Triumfi i Shumicës së Heshtur

Postuar në 06 Prill, 2025 16:59
Skerdilajd Zaimi

 

Diçka shumë serioze po ndodh këto kohë në klimën politike ndërkombëtare që patjetër ka pasoja të mëdha edhe në një vend të vogël si Shqipëria. Politika ka lëvizur nga qendra dhe po shkon drejt një antagonizmi me eksese fillestare disa arrestime të nivelit të lartë. P.sh nëse në Turqi arrestohet rivali kryesor i Erdogan për zgjedhjet presidenciale, akuza që ciklohet është se regjimi i Erdogan është autokratik dhe se ai po sposton një rival të vetin. 

Nëse një kandidati në Rumani i ndalohet kandidimi për president nën akuzën e ekstremizmit, me sebep disa akuza formale, kjo qarkullohet si mjet i dobishëm për ruajtjen e demokracisë. Nëse në Francë dënohet drejtuesja e Frontit Kombëtar, Marie Le Pen, ky është një vendim gjykate i një vendi demokratik që mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale, por nuk mund të lidhet si vendim me prapavijë politike. Akuza që ngrihet i bashkon të gjithë: Korrupsioni! Korrupsioni ka mbetur mesa duket e vetmja përgjegjësi që nuk mund të dekriminalizohet në asnjë sistem dhe kjo dëshmon forcën e ekonomisë si baza e çdo politike.

Është për t’u vënë në dukje se edhe presidenti amerikan Joe Biden kreu një falje të diskutueshme të të birit, përfshirë akte me natyrë korruptive, ndërkohë që edhe në Rusinë e Putinit, ka patur disa ministra që janë lëvizur për korrupsion. Prigozhin ishte shembulli sesi korrupsioni i nivelit të lartë çon në iluzione të pushtetit. Rast për t’u shënuar është Vucic i Serbisë që nuk ka goditur ende me masa penale kundërshtarët e vet, ndoshta për shkak të brishtësisë së situatës, fajësisë institucionale për ngjarjen e Novi Sadit dhe Jadarin, sikurse për shkak të anonimizimit të protestës nën etiketën e studentëve.

Çfarë po ndodh? Nga njëri sistem në tjetrin ne po shohim se kundërshtarët praktikisht eliminohen dhe në thelb kjo ëstë masë e ngjashme me antyrë konservatore. Po synohet të ruhet status quoja, të ruhet e ardhmja nga çdo rishikim i hierarkive të sotme, sidomos nga çdo revizionim i narrativave. Nëse do ta vlerësonim një sistem politik për nga ky aspekt, pra teknika e eliminimit të kundërshtarit, që është edhe opozita reale, ne mund të përfundojmë se në të vërtetë sistemet përshkruajnë veten si demokratike, më tepër sesa janë të tillë efektivisht.

Për sa kohë nuk ka një sistem të vetëm që megjithë susksesin e vet, drejtësinë sociale nëse duam, nuk arrin dot të asgjësojë premisat e subversionit, është e udhës të pranojmë se demokracia në çdo përkufizim ka kufinj. Në kohën e sotme, ku inercia e mirëqenies vazhdon të diktojë veprimin politik të një shumice që nuk ka asnjë atu tjetër, demokracia siç e njohim, por edhe stabilokracia siç quhen regjime si i Erdogan, ka ardhur e është identifikuar me kategori përherë e më inaktive, që janë konservues të sigurisë së tyre. Ndaj edhe kontrasti mes njërit dhe tjetrit është më tepër retorik.

Kriza në thelb I ngjan një termodinamike sociale ku kërkesa për ndryshim sa vjen e rritet, por ky ndryshim nuk arrin të jetë strukturor, as sistemik. Ai nuk arrin dot të artikulohet se çfarë është, ku synon të shkojë. Ndryshimi i pretenduar u jep oksigjen nnjë pjese të shoqërisë, por në një mënyrë  të tillë që në vend se të vijë e të parashtrojë horizontin e ri për njeriun, vetëm sa zgjeron rezervën retorike të demokracive. Që sa vijnë e kënetëzohen. Formalizohen si regjistër.

Ndryshimi është më tepër një ndryshim elitash, nominal. Nuk ka asgjë revolucionare në skenën politike që të nxisë me të vërteë një angazhim ideologjik të ri, sepse nuk ka asgjë përtej kulturës politike të sotme, që është ndoshta i vetmi atribut i globalizuar me të vërtetë. Në këtë kuptim verifkohet edhe një problem i madh i simetrisë logjike, apo argumentuese: a janë shoqëritë demokratike? A funksionojnë ato nën ushtrimin e përgjgjësive demokratike? A është shoqëria franceze demokratike, përpara sesa një pyetje të tillë t’ia shtrojmë pushtetit?

Pra a qëndron më raporti: Pushtet – Publike në koordinatat etike të mëparëshme? Një qytetar që nuk angazhohet nuk ka të drejtë të kërkojë të drejta. Sepse herët apo vonë do t’I humbasë ato. Ky është një rregull I njohur, po cili interes do ta mobilizonte sot një qytetar? Një shoqëri? Kauza e demokracisë është teorike kur nuk gërshetohet me kauza ekonomike. Ne kemi rastin ta kuptojmë mirë këtë gjë, këtë ligjësi që është mizore sa vetë fakti i jetës në tokës, me termin Shumica e Heshtur. Është një term i popullarizuar në shqip nga Erion Veliaj që solli kështu para nesh një fakt politik të përgjithshëm sot.

Çfarë është shumica e heshtur? Që në togfjalësh mund të pikasësh diçka jodemokratike, cinike, distopike, anonime, parazitare, indiferente, moçalizuese, por funksionale. Shumica e Heshtur është sot trupi politik më funksional, I taposur pas pushtetit dhe me pushtetin. Është një shumicë që nuk flet, nuk ka zë, por përfaqësohet tek pushteti, paraja, ekonomia e kanalizuar dhe rregulluar. Është një trup politik që funksionon larg dhe përkundër nocionit të konkurencës, garës, sfidës, dhe asaj që njihet si kultura pozitive e humbjes. Është turma e organizuar në stilin Kafkian, ku njeriu nuk di ta ndajë se çfarë është më kafkiane: Shumica, apo Heshtja? Një shumicë nuk ka nevojë të flasë mesa duket. Pasi “gjërat dihen” dhe ashtu duhet të mbeten. Janë aty për të qenë siç kanë qenë.

Koha e sotme, me Shqipërinë brenda si shembull e në disa raste edhe prirëse në disa procese të degradimit, konfirmon se kriza qëndron në faktin se polarizimi është retorik, jo social. Polarizimi është verbal dhe ndodh në sipërfaqe të një dukurie që të kujton deri diku komunizmin e kohës së fundit. Fitorja më e madhe ndoshta e atij regjimi social ishte rënia e tij. Sepse komunizmi në dallim nga fashizmi dhe nazizmi, nuk u mposht, por implodoi, ndërkohë që vetë ishte instaluar duke çrrënjosur me dhunë të paprecedentë paraardhësit. Dhe kështu sizmika sociale e tij, struktura që ndërtoi, etatizmi gati absolut si përgjegjës racional, përhapi valë goditëse globalisht. Ndoshta në ato tubime masive sociale do kërkuar rrënja e kësaj shumice të heshtur që apelon forcën e pushtetit dhe që e ka bërë demokracinë kaq dielektrike.

Aq sa ndryshimi i pretenduar ndihet dhe nuk artikulohet dot mirë sepse pakkush është gati të cedojë nga ajo që ka. Dhe sot ka më shumë se kurrë më parë për një shumicë përherë e më të madhe. Ndaj edhe skandali si shfaqje (anti)etike sa vjen e viktimizohet tek përkohshmëria. Korrupsioni shfaqet kështu si i vetmi reliev i aktivitetit politik dhe social që luan me hipnozën e korrektimit dhe ekzistencës së moralit. Koha e sotme nuk toleron më asnjë eremit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.