Shënim: Përmbajtje homogjene në “Kolektorin e ujërave të zeza”. (Berisha ka të drejtën e autorit për vaftisjen e politikës)
Raporti i OSBE-së, i pagëzuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, si një kolektor i ujërave të zeza, ka kënë shije shumë të hidhur ngado. Ai ka krijuar edhe siklete jo të vogla. Pas ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Raunning, ka dhënë një përgjigje edhe Zyra e OSBE-së në Vjenë. Përgjigja është e njëjtë, memece në aftësinë për të bindur më njeri: nuk është raport, por përmbledhje informacionesh mediatike. “Shikohet ajo që thuhet në mediat lokale, çfarë thonë OJQ-të, çfarë thonë zyrtarët etj. Natyrisht, kur ju përpiqeni të bëni një pasqyrë, ju mblidhni informacion dhe i vini ato bashkë, ndonjëherë edhe të përmbledhur. Dokumentet e tilla përdoren për qëllime informative dhe analitike, jo për të marrë vendime”, saktësohet në e-mail”, vijon përgjigja, raportuar nga Top-Channel. Por siç e thotë edhe populli ynë i lashtë, “dielli nuk mbulohet me shoshë”. Raporti ishte si të thuash libreti i protektorëve të Shqipërisë për atë që ka dy vjet që po shihet me sy përditë. Parlamenti i kësaj legjislature do të mbahet mend për akuzat rekord që ka prodhuar: vrasje, urdhërim vrasjesh, deputetë që qëllojnë me armë, deputetë me precedentë penalë, akuza për mitmarrje, tendera, lidhje okulte, për ministra që kanë parcelat e tyre të hashashit, që mbrohen nga vrasës etj.. Janë akuza që janë emetuar nga deputetë, ministra, ish-ministra, ish-kryeministra, që janë kaluar në heshtje nga qeveritarët. Akuza që kanë detyruar hapjen e një procesi, atij të dekriminalizimit. Gjithë kjo fekale politike, e të vërtetës që politika njeh për veten, e hedhur lart, tani po bie në kokë në formën e një shiu bajgash në haurin e përbashkët. Nuk ka ai raport asgjë të jashtëzakonshme: ai nuk kapi njeri në befasi. As brenda politikës, as jashtë saj. Askush që e lexoi, nuk pa në të ndonjë ekzagjerim, ndonjë të papritur, askush nuk u zhgënjye. Sepse prej kohësh, kodi i përbashkët njohës që shqiptarët kanë për politikën është pikërisht ky: kodi i hajdutëve, banditëve, trafikantëve dhe rrufjanëve që qeverisin këtë vend.
Reagimi kaq i fortë i një prej të akuzuarve në të, ish-kryemimistrit Sali Berisha, mund të shpjegohet me dy arsye: një është përpjekja për të rrëzuar besueshmërinë e një raporti që vë në dyshim të gjithë atë çka thotë, edhe kur thotë të vërtetën, një njeri si ai, që ka dy vjet që vetëm akuzon nga Facebook i vet. Së dyti, nuk mund të mohohet se letra e tij publike, fsheh brenda edhe dyshimin se me raportin ka një lojë. Le të sjellim ndërmend se nga Brukseli e deri tek selitë kryesore në Tiranë po flitet për dy gjëra: spastrimin e politikës dhe reformën në drejtësi. Dhe dasëm pa mish nuk ka.
Por raporti djeg shumë edhe në krahun më të kriminalizuar të politikës shqiptare: te PS. Djeg sepse ai, edhe ashtu siç doli në qarkullim, e konfirmon bindjen në rritje se: të gjithë janë njësoj. Se kauza gënjeshtare e Rilindjes, e cila e peshkoi të gjithë Shqipërinë me karemin e Berishës si i ziu i të zinjve, po tretet. Ajo po i lë vendin një qartësie të madhe, të dhimbshme nën cinizmin e gënjeshtrës represive “se do të bëjmë shtet”, qartësisë se në krye janë dallkaukët e nginjur të viteve ’80-90. Ata që i ngrenë kulte qytetarie vetes, por duart i kanë të gjata, shumë të gjata. Paaftësinë mbytëse, turkoshake do thoshte dikush, dhe arrogancën irrituese. Sikurse na bën të shohim se alternativë është një dikush që tregon i ri, por bën politikë vuajeristi, duke përgjuar pas derës. Nga kjo pikëpamje rrjedhja e raportit i ka shërbyer shumë vendit, edhe nëse aty ka “shpifje” siç thotë dikush. Ka shërbyer edhe për të ndihmuar z. Berisha të na falë emrin e duhur për politikën që po e sikteris një komunitet i tërë: kolektor ujërash të zeza. Natyrisht, është shumë sfiduese që të hysh aty. Duhet të jesh ndër njerëzit më të zgjuar të Shqipërisë, po t’i besojmë asaj që thoshte dikur zonja Jozefina Topalli. E lëre më pastaj të jesh në timon e të marrësh 10 apo 20%.
Add new comment