"Mos më pyesni si bëra milionin e parë...”
Prezenca e OSBE-së ka përsëritur edhe njëherë se materiali i publikuar në media, ku flitet për lidhjet e politikanëve kryesorë, nuk përfaqëson medimin e saj dhe se marrëdhëniet me institucionet shqiptare janë shumë të mira. Florian Rauning, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, bëri këtë sqarim nga qyteti i Korçës ku ndodhej për vizitë: “Lidhur me informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së, dëshiroj të shpreh keqardhjen tonë që ky informacion u bë publik – pa autorizim – dhe objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike. Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. Përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës”, tha ai. Siç shihet Prezenca nuk e përgënjeshtron ekzistencën e materialit, por relativizon përmbajtjen e tij, duke vlerësuar se ato janë një përmbledhje shtypi. Mirëpo këtij qëndrimi që nuk mbulon dot asgjë, mund t’i shtrohet një pyetje: Materiali është i tetorit 2014. Pse vlen një riprodhim i akuzave shumë të vjetra që qarkullojnë në media?
Së dyti, në kopjen e publikuar fillimisht nga “Lapsi”, shihet që dokumemti është i markuar me vulën: “Confidential”. Për cilën arsye, akuza të hedhura publikisht administrohen në rrugë konfidenciale?
Së treti: të shihet sesi fillon materiali i shkruar “për përdorim të brendshëm”. Shohim një thënie të Berlusconit: “Mos më për milionin e parë. Të tjerat janë të ligjshme”. Një thënie që ka implikime për milionerët e politikës shqiptare, hajdutë dhe banditënme markë ndërkombëtare.
Të gjithë mbajmë mend kur u zbardhën kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë nga WikiLeaks. Çfarë tha atëherë ish-kryeministri Sali Berisha? “Unë ato që thuheshin aty i kam lexuar të gjitha në media”. Pse sot irritohet nga ky material? Sikundër pse, kryeministri, bën nuk reagon? Ndoshta sepse dosja e tyre është e njohur dhe e qarkulluar në të gjitha selitë kryesore diplomatike. Dhe të gjithë e dinë, se kur i japin dorën kryeministrit të Shqipërisë, kanë përballë një njeri për të cilin kanë lexuar se kërkonte 10-20%, e që mund të ketë 200 milionë euro pasuri të fshehur. Kështu edhe për kreun e opozitës, e për ndonjë tjetër.
Add new comment