Superbaballarët e Azisë

Postuar në 25 Qershor, 2024 14:57

Një studim i vitit 2003 pati gjetur se ADN-ja e Genghis Khan ishte te 16 milionë njerëz, në atë kohë ende gjallë. Ky numër kaq i lartë pasardhësish gjenetikë të sundimtarit mongol është konsideruar për shumë kohë rekord.

Por ai nuk është i vetmi njeri, aktivitetet riprodhuese të të cilit ende tregojnë një ndikim të rëndësishëm gjenetik shekuj më vonë. Një studim i vitit 2015 i botuar në Gazetën Evropiane të Gjenetikës Njerëzore zbuloi se edhe meshkuj të tjerë përgjatë historisë kanë pasur të tillë impakt gjenetik.

Kromozomi Y është një pjesë e gjenomit njerëzor që transmetohet vetëm nga babai te djali. Një studim në “Nature” i vitit 2015, mori në shqyrtim 5000 burra nga 127 popullata që përfshinin Azinë. Duke hequr mënjanë ADN-në që lidhej me Genghis Khan-in, rezultuan të paktën 10 burra të tjerë me një numër shumë të lartë pasardhësish.

Genghis Khan sundoi një territor që shtrihej nga brigjet e Paqësorit të Kinës deri në Detin Kaspik. Historianët nuk e dinë saktësisht se sa fëmijë pati Genghis Khan, por shumë pajtohen se pasardhësit që la pas ishin jashtëzakonisht shumë. Në vitin 1260, historiani pers ‘Ata-Malik Juvaini, shkruante se mund të numëroheshin rreth 20 mijë të tillë.

Sundimtarët mongolë si Genghis Khan mund t'i kenë përhapur në masë gjenet e tyre, për shkak të përdhunimeve gjatë pushtimeve dhe për shkak se kishin akses te shumë gra në zonat që ata sundonin, thotë gjenetisti i Universitetit të Oksfordit, Chris Tyler-Smith, Nicholas Wade.

Djemtë e Genghis Khan mund të kenë ndjekur gjurmët e babait të tyre dhe të kenë pasur hareme të mëdha. Tushi, djali më i madh i perandorit, është raportuar se kishte 40 djem.

Pra, kush ishin baballarët e tjerë superfertilë? Një sekuencë gjenetike i atribuohet Giocangga, gjyshit të themeluesit të dinastisë Qing. Një studim i vitit 2005 e lidh kromozomin e tij Y me 1.5 milionë burra në Kinën veriore moderne. Ky numër i madh mund të shpjegohet me faktin se pasardhësit e tij kishin shumë gra dhe konkubina.

Nëntë burrat e tjerë mbeten ende mister. Shkencëtarët sugjerojnë se ata e kanë origjinën në të gjithë Azinë midis vitit 2100 para Krishtit dhe 700 pas Krishtit.

Trashëgimitë e mëdha gjenetike nuk janë të kufizuara vetëm në Azi. Sipas një studimi të vitit 2006 në Gazetën Amerikane të Gjenetikës Njerëzore, 1 në 12 irlandezë në mbarë botën mund ta gjurmojnë trashëgiminë e tyre tek një individ i vetëm. Ai mund të jetë një kryekomandant irlandez i shekullit të pestë i quajtur Niall of the Nine Hostages, i cili mund të ketë deri në tre milionë pasardhës të drejtpërdrejtë meshkuj në kohët moderne.

Studimet gjenetike të botuara në vitet e fundit kanë vazhduar të zbulojnë më shumë informacion rreth trashëgimisë së popujve në mbarë botën. Nga zbulimi i historisë gjenetike të epokës së Vikingëve deri te konfirmimi i origjinës së popullit suahili dhe identifikimi i gjeneve të neandertalit në popullatat moderne, teknikat që analizojnë ADN-në e lashtë kanë hapur një dritare tjetër për të kuptuar se si gjenet janë shpërndarë në të kaluarën.

Për sa i përket nëntë burrave që qëndrojnë në rrënjët e superpemëve gjenealogjike, nevojiten më shumë kërkime për të dalluar identitetet e tyre. Por një gjë është e sigurt: Genghis Khan nuk ka qenë pesha e vetme e rëndë në bllokun gjenetik.

/ Smithsonian Magazine

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.