësisht, edhe pse divorci po mbahet ende në ngrirje. Bie në sy i njëjti qëndrim shmangës dhe i heshtur i kryeministrit, si në çështjen “Doshi”, ku nuk mund të mos shihej një bashkëpunim në distancë me Sali Berishën. Së fundmi, nga burime afër kreut të PD-së, ka disa lajme për afrim mes kryeministrit dhe enturazhit të Sali Berishës. Flitet madje se javën e kaluar është zhvilluar edhe një takim mes Edi Ramës dhe një njeriu shumë të afërt të Sali Berishës, por asgjë nuk është e konfirmuar. Ajo që ka rëndësi është se bëmat e qeverisë që iku, nuk po goditen dhe nuk po denoncohen nga kjo qeveri: me gjasë ato po kapitalizohen dhe menaxhohen për të vazhduar lojën e njohur tanimë. Pika më e dobët është LSI dhe Ilir Meta, por në çdo rast qeveria ka në dispozicion të gjithë dokumentacionin e mundshëm për të zbardhur këto thagma. Ka preferuar të heshtë dhe të sodisë teatrin e akuzave që janë hapur nga media. Edhe sepse ndoshta Kryeministri nuk ka fuqi dhe rrezikon pushtetin. "Ilir Meta e dha njëherë dorëheqjen pë Shkëlzen Berishën. Nuk e jep për djalin e Stefan Fules", tha Manjani, duke referuar një akuzë sipas së cilës, marrëveshja me CEZ u bë për të punësuar pikërisht djalin e ish-komisionerit për Zgjerim, çekun Stefan Fule.
Add new comment