Qeveria është e lodhur, opozita në koma vegjetative

Postuar në 02 Gusht, 2015 12:54
Ilir Yzeiri

Aq rutinë sjell muaji gusht në Shqipëri, sa nganjëherë ngjan sikur dikush e ka rregulluar me dorë rrjedhën e punëve në këtë vend. Gushti është muaji ku zakonisht nuk ndodh asgjë, me përjashtim të ndonjë provokimi me natyrë patriotike folklorike në Himarë apo në ndonjë areal tjetër. Gushti e bën gjithçka më të squllur, më pa jetë. Por korriku dhe gushti i sivjetmë, me të nxehtin më të madh në dhjetë vjetët e fundit, vërtet na kanë bërë të gjithëve gati si të përhumbur. Ndërkaq, ajo që të mahnit është se në muajin gusht të gjitha qeveritë shqiptare që kanë kaluar në këta njëzetë e ca vjet shfaqen të lodhura, të stërkonsumuara, të vetëkënaqura dhe të bindin se do të vijojnë të njëjtën rrugë si të mëparshmit e tyre. Kështu u shfaq dhe Edi Rama në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit. Nëse sheh fjalimin e Berishës në fund të korrikut 2012 dhe atë të Edi Ramës në fund të korrikut 2015 janë identikë. Ashtu si Berisha edhe Rama foli për arritje. Ashtu si Berisha edhe Rama e injoroi shqetësimin e qeverisë amerikane për kriminelët në Parlament. Ashtu si Berisha edhe Rama renditi suksese atje ku ato nuk janë dhe pohoi pa iu dridhur qerpiku se në vjeshtë do t’i futemi me themel tatimeve dhe doganave. Paralelisht me Ramën, shefi i FMN-së në Shqipëri lëshoi alarmin se taksat nuk po vilen, se informalitetit ka arritur në shifra alarmante. Por Rama tha se këtë punë do ta zgjidhim në shtator. Tani qeveria është e lodhur dhe e nxehtë nga vapa, ka nevojë të freskohet pak. Një tjetër burim i pavarur, E. Zaloshnja, botoi një investigim tronditës dhe tregoi me shifra se zhdoganimi i cigareve ka rënë në shifra alarmante. Sipas atij vëzhgimi ose shqiptarët kanë lënë duhanin në masë ose ata po pinë duhan me të dredhur. Në fakt, nuk është as njëra as tjetra. Sipas atij vëzhgimi, kontrabanda ka mundësi të jetë në përmasa të frikshme. Koalicioni PS-LSI kanë kaluar dy vjet në qeverisje dhe tani gjithnjë e më qartë po shfaqen shenjat e qeverisjes shqiptare të këtyre njëzetë e ca vjetëve. Informalitet në tatime e dogana, korrupsion galopant dhe ligjërimi që ndërtohet me fraza në kohën e ardhshme.
Po opozita?
Opozita në këtë vend sa vjen e po rrudhet dhe po ta ndjekësh veprimin e saj nuk e merr vesh se çfarë përfaqëson ajo. Aty secili flet për hesap të tij dhe të gjithë paraqiten në publik si martirë të ndershmërisë. E kompleksuar nga humbjet fatale që po e shoqërojnë në të gjitha garat elektorale, opozita ngjan me një pacient në koma vegjetative ose në koma vigjil. Si në rastin e parë, ashtu dhe në të dytin, pacienti nuk mund të reagojë. Ai ka humbur aftësinë për të menduar dhe për të komunikuar, por vazhdon të jetojë. Edhe opozita jonë është pak a shumë në këtë gjendje. Ata që flasin në emër të saj nuk janë opozita, por përfaqësues të saj të çoroditur që nuk dinë të artikulojnë një qëndrim të përbashkët opozitar. Ata flasin sikur nuk kanë jetuar në këtë vend. Sali Berisha i inkriminuar deri në grykë, flet për dekriminalizim. Lulzim Basha, i paaftë deri në dhimbje, dhe i përdorur si kallashnikov pa leje flet për kriminelë e dyshe kriminelësh. Jozefina që është bërë personazhi politik më i padëshiruar flet për ringritje si luanët. Të gjitha personazhet që e kanë neveritur këtë vend flasin sikur janë të virgjër, sikur nuk kanë qeverisur fare në këtë vend. Flasin aq përçart sa me të drejtë qeveria po lodhet dhe e ka fjetur mendjen se me këtë opozitë ajo mund të flejë gjumë edhe për dhjetë vjet me radhë.
Mirëpo, një sinjal po vjen…
Qeveria e SHBA-ve përmes ambasadorit Lu ka qenë kritike me qeverinë shqiptare sa i takon përfshirjes së njerëzve me të kaluar kriminale në Parlament apo edhe në administratë. Edi Rama përmendi modelin italian dhe i mbrojti të zgjedhurit e tij edhe përballë denoncimit të ashpër të Ambasadës Amerikane. Në fakt, edhe Renci, Kryeministri italian, disa ditë më parë e mbrojti një parlamentar të tijin dhe nuk ia dorëzoi prokurorisë që kërkonte ta arrestonte për korrupsion. Ai tha se ne nuk jemi lejekalimi i prokurorisë. Edhe Edi Rama, në njëfarë mënyre iu përgjigj Ambasadës Amerikane duke thënë se kemi respektuar ligjin dhe se cilido njeri që e ka kryer një dënim nuk mund të penalizohet përsëri. Është fjala për një krim që ka të bëjë me trafikimin e njerëzve.
Pak shpresë në fund
Kështu siç po shkojnë punët, qeveria e sotme ka pak gjasë të shkëputet nga modeli i qeverive që kanë kaluar në këtë vend në këta njëzetë e ca vjet. Ne do të duhet të përgatitemi përsëri se do të mësojmë skandale korrupsioni, se do të zhytemi edhe më thellë në informalitet, sepse kështu siç është ndërtuar shoqëria shqiptare në këta njëzetë e ca vjet, qenka e vështirë ta zhbësh e ta ribësh ashtu siç duhet. Ekonomia jonë në pjesën më të madhe përbëhet nga biznesmenë klientelistë dhe me të kaluar të errët që pasurohen jo përmes punës, por përmes mospagimit të detyrimeve tatimore dhe doganore. Dekriminalizimi i shoqërisë shqiptare është një proces i vështirë dhe ai nuk mund të bëhet nga kjo klasë politike. Kjo klasë politike është produkt në shumicën e saj e ekonomisë dhe bosëve të krimit. Ndërkaq, një zhvillim i ri duhet të na bëjë optimistë. Erion Veliaj dhe ekipi i tij i Bashkisë së Tiranës kanë shansin e madh që të krijojnë një model të ri qeverisjeje. Ata nuk vijnë nga asnjë kalkulim kriminal. Aty ku janë kanë ardhur vetë, me veprim politik të menduar mirë, me ndershmëri e pasion. Ata kanë mundësi të krijojnë të çarën e parë mes politikës së lidhur me krimin dhe politikës së lidhur me publikun. Kjo është një sfidë e vështirë, por Erion Veliaj duhet të jetë i bindur se çfarë ka arritur deri tani e ka arritur vetë dhe nuk i ka borxh askujt, përveç publikut që e ka mbështetur. Ai do ta ketë të vështirë të bashkëjetojë me pjesën e kalbur të politikës, por do të varet shumë nga ai nëse Erjon Veliaj do të largohet nga ai model apo do të bëhet njësh me ta. Shenjat deri tani duken të mbara dhe nëse Veliaj do të krijojë një standard tjetër në qeverisjen e Tiranës, atëherë qeverisë mund t’i ikë vapa e gushtit, por jo lodhja.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.