Historia: nga formë studimi, në mall!
Rrjetet sociale, për shqiptarët “Facebook”-u para së gjithash, janë bërë medium i pashmangshëm, jo vetëm për informimin e publikut të gjerë, por edhe për edukim dhe krijim të opinionit publik. Ndër temat e preferuara kohëve të fundit është edhe tema e lashtësisë dhe origjinës së gjuhës shqipe.
Ndërsa shumica pajtohen se është gjuhë e vjetër, disa të tjerë pohojnë se është gjuha më e vjetër dhe këtu lind polemika deri në “konflikt intelektual”, sepse nuk ka kurrfarë dëshmie shkencërisht të pranueshme se është më e vjetra. Të parët, duke u thirrur në citate dhe autorë të përzgjedhur sipas qëllimit të fundit, kurse të dytët duke marrë parasysh edhe autorë të tjerë dhe mungesën e provave; njëkohësisht duke i akuzuar të parët se zgjedhja (e argumenteve, citateve dhe autorëve) nuk është zgjidhje! Nuk mungojnë as ata që e kontestojnë edhe vjetërsinë, duke vënë në pikëpyetje edhe gjuhën me të cilën ka folur vetë kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu; sikur nuk i kanë para syve arbëreshët, si dëshmi e gjallë sesi kanë folur bashkëkohësit e tij që u tërhoqën përtej Adriatikut pas vdekjes së Zotit të tyre, ku edhe konservuan gjuhën e Skënderbeut deri në ditët e sotme.
Dhe ky konflikt do të zgjasë deri në pafundësi, nëse në të do të marrin pjesë edhe profesionistët edhe “folkloristët”; nga ata dashamirës, deri te ata shpirtrat e shitur për interesa të ndryshme, nëse ndërkohë nuk del në pah ndonjë zbulim i ri, i cili do t’ua mbyllë gojën të gjithëve. Në mungesë të këtij zbulimi, duhet kursyer energjia, kurse polemikat duhen mbajtur brenda qarqeve profesionale dhe shkencore, pa ndërhyrjet e atyre që “historinë, nga formë studimi e njohjeje, sot e kanë kthyer në mall” (Malsor Korbi, arkitekt, pedagog në Shkollën Politeknike Federale të Lozanës)
Në vend të temave të lashta që nuk kanë përgjigje përfundimtare në mungesë të provave të pakontestueshme, por bazohen në hipoteza të ndryshme, dhe që nuk kanë kurrfarë ndikimi në situatën aktuale shoqërore politike të kombit shqiptar, do ishte më mirë që publiku i gjerë të informohet, edukohet dhe sensibilizohet me historinë e më pak se dy shekujve të fundit, të përqendruar para së gjithash në raportet e shqiptarëve me fqinjët e tyre. Në mungesë të këtyre diturive për publikun e gjerë, sidomos andej Drinit, Armando Dukës – kryetarit të Federatës së Futbollit Shqiptar – as nuk do të guxonte t’i shkonte mendja të bashkëorganizonte një kampionat futbolli me Serbinë, as Edi Ramës – kryeministrit të Shqipërisë - t’i bashkëngjitej iniciativës së Ballkanit të Hapur, përkundër interesave personale që kanë të dy, sepse reagimi i popullit do të ishte shkatërrues, pikërisht për interesat e tyre. Për arsye të njëjta, as këndej Drinit, Luan Shllakut dhe Shkëlzen Gashit, nuk do t’u shkonte mendja të përkthenin nga serbishtja librin me titull “Serbia tjetër”, sepse Serbia tjetër nuk ka ekzistuar asnjëherë, por ajo që njohim prej krijimit të saj, nga gjenocidi i ushtruar mbi shqiptarët në Serbinë e sotme jugore nga gjysma e dytë e shekullit XIX, deri te gjenocidi i ushtruar në Kosovë në vitet ‘90 të shekullit XX.
Comments
Ky debati mes profesionisteve
Ky debati mes profesionisteve dhe amatoreve, shkencetareve dhe sharlataneve, studiuesve te mirefillte qe ndjekin metoda te certifikuara(!) boterisht dhe alternativeve qe vene ne dyshim keto metoda etj etj, me jep te njejten ndjesi ( e kam permendur edhe me pare) qe kam provuar nga nje episod tek Don Kishoti. Nje i marre, pasi ua kishte mbushur mendjen autoriteteve se nuk ishte i tille, dhe po dilte nga cmendina, perballet me kundershtimin e nje te marri tjeter, i cili u ankohet autoriteteve se po bejne gabim te madh, dhe se duhet te mbyllin te cmendurin ne cmendine, perndryshe ai , si Jupiteri qe ishte do te dergonte zjarr nga qielli qe ti digjte te gjithe! I marri yne, i frikesuar se mos autoritetet ndryshonin mendje nga ky kercenim, u thote atyre qe te mos e besonin te cmendurin (ate tjetrin) sepse, nese ai eshte Jupiteri qe sjell zjarrin, une jam Neptuni qe sjell shiun!
Tani, nje debat i tille , kam pershtypjen se ndodh vetem tek ne. Nuk kam pare, ne ndonje vend normal (perendimor), qe te organizohen peticione, bie fjala, kunder sharlataneve ( po i quajne edhe turbofolke ketu tek ne). Ka, ne keto vendet normale, pafund , le t'i quajme "alternative", por nuk kam pare e degjuar qe komunitetet shkencore te ketyre vendeve, te ankohen zyrtarisht ne institucione, se keta po e rrenojne shkencen!
Ky debat eshte cmenduri me vete; eshte cmenduria e rradhes e ketij mileti cudirash; eshte hall mbi hall.
Nje keshille, aspak modeste, per gjithe keta studiuesit serioze, qe bertasin me te madhe per rrezikun e alternativeve te turbofolkut: more njerez, bejeni punen per te cilen ky shtet ju ka shkolluar qe ta beni, dhe po ju paguan qe ta beni; kaq eshte detyra juaj; po e bete mire, nuk ka asnje rrezik, ngado qe te vije ai dhe aq me pak nga amatoret, qe te rrezikoje arsyen.
Add new comment