Një përgjigje që më futi në mendime
Emrin e tij e pata dëgjuar për herë të parë në një mbrëmje fillim vjeshte të vitit 1989 në Tiranë dhe pikërisht në lajmet e orës 18.00 të "Zërit të Amerikës". Si tani kam në vesh zërin e Elez Biberaj, kur në 10-minutëshin e parë pas fillimit të emisionit transmetoheshin për publikun shqiptar ngjarjet që zhvilloheshin në shtetet e mbetura akoma komuniste të ish-Bllokut Lindor. Dhe thelbi i atyre kronikave mbi ato ngjarje ishte bërë pothuaj standard. Dhe besoj fort që lajmi që u dha në atë kohë duhet të kishte patur një tekst të tillë, sepse kudo në Lindje u luajt i njëjti skenar me të njëjtën regji: "Pas protestave në qytetet Dresden dhe Leizpig, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së bashkuar Socialiste (SED) dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit të Gjermanisë Lindore, Erich Honecker, dha dorëheqjen nga funksionet partiake dhe shtetërore për arsye shëndetësore dhe në vend të tij u emërua Egon Krenz“. Kaq.
Se si u zhvilluan më tej ngjarjet, kjo besoj se nuk kërkon shumë komente.
Ishte data 19 qershor e këtij viti kur kisha vendosur të kaloj lejen vjetore pranë brigjeve të detit Balltik për të përmbushur edhe disa dëshira të mia për të kryer vizita në disa vende dhe qendra kulturoro-historike në hapësirat veriore të Gjermanisë. Ishin hapësira të gjera pafund nga ku kishin kaluar ushtri suedeze, ku kultura prusiane kishte lënë kudo gjurmë, atje ku eksplorimi i hapësirës me shpikjet e raketave V1 dhe V2 kishte marrë tashmë rrugëtimin e tij pa kthim për të arritur deri në vitet e pasluftës së II Botërore ku nëndetëset sovjetike ishin tashmë relike muzeale të Luftës së Ftohtë. Ndërsa sot, pa më të voglën mëdyshje shihej qartë dora e investimeve të mëdha që kishin ndërmarrë qeveritë gjermano-perëndimore pas bashkimit të dy shteteve duke i bërë ato rajone tepër tërheqëse për turistë nga vende të ndryshme të Europës dhe botës, të cilët vinin jo vetëm për të shijuar brigjet e Detit Balltik, por edhe për të shuar kuriozitetin mbi zhvillimet historike dhe politike të rajoneve veriore të Republikës Federale Gjermane.
Dhe mua si gjurmues dhe hulumtues i fakteve dhe ngjarjeve historike, fati më dhuroi një takim rastësor, të paparashikuar me një personalitet dhe aktor politik, pjesëmarrës në shumë ngjarje historike të fundviteve '80, ato vite të vrullshme që sollën me vete një transformim rrënjësor të tërë strukturës politike në Europën Lindore. Dhe pikërisht me personazhin, që emrin ia kisha dëgjuar dikur tek "Zëri i Amerikës", Egon Krenz, udhëheqësi i fundit komunist që është akoma gjallë nga tërë udhëheqësit e tjerë të ish-Bllokut lindor.
Ky takim fare i papritur pranë shtëpisë së tij filloi nga ana ime me një vëzhgim duke qënë për një kohë në mëdyshje, nëse është apo nuk është ai person që mendoja. Mblodha veten dhe kur u sigurova që ishte ai e përshëndeta me shprehjen standard "Guten Tag Herr Krenz“, me synimin e vetëm të hyja në një bisedë qoftë edhe të shkurtër me të. Ishte një dëshirë që pushtoi tërë qenien time për të arritur atë që i kisha vënë vetes si qëllim në atë çast, për të krijuar kushtet e një bisede informative që të mund të tërhiqja ndonjë informacion të veçantë në lidhje me Shqipërine dhe udhëheqësin e saj Enver Hoxhën.
Pas një fillimi lakonik "nga vini dhe ku shkoni“ dhe skepticizmit per t'u hapur me çdo njeri, gjë që vihej re hapur tek ai, nxorra nga mënga "Ass-in“ duke i thënë që kam lindur në Shqipëri dhe i kam përjetuar lajmet dhe ngjarjet e atyre viteve në tërë bllokun lindor dhe konkretisht në Shqipërinë e Ramiz Alisë. Dhe "Ass-i“ i nxjerrë nga mënga dha papritur efektet e tij ku e ktheva lojën në favorin tim në të cilën u vu re qartë që nuk kisha qëllime provokative ose armiqësore kundrejt tij. Në këtë situatë, e cila nuk desha të më shpëtonte nga duart, truri im filloi të punonte ethshëm për të formuluar ndonjë pyetje të shkurtër dhe konçize që të nxirrja ndonjë të dhënë të panjohur deri më sot nga volumet e kujtimeve të atij njeriu. Dhe ashtu, shpejt e shpejt e formulova atë, përgjigja e së cilës do të më vinte akoma më shumë në mendime:
Zoti Krenz, si e gjykoni veprimin e Enver Hoxhës në rastin e ndërprerjes të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitet `60 kur udhëheqja juaj me në krye Erich Honecker kërkonte më shumë pavarësi në marrëdhëniet me botën dhe sidomos me Gjermaninë Perëndimore? Në kujtimet tuaja theksohej shpesh fakti që udhëheqja komuniste e BS ju nxirrte aq shumë pengesa për këtë qëllim.
Mos ishte veprimi i Enver Hoxhës disi radikal, por i drejtë në këtë drejtim për të patur pavarësi të plotë në politikën e tij të jashtme?
Ishte pyetja ime.
Dukej hapur që nuk e priste atë pyetje duke e bërë të mendohej për disa çaste dhe pas një fillimi që shpesh përdorin si taktikë këta njerëz për të fituar kohë në formulimin e përgjigjes, tha:
E kam parë Enver Hoxhën vetëm një herë, pa folur me të, në Moskë në mos gabohem. Ka qenë ndoshta vitet 1959-1960. Por ndërprejen e marëdhënieve midis BS dhe Shqipërisë nga ana e udhëheqjes shqiptare e kemi përjetuar me keqardhje
Dhe më tej vazhdoi: Hoxha gjeti një partner tjetër në atë kohë dhe ai partner ishte Kina me udhëheqjen e së cilës udhëheqja sovjetike kishte hyrë në një konflikt të thellë ideologjik.
Në fund e përmbylli bashkëbisedimin tonë me një shprehje që më vuri thjesht në mendim:
Fillimi i rrënimit të sistemit socialist filloi me konfliktin ideologjik sovjeto-kinez në vitet `60“!!!
Më mbeti në mendje ajo fjali e palexuar dhe e padëgjuar deri më sot në asnjë analizë historike apo politike të kohës dhe padyshim që ajo thënie, ka një bazë ku mbështetet, aq më shumë e thënë nga një personaliteti politik që ka marrë pjesë në shumë biseda dhe ngjarje politike të Europës dhe botës të cilat kanë lënë gjurmë në proceset historike të kohës së sotme.
Fill pas atij takimi më lindi një pyetja por në kahje të kundërt: Po sikur të mos ekzistonte ai konflikt ideologjik midis BS dhe Kinës, këtyre dy vendeve me sisteme komuniste me sipërfaqe dhe potenciale ekonomiko-njerëzore të mëdha ku do të shkonte bota?
A do të ekzisonte socializmi së bashku me Bllokun Lindor akoma dhe sot?
Sigurisht që mbetet një pyetje hipotetike, por le t'i kthehemi aktualitetit të kohëve tona sepse e shkuara tashmë nuk mund të kthehet më. Dhe duke iu kthyer aktualitetit përgjigjet e këtyre pyetjeve marrin ndoshta një domethënie disi të frikshme. Po sikur të rritet më tej bashkëpunimi midis Rusisë dhe Kinës sot në fushat politike, ekonomike dhe ushtarake duke patur parasysh ecurinë e zhvillimeve të sotme, çfarë drejtimi mund të marrë rendi politik botëror?
Kush mund ta parashikojë rezultatin apo fundin e kësaj politike të këtyre dy fuqive nëse synimet hegjemoniste të Putinit dhe Xi Jin Ping-ut do të përparojne akoma më tej?
Ishte një takim i shkurtër dhe mbresëlënës nga ku mora me vete një shprehje e cila përbante pak nostalgji por dhe një ekuacion me një të panjohur brënda, nëse i hyn një analize duke hequr një paralele me kohët e sotme. Dhe e tëra kjo, si pasojë e një pyetje mbi një vendim aventuresk të Enver Hoxhës në vitet `60, dhe nga një përgjigje e një ish-politikani të lartë komunist e dhënë në ditët e sotme e cila të bën t`a shikosh aktualitetin e sotëm politik si një labirint të vështirë për të gjetur rrugën drejt një perspektive të sigurtë për të ardhmen.
"Po sikur....?“
Ja kështu filloi leja ime vjetore, më datë 19 qershor 2024 me një bisedë "të rastësishme“ me ... ish-Sekretarin e Përgjithshem të Partisë së bashkuar Socialiste dhe kryetarin e Këshillit të Lartë të Shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane fundvitit 1989, Egon Krenz.
Add new comment