Ish-shefi i inteligjencës, në krye të qeverisë holandeze
Pasi fitoi zgjedhjet, e djathta në Holandë pritet t’ia japë drejtimin e qeverisë ish-shefit të inteligjencës. Dick Schoof pritet të bëhet kryeministri i vendit dhe do të drejtojë një koalicion të dominuar nga Partia e Lirisë (PVV) e Geert Wilders, e cila fitoi zgjedhjet në nëntor të vitit të kaluar.
Wilders-it i është bashkuar në koalicion partia liberale e qendrës së djathtë të kryeministrit Mark Rutte, VVD, Kontrata e Re Sociale (NSC) centriste dhe Lëvizja Fermer-Qytetar (BBB).
Palët kanë rënë dakord të përpiqen të frenojnë më tej migracionin, të zhbëjnë një ligj që do të shpërndajë migrantët në të gjithë vendin në mënyrë të barabartë dhe të përpiqet të bindë vendet e tjera të BE-së që ta përjashtojnë Holandën nga rregullat e bllokut për migracionin.
Schoof, i cili aktualisht është nëpunësi më i lartë civil në Ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë, ka dekada përvojë në politikë. Ai ka drejtuar Shërbimin e Përgjithshëm të Inteligjencës dhe Sigurisë (AIVD) të vendit të tij dhe më parë ka qenë shef i terrorizmit kombëtar. Ai ka drejtuar autoritetin kombëtar për vendimet dhe shërbimet për migracionin midis 1999 dhe 2003, çka mendohet se e ka bërë të preferuarin e të djathtës radikale, antiislamike.
Kandidati i mëparshëm për kryeministër, Ronald Plasterk, u detyrua të hiqte dorë nga ambicia për drejtimin e qeverisë, pasi ndaj tij nisi një hetim për një çështje që lidhet me patentat.
Shumica e re ka kohë deri në fund të qershorit për të zgjedhur kryeministrin, një hap që pasohet me konfirmimin e qeverisë së re nga mbreti.
Hapi final është votimi në Parlament, ku katër partitë e koalicionit kanë shumicë të qartë.
Add new comment