Shënim: Na zbardhni marrëveshjen që keni bërë me të Fortët!
Çështja e fundit e Lagunës së Patokut ka risjellë në vëmendje kontratën e politikës me njerëz extrapolitikë; shërbimin reciprok që bëhet në kësi rastesh, por që nuk mund të shmangë me sa duket eksese të tilla me pasoja. Por - sepse ka përherë një Por - ka një sens realizmi në këtë marrëveshje që bën politika me botën e krimit. Këtë "Por", është përpjekur ta sqarojë në gazetën e Koço Kokëdhimës, Arben Rrozhani, i cili thotë se kjo erdhi prapë për faj të Saliut. “Jo vetëm në pushtetin qendror, vendor, por edhe në Gjyqësor dhe Legjislativ. Armando Prenga, për fatin e keq të tijin, ashtu si dhe Armandot e tjerë që sot janë ende në politikë, nuk erdhi këtu se deshi populli i majtë, filozofia qeverisëse e PS-së, por sepse u zbatua pikë për pikë aksioma “Gjaku do gjak”, apo ‘plumbi do plumb”, sepse beteja për të drejtuar popullin nuk u llogarit si në çdo vend demokratik si një “fair play”, por si një betejë për jetë a vdekje, ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësi duhet eliminuar. Kjo histori nisi këtu e dy dekada më parë, kur politika iu mor mendjeve të kthjellëta dhe të ndritura në fushat ku ato militonin, por t’iu dhënë njerëzve pa mendje, por me muskuj dhe me armët në kokë”, shkruan editorialisti i “Shekullit”. Ngjan si e vërtetë kjo që thuhet, ndonëse është gjysmë e tillë. Në Parlament ka patur përherë njerëz problematikë, por ky është rasti i parë, kur njerëz të tillë, po pranohen se janë çelësi i pushtetit të shumicës. Të tillë që po skualifikojnë edhe “filozofonë qeverisëse", të supozuar të PS-së. Nga ana tjetër, po "harrohet" disi historiku politik i PS-së: në vitin 2009, Edi Rama refuzoi një marrëveshje me LSI-në, të cilën ia kërkonte me këmbëngulje asokohe, pikërisht Koço Kokëkdhima. Pasoja? Në opozitë. Në 2013-ën, PS-ja kapërceu ylberin me marrëveshjen me Ilir Metën; pse vallë nuk mjaftoi kjo si garanci për marrjen e pushtetit? Të gjithë e dimë që LSI-ja është forcë operative në terren. Pyetje pa përgjigje. Më tej, meqenëse Edi Rama, pushtetin e paska marrë siç na thotë Rrozhani, me “200 petritat” shekullit të 21-të, atëherë do të ishte mirë të na tregohej se cila është marrëveshja e bërë, pazari. Cili është ky pazar që po përcakton jetën politike të një vendi të tërë? Justifikime të tilla janë fundi i arsyetimit politik dhe dëshmi se jemi në buzë të greminës, me një politikë që ka ezauruar mjetet e veta, që nuk beson as vetë tek institucionet për të cilat paguajmë. Të jemi realistë: në një vend si ky i yni, përherë do të ketë marrëveshje me krimin. Për ta thënë me fjalët e Francesco Cossigas: “Një lider i vërtetë duhet patjetër ta ketë frekuentuar të keqen”. Por një lider i vërtetë, duhet me patjetër që ta dominojë atë. Përndryshe mjerë ne!
s.z
Add new comment