Mjaft më me premtime boshe për pronat!

Postuar në 03 Shtator, 2015 15:14
PROF. DR. JORGO DHRAMI

Problemi i shkuarjes së tokës tek i zoti, në Shqipëri, është më kardinali më problematiku, një ndër shkaqet më kryesore që ka sjellë dhe po thellon hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Ndonëse dijenia e pushtetit mbi këtë çështje kardinale është evidente, rruga për të “shëruar” këtë sëmundje bëhet jo me medikamentin e përshtatshëm kurues, por me ilaçe “të skaduara”, duke kryer kështu “premtimin” e radhës.

Këto ditët e fundit të muajit gusht, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, mblodhi në qytetin e Vlorës: Drejtuesit e Avokatit të Shtetit, të Policisë, të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, si dhe prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, për të bërë një marrëveshje për eliminimin e veprimeve antiligjore në drejtim të shpërndarjes së tokës, të kryera nga individë të veçantë e të ndihmuar nga disa vendime gjyqësore.

Marrëveshja duhej bërë, sepse është detyrë shtëpie për Shqipërinë, nga organizmi ndërkombëtar, për zgjidhjen e drejtë të tokës për të shkuat tek i zoti, dhe jo siç ka ndodhur në fakt, që, persona me pushtet, miq, shokë apo të afërm të tyre, pa qenë më parë, u bënë pronarë të tokës, ndërsa ish-pronarët mbetën pa tokë, duke “trokitur derë më derë” të pushtetit, për të marrë tokën e lënë në pronësi nga të parët e tyre!

Kjo shpërndarje e tokës, në këtë mënyrë, duke përdorur si bazë ligjore ligjin famëkeq 7501, datë 17.07.1991, një grupi të caktuar personash, sidomos kjo në zonën e Vlorës, u krijoi një gjendje ekonomike të shëndoshë, për rrjedhojë iu dha mundësia për të ndërtuar vila, fshatra turistike, e bërë pushime përrallore në vendet më të shtrenjta të botës, ndërsa ish-pronarët të varfërohen nga dita në ditë, duke luftuar për sigurimin e bukës së gojës. Gjendje katastrofale, si rezultat i një padrejtësie unike!

Po kjo gjendje katastrofale, a mundet të rregullohet apo të zgjidhet nga marrëveshja e mësipërme? Me keqardhje, e themi që në fillim se ajo është një “shou” i radhës. Së pari duhet thënë se ajo është një lloj sajese propagandistike, pasi nga njëra anë është e panevojshme, kurse nga ana tjetër është e pamundshme. Kështu pjesëmarrësit, apo e thënë ndryshe kjo palët e marrëveshjes, janë dy: Pushteti Ekzekutiv dhe ai Gjyqësor.

Institucioni i Avokatit të Shtetit, Policia dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, inkludohen në pushtetin ekzekutiv, për rrjedhojë, raportet ligjore midis tyre, nuk mund të zgjidhen me marrëveshje, por mbi bazën e kompetencave ligjore. Ndërsa institucioni i Prokurorisë, jo vetëm që është i pavarur nga pushteti ekzekutiv, por ai është ballafaques me të, pasi ushtrimi i veprimtarisë së saj është në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit penalo–procedural. Prokuroria, në bazë të Kushtetutës, duke pasur atributin e vetëm të ndjekjes penale, i ka të gjitha mjetet ligjore për të realizuar detyrën të saj.

Rastet e ndodhura e të materializuara nga ana e Kryeministrit, në takimin e mësipërm, se disa gjykata, në raste të ndryshme, me anë të vendimit të tyre gjyqësor u kanë dhënë personave të ndryshëm në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore sipërfaqe toke dhjetëfishin apo më shumë se kaq nga sa kanë pasur në fakt në mënyrë të dokumentuar, janë me të vërtetë shqetësuese. Por këto raste, përveçse të identifikohen, marrëveshja e mësipërme nuk mund të kryejë asnjë lloj veprimi tjetër, pasi zgjidhja e tyre ka një procedurë gjyqësore të caktuar.

Ndonëse këto raste janë shqetësuese e të mirëditura edhe nga opinioni publik, ato nuk lindën sot, por kohë më parë, dhe, si pushteti ekzekutiv, ashtu dhe Prokuroria, me sa jemi në dijeni, në asnjë rast nuk kanë reaguar.
Më sipër nënvizuam faktin se ligji 7501 i datës 17.07.1991 (së bashku me VKM nr.255, datë 02.08.1991) është famëkeq, jo pse duam ta konsiderojmë të tillë, por për pasojat katastrofale që solli ai, me zbatimin e tij.

Duhet thënë që në fillim se ai vjen në kundërshtim me parimet universale të të drejtave të njeriut në drejtim të pronës, duke mos shkuar toka tek i zoti, por te persona të veshur me pushtet, miq, shokë, dashamirës apo të afërm të tyre.
Përpilimi dhe miratimi i ligjit famëkeq të sipërpërmendur u realizua në “praninë” e organizmit ndërkombëtar, Europës, por kjo e fundit e kaloi si në heshtje këtë fakt, ndoshta duke menduar se mund ta rregullojë në të ardhmen, ose nuk i ka kushtuar kujdesin e duhur atij.

Te përmbajtja e këtij ligji konstatohen pa ndonjë vështirësi premisat që vënia e tij në zbatim do të sjellë arbitraritet, padrejtësi në ndarjen e tokës bujqësore. Ndarja e tokës, sipas këtij ligji, jo vetëm passjell mosrespektimin e të drejtave universale të njeriut, por ai vjen në kundërshtim edhe me vetë sistemin kapitalist, sipas të cilit, prona private është e shenjtë, është e paprekshme. Toka bujqësore, ndarja e së cilës bëhet sipas ligjit në fjalë, ka qenë e ish-pronarëve, të cilët, nga sistemi i mëparshëm u detyruan ta kolektivizojnë në kooperativa bujqësore, dhe jo pasuri e shtetit shqiptar.

Ndarja e kësaj toke bujqësore duhej të bëhej sipas mënyrës së bashkimit të saj në kooperativa bujqësore, d.m.th., sipas tokës që kryefamiljarët bënë bashkimin e tokës në kooperativa bujqësore. Privimi i së drejtës për të qenë pronar i kësaj toke të atyre personave që: nuk i kapte gjendja civile më 1 gusht të vitit 1991 ose, ndonëse kishin qenë anëtarë efektivë të saj por, më vonë ishin larguar në një vendbanim tjetër me punë e banim, apo megjithëse tokën e tyre e kishin bashkuar në kooperativën bujqësore, por nuk ishin pjesëtarë të saj efektivë, absolutisht është e papranueshme.

Privimi i së drejtës së pronësisë ka shkuar deri atje sa, nga ky ligj, nuk përfitojnë edhe personat që kanë bashkuar tokën e tyre në kooperativën bujqësore, kanë qenë efektivë të saj deri në daljen në pension të tyre, por meqenëse gjendja civile e 1 gushtit 1991 nuk i kapi në fshatin dhe ish- kooperativën bujqësore të tyre, të mos përfitojnë në ndarjen e tokës bujqësore(!). Absurditete të tilla juridike, vështirë se mund të materializohen në raste të tjera.

Ligji famëkeq i mësipërm bën “bamirësi” me pronën e të zotit, duke ua dhënë atë personave që nuk kanë qenë pronarë të tokës bujqësore, mjafton që gjendja e tyre civile t’i kapte ata anëtarë të kooperativës bujqësore në datën 1 gusht 1991!.
Në këtë mënyrë ka ndodhur edhe me ish-pronarët e tokave bujqësore, por që toka e tyre nuk përfundoi në kooperativa bujqësore, por në fermë shtetërore.

Ky ligj famëkeq u erdhi për shtat ndarësve të tokës bujqësore, për të përfituar tokë bujqësore sa deshën e ku deshën për vete e për miqtë apo të afërmit e tyre, pasi siç thotë një shprehje e popullit “deti u bë kos”! Por, a duhet pranuar kjo situate katastrofale e mohimit të të drejtave të pronësisë të ish-pronarëve, apo duhet trullosur me marrëveshje e premtime boshe të pushtetarëve, për të bindur Europën, se u “kalua klasa” nga Qeveria shqiptare për të hyrë në Europë? Kurrën e kurrës, kjo nuk duhet pranuar!

Një qëndrim të tillë nuk duhet ta ketë të qartë vetëm pushteti në Shqipëri, por dhe Europa ndërkohë! Arrnimet apo premtimet boshe, për të mos thënë më ndryshe, që bëhen për t’u hedhur një perde tymuese ish-pronarëve, me qëllim që të mbahet në këmbë ligji famëkeq 7501 dhe jo ai të abrogohet duke u fshirë (nga faqja e dheut), absolutisht janë të papranueshme.
Le të shpresojmë! Zoti përpara dhe, Ne pas tij!

*Kryetar i shoqatës “Bregdeti”

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.