Merkel thirrje për një reformë themelore të politikës së Evropës për refugjatët: I gjithë sistemi duhet të rishikohet
Megjithë kaosin BE-ja vazhdon të jetë thellësisht e ndarë lidhur me qëndrimin ndaj refugjatëve. “Deutsche Welle” thotë se kriza e refugjatëve po bëhet për Evropën një sprovë gjithnjë e më e madhe. Në Hungari pati përsëri skena dramatike. Nga Budapesti dhe zonat përreth u nisën të paktën 800 vetë - kryesisht sirianë - më këmbë drejt kufirit austriak. Ata thërrisnin në mënyrë të përsëritur “Deutschland”- dhe “Germany”.
Kancelarja Angela Merkel bëri thirrje për një reformë themelore të politikës së Evropës për refugjatët. "I gjithë sistemi duhet të rishikohet", tha Merkel. Midis 28 vendeve të BE-së, duhet të ketë një "shpërndarje të drejtë të barrës".
Sipas “Deutsche Welles” në Bashkimin Evropian po shtohen thirrjet për një samit të posaçëm të krerëve të shteteve për krizën e refugjatëve. Në një takim të ministrave të Jashtëm në Luksemburg për këtë u shpreh ndër të tjerë, ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz. Homologu i tij sllovak Miroslav Lajçak tha: "Ne jemi sigurisht për një takim të tillë. Nëse presim deri në mes të tetorit, mund të jetë shumë vonë." Përveç këtij sami po diksutohet edhe për një tjetër takim të posaçëm i ministrive të Jashtëm dhe të Brendshëm të BE-së.
Add new comment