Krishti, Juda dhe Maria Magdalena në Partinë e Parave
Të gjithë thuajse e panë sot mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Të kujtohet pak Darka e Fundit, motivi biblik i ikonografisë së Perëndimit me Krishtin që ndan momentet e fundit me dishepujt që ende nuk ishin bërë apostuj.
Me dallimin se z. Rama aty luante edhe Krishtin edhe Judën. Shikoni momentin si ia ndërpret fjalën Të Dinjiteshmes Klotilda Bushka; shikoni mandej çehren e zonjës Bushka, një Maria Magdalena e vërtetë, shpresa ekzistenciale e së cilës, frymëmarrja e saj, varet nga një fjalë, nga një qëndrim, nga një çast i personit që sot është pushteti. Mundet njësoj si Maria Magdalena të ketë dashur ta prekë pak rrobën e këtij Mesie, për të ndjerë lehtësinë që të jep ndjesia e një mrekullie. Por jo. I gjithëpushtetshmi u tradhëtua nga një mimikë prej Totoje – me sy që rrotulloheshin e gjeste qëllimisht erratike, fjalë që venin e vinin për të ngulitur në kokën e të gjithëve sentencën: Ne do ta mbështesim SPAK-un.
Çfarë drame e pandërprerë e kësaj partie që kaloi nga krimi ndaj personit në krimin e korrupsionit me vetëm një ndryshim emri. Çfarë situate surreale po të krahasohet me pak vite më parë, kur këta farisej të tempullit të Buxhetit, na shfaqeshin si zgjidhja dhe zgjedhja për një Shqipëri të ndryshme, të re. Për këta nuk flisje dot, nuk kritikoje dot se patjetër që do ishe smirzi, xheloz e të tjera me radhë.
Të plakur e syrgjynosur në frikën e vet që u ka hyrë deri në palcë, me lëkurën mbushur me djersë poshtë rrobave që nuk i afrohen dot faturës së urryer 860 mijë euro, këto xhingla mingla të kinkalerisë së korrupsionit, ishin sot statuja njerëzore para një predikimi të dobët. Që as dha shpresë, as e vrau frikën.
Si vallë e kanë parë veten këta ndër vite? Në çfarë distance dhe lartësie nga sipërfaqja e veprimit të ligjit? Është një pyetje që mundet të shpjegojë deri diku murosjen e këtyre me burgosjen e shtetasit Veliaj, me hetimin e të Dinjitetshmes Bushka e kështu me radhë. Të kujtohen copëza nga dosieri i Dikaturës, sesi të gjithë gënjenin veten: në fillim kritika, pastaj ulja në detyrë.
Ja me kaq mbaron. Mandej transferimi. Më keq se kaq nuk ka ku shkon. Mandej burgu me gjithë familjen. Dhe heshtje, harresë. Asgjë. Kjo të tmerron. Kjo i tmerron. Fakti se nesër Maria Magdalena mund të jetë me kostum qelie dhe se askush nuk do kujtohet për të. Asnjë nuk do merakoset. Aty ajo do të jetë mandej Bushka që nuk beson asgjë.
Si t’u shpjegoj njerëzve që jam e pafajshme?
pyeste zonja sot
Përgjigja është vetëm një: heshtje…Dhe këtu njeriu kupton qartë sesa i rëndë është “fakti i të ekzistuarit në botë”, se ky fakt nuk emancipohet nga asnjë frikë, ndonëse e zhvesh njeriun nga çdo maskë. Sepse Partia Socialiste është partia e maskave. Që vendosen mbi maska. Maska ëstë biografia aty. Mjaftoi vetëm vringëllima e disa prangave për një prej përgjegjësve kryesorë të biomës mykotike të Shqipërisë politike, për kërpudhën e haluçinacionit korruptiv që të gjithë të kujtohen se nga pas tërheqin vetëm një Hije e asgjë më shumë.
Ne nuk jemi hunj gardhi,- tha kryeministri. Ne nuk e gjykojmë drejtësinë, por do flasim.
Po i nderuar Iskariot që sot hoqe qafësh një pengesë të madhe nga këmbët e tua, por si i tillë, pra si njeri dhe jo hu gardhi, them e kam bindjen që JU JENI HAJDUTË! Nga i pari tek i fundit! Dhe të gjithë ata që dolën atje te gjykata për të protestuar, ata e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë, se cilin po mbrojnë e me cilin po solidarizohen. Ai tubim ilustron talaseminë morale të shoqërisë sonë që e ka atë endemi të kulturës së vet. Sa më lart pankartat, së më lart ulërimën! Jeni ata që keni qenë që në fillim!
Comments
Kot nuk thone "me thuaj me ke
Kot nuk thone "me thuaj me ke rri te te them se kush je". Pra dhe kjo Bushka nuk ndryshon nga keta miqte e femijerise.
Add new comment