Të hysh në Histori
Ish-kryeministri i Greqisë, Costas Simitis, ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare. Një njeri që e lidhi imazhin e vet e deri diku trashëgiminë, me Euron, monedhën të cilën e prezantoi personalisht në Greqi kur vendi hyri në Eurozonë. Socialist i mirënjohur, bashkëudhëtar i Andrea Papandreut, Simitis përfaqësonte diçka krejt ndryshe nga gangsterizmi politik i të parit, që megjithatë funksionoi në mbajtjen e Greqisë të bashkuar.
Me pamje akademike, një njeri i prirur nga letrat dhe ekonomia, Simitis lidhet edhe me Samitin e Selanikut që hapi rruëgn e anëtarësimit të Ballkanit në BE dhe të lëvizjes së lirë. Gazeta e djathtë greke, “Kathimerini” vinte në dukje faktin se mediat kryesore europiane i kushtuan hapësirë largimit nga jeta të Simitis, duke vënë theksin sa te vizioni i tij reformues, te modernizimi i skenës politike greke, aq edhe tek aktivizimi anti-Junta.
Kjo cilësi e fundit ka rëndësi dhe gjen analogji me Shqipërinë. Aktorët publikë grekë nuk humbasin asnjëherë rast që ta vënë në krahasim demokracinë greke me kohën e Jundës, duke theksuar kështu ankthin e një prapakthimi. Sa më e suksesshme demokracia, aq më i madh emancipimi, dhe aq më e pakthyeshme politika drejt shqisave autokratike. Sgurisht vendin në Histori nuk ta japin mediat, por ato edhe e paralajmërojnë, i regjistrojnë aktet e rëndësishme për të.
Do të vijë dita pra që edhe politikanët në Shqipëri të vdesin, ndërrojnë jetë. Është biologji në fund të fundit. Dhe do të jetë me interes të shihet përshkrimi i tyre nga të huajt që bashkëpunuan apo i njohën. Antikomunizmi deklarativ i klasës politike shqiptare që në fakt janë 4 persona, do të mund të viohet në peshore me aktivizmin anti-Juntë të theksuar për Simitis dhe këtu dyshimet janë të mëdha.
Hyrja e Shqipërisë në NATO u cilësua se e bëri të pakthyeshme pasigurinë e Shqipërisë, por ushtria jonë mbetet një paçavure për të cilën është më mirë të mos flasësh.
Kjo është një ngjarje që asociohet me Sali Berishën.
Zoti Rama ka vënë kanaçen e vet për të hyrë në histori: anëtarësimi në BE që sipas tij e bën Shqipërinë të sigurtë në atë që është sot. Shumë e mirë siç thotë ai.
Është e qartë se këta dy po kërkojnë të vjedhin diçka pozitive nga Historia, por diçka pozitive që të jetë edhe madhore. Kaq i madh është mjerimi ku jemi. Një politikan, e më tepër një shtetar nuk vlerësohet nga politika e jashtme kryesisht, por nga reformat dhe ndryshimi që sjell në vendin e vet. Në 34 vjet pluralizëm, Shqipëria e të gjithëve nuk arriti të hidhte dy bazat e abetares së kapitalizmit: Reformën e Tregut dhe Sigurinë Juridike sidomos për Pronën.
Ne urojmë që këta pleq të ligj që i kanë zënë frymën këtij vendi të kenë ymër më shumë se Plaku Merre, i cili meqë ra fjala ishte shumë i kthjellët në vizionin e tij për jetën dhe shoqërinë. Do llapin pa pushim se janë në historinë pozitive, zhvilluese, themelore, njësoj me Skënderbeun, me Ismail Qemalin e kështu me radhë. Koha ecën dhe ajo do t’ua gjejë vendin. Shqipëria është sot një vrimë e zezë morale dhe shoqërore ku të lumtur janë vetëm berihaja e këtyre bajraktarëve që psalmojnë papushim librin e vetes.
Le të sjellim në mend edhe njëherë një deklaratë të Ramiz Alisë dikur, jo për moralin e tij politik dhe raportin me të vërtetën ku ishte protagonist dhe dëshmitar. Por për vetëdijen historike si kondensim i një përvoje të gjatë politike. I pyetur mbi vendin e tij në histori, apo më mirë vendimin më të rëndësishëm të marrë, ai cilësoi hapjen e universitetit të parë në Shqipëri.
Do maturi dhe mençuri, malinjitet strategjik po të duam, ta ankorosh veten në historinë e një sektori “periferik” kur ke qenë në timon të të gjitha punëve. Po ashtu Andreotti që nuk ka nevojë për prezantim, zgjodhi ligjin për pensionin, që prekte “miliona” siç tha ai. Kaq larg pritmërive tona për vendin që pretendojnë figura të tilla në histori, nga e cila mund të zgjidhnin spektaklin që dëshironin, pavarësisht sesa do ecte. Dhe spektakël dhuruan shumë më shumë sesa gagarelët që dinë vetëm të vjedhin.
s.zaimi
Add new comment