Kina reagon pas shitjes së armëve Tajvanit: ShBA ka cenuar sovranitetin tonë

Postuar në 28 Tetor, 2024 08:33

Kina do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” pasi SHBA i shiti Tajvanit një sasi armësh në vlerë 2 miliardë dollarë. Pekini nuk e ka pritur mirë këtë zhvillim të ri, duke paralajmëruar masa të reja që do të konfirmojnë sovranitetin e tij mbi ishullin e vetëqeverisur.

Paketa e miratuar nga DASH përfshin sisteme të avancuara raketore tokë-ajër dhe radar, si pjesë e përpjekjeve të tij për të kundërshtuar fuqinë ushtarake në rritje të Kinës në Azi-Paqësor.

Administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden e ka bërë kundërshtimin dominimit ushtarak dhe ekonomik në rritje të Kinës në rajon shtyllë kryesore të politikës së saj të jashtme.

Marrëveshja pret miratimin nga Kongresi.

Ministria e Mbrojtjes e Taipeit shprehu "mirënjohjen e saj të sinqertë" për marrëveshjen, duke thënë se ajo "do të ndihmonte ushtrinë të vazhdojë të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj të mbrojtjes dhe të ruajë së bashku paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit".

Ministria e Jashtme e Pekinit u përgjigj në një deklaratë, me të cilën theksohet se paketa e fundit e armëve “shkel seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës, dëmton seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin” në ngushticë.

Duke e dënuar një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme kineze shtoi se Pekini “do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial”.

Kina, e cila e ka quajtur sovranitetin në Tajvan një "vijë të kuqe" që nuk duhet kaluar, ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të vënë Tajvanin nën kontrollin e saj.

Pekini mban pothuajse çdo ditë  avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake rreth ishullit demokratik dhe zhvilloi lojëra luftarake në shkallë të gjerë në afërsi të tij këtë muaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.