"Keni qenë 3.2 milionë, tani jeni 2.8 milionë. Qëndroni në Shqipëri”
Edhe një përfaqësues i lartë i fesë në Gjermani, si kardinali i Këlnit, Rainer Maria Woelki, e shikon si problematik emigracionin shqiptar. Ai ka folur nga Shkodra ku ka qenë për një vizitë, duke argumentuar se janë shifrat ato që flasin. “E shikoj si problem të Shqipërisë pasi në 2013-n kanë qenë 3.2 milion banorë dhe ndërkohë janë 2.8 milionë tani. E shoh të rëndësishme për të qëndruar këtu dhe për ta zhvilluar vendin. Dhe mendoj se Shqipëria e ka fuqinë për të ecur përpara. Vetëm strukturat sociale duhet të jenë ato të duhurat, që nuk bën të mundur vetëm mirëqenien e një grupi por të të gjithëve”, citon “Ora News” kardinalin. Woelki ka dhënë edhe disa këshilla që sipas tij do të sillnin dinamizëm të ri të tregut në Shqipëri, duke frenuar valën migratore. “Duhet çuar përpara arsimi jo vetëm ai shkollor por më shumë profesional. Sistemi shëndetësor le shumë për të përmirësuar, dhe duhet një shërbim që t’i shërbejë të gjithëve. Barazia shoqërore çon në luftimin e korrupsionit, dhe në paqe të mëtejshme. Është e rëndësishme të investohet në shtresën e mesme, jo vetëm për shkollën, por edhe për profesione artizanale...”, tha ai duke shtuar edhe disa konsiderata për bukuritë e vendit tonë.
Add new comment