Shqipëria nuk ka më kryeministër dhe PS-ja nuk ka më Kryetar

Postuar në 13 Shkurt, 2025 14:50
Skerdilajd Zaimi

 

Edi Rama ka 48 orë që çaprashit llogje dhe ulërima nga më të çuditshmet. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, mandej statuset në rrjete sociale. Mandej një bisedë “sy më sy” për të vijuar sërish me statuse. Nga njëra anë akuzon SPAK për standard të ulët në trajtimin e dosjes Veliaj, nga ana tjetër shton se “beteja e Veliajt nuk është betejë e PS”.

Nga njëra anë ulëret për hetime të padrejta, nga ana tjetër thotë se “sot morëm letrën nga presidenca polake për hapjen e grupkapitujve të rinj për anëtarësimin”. Përballë tij një Shqipëri e tërë që sheh miliardat e Ajola Xoxas dhe Erion Veliajt dhe një tufë anemikësh të pangjyrë që rrinë e dëgjojnë duke shpresuar se ky ankth do mbarojë. 

Janë shokët socialistë, të gjithë me genin e përbashkët evolutiv të Uljes së Kokës që presin tani se çfarë do ngjasë. Këta i ka marrë të pandehur paranoja, korrupsioni i vet dhe tani nuk dinë se çfarë është më mirë: të votojnë PD-në sepse Berisha do shkrijë SPAK-un dhe kështu ata mbajnë lekët por humbasin pushtetin, apo të rrinë me Ramën e ta rivotojnë sepse nuk ka rrugë tjetër.

E parë nga një distancë tjetër, pra jo me atë të Të të Dinjiteshmëve të PS-së, por nga distanca e një njeriu normal që nuk ka futur duart gjëkundi, mund të shihet në dritën e diellit se Shqipëria nuk ka më Kryeministër. Nuk ka më njeri që qeveris me ligj, por ka një avokat, prokuror, gaztor dhe plak qaraman që flet përçart, llomotit e llomotit për të dhënë garanci se gjërat nuk ndryshojnë. Ai harron se Shqipëria nuk është Kryesia e partisë me të cilën ndan paratë e buxhetit, është edhe diçka tjetër.

Shqipëria nuk ka më kryeministër, por një të kapur në shah me zbulim nga korrupsioni i vet. Atij i kanë rënë tashëm pa lëvizur të gjithë gurët dhe ka mbetur me poturet e veta i zënë në qoshe. Por as PS-ja nuk ka më kryetar. Zoti Rama ka dështuar të heqë frikën, të qetësojë të lemerisurit shokë të idealit buxhetor. Ai po jep e po merr i ziu për t’u thënë se do kalojë edhe kjo, se Erioni do e hedhë. Një shërbim ia bëri Sali Penxherja kur tha sot se në Durrës Veliajn e suvejon Poja që të mos llapë. Mesazhin e kanë kapur edhe shokët e partisë të cilëve edhe Sali Penxherja po u thotë: Mos llapni!

Por nuk po ngjit. Nuk po ecën. Fytyrat e vrerosura të Grupit Parlamentar janë dëshmi autentike e historisë; Bushka si pulë e shushatur, Shalësi të cilit për herë të parë i shkonte “të menduarit” si proces(frika ka dalë nga xheneti), Elisa Spiropali sikur kishte dalë në vitrinë për t’u shitur dhjetëvjeçarin tjetër dhe nuk ishte më këtu, e kështu me radhë, galeria e botoksit kishte ngrirë si kurrë më parë.

Ndaj në këtë fazë kritike të parashpërbërjes së Partisë më Kriminale të historisë sonë politike si komb, vihet re qartë se Koka ka humbur Kokën. Koka ka fluturuar e po ikën nga të mundet, në kërkim të një varke për vete. Është e vështirë të kujtohet ndonjë krizë e tillë për PS-në pas 1991-t, me dallimin se atëherë Koka po vendoste se duhet të dilte nga loja dhe se gjërat duhet të ndërronin.

Sot të gjithë bëjnë sikur Veliaj ishet murgu i Bashkisë që jetonte me hallet e romëve të supës që shërbente vetë dhe jo ai që është dhe e dinë të gjithë. E nëse vazhdohet kështu, PS-ja rrezikon të bjerë në llogjikën e Ilir Yzeirit, Frrok Çupit, Idajetit dhe Sokol Ballës, se jeton e vepron nën rrethimin e SPAK. 

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në të vërtetë. Shpërbërja e asaj partie, asaj govate formaline kadavrash që kanë nisur të mbajnë erë, përfaqëson ajrosjen më të madhe në këtë vend që nga koha e Anzhuinëve. Është lajm i mirë sepse është kjo parti, kjo organizatë kriminale që ka shpërdoruar si askush tjetër një besim shumë të madh dhe ka devijuar një mundësi të madhe për vendin, që mund të ishte në tjetër stad. Rrugë të mbarë në vdekjen e plotë! Të urojmë se do të ndodhë sa më shpejt!

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Shkrim teper I sakte zoti Zaimi. Eshte fatkeqesi qe gazetare si ty nuk therriten ne TV e t'u degjohet zeri.
Por lus Allahun qe mbi kete kapul plehu qe ka emrin PS, nuk ngrihet PD e batkacinjve qe mezi po presin dhe po ulerasin se " jane " te zgjedhurit e Trumpit, se per popullin as qe duan tia dine, vetem t'i mbeshtesi Amerika.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.