"Mos bëni biznes me Izraelin"

Postuar në 09 Maj, 2024 13:35

Kompanitë spanjolle që bëjnë biznes me Izraelin duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që marrëdhëniet e tyre tregtare me shtetin "të mos kontribuojnë në gjenocidin në Palestinë", paralajmëroi ministri i të Drejtave Sociale, Pablo Bustinduy.

Ministri u ka dërguar disa letra kompanive spanjolle që operojnë në Izrael duke u kërkuar atyre që ta informojnë atë për masat që kanë marrë për të ndihmuar në parandalimin e një përkeqësimi të "gjenocidit në Palestinë", raporton Euractiv.

Më shumë se 36 000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gaza pas sulmeve të Hamasit në tetor 2023, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Bustinduy – ish-anëtar i partisë së ekstremit të majtë Podemos tashmë pothuajse e shpërbërë – u ka kërkuar kompanive të raportojnë mbi masat që kanë marrë për të kufizuar rreziqet e abuzimeve të mundshme të të drejtave të njeriut që mund të sjellin aktivitetet e tyre dhe marrëdhëniet e biznesit në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Gazën.

Letra është pritur me habi në qarqet zyrtare në Madrid dhe zemërim në Tel Aviv, gjë që mund të tensionojë marrëdhëniet midis dy palëve.

Ambasada izraelite në Madrid e akuzoi ministrin – dhe anëtarë të tjerë të Sumarit dhe të majtës radikale spanjolle – për “akuza të rreme” kundër Izraelit.

Demonizimi dhe delegjitimimi i Izraelit, duke iu drejtuar akuzave të pabaza, i jep krahë Hamasit dhe atyre që kërkojnë zhdukjen e shtetit të Izraelit, janë një nxitje e qartë e urrejtjes dhe inkurajim për antisemitizëm”, thuhet në një deklaratë.

Burimet diplomatike izraelite i referohen – pa përmendur asnjë emër – “disa ministra, intelektualë dhe media spanjolle” që thuhet se janë armiq të Izraelit.

Qëllimi përfundimtar i letrës, sipas burimeve të ministrisë sociale, është që qytetarët spanjollë të dinë se çfarë masash po merren në terren nga kompanitë në Spanjë që tregtojnë me Izraelin, në mënyrë që të mos marrin pjesë – drejtpërdrejt ose tërthorazi – në “shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që pësoi populli palestinez”.

Bustinduy kujton në letër se më 26 janar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICC) në Hagë urdhëroi Izraelin të merrte masa të menjëhershme dhe efektive për të parandaluar "gjenocidin" në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, burime në Ministrinë e Jashtme spanjolle thanë që nuk dinë asgjë për letrën.

“Kjo është hera e parë që kemi dëgjuar për këtë letër. Ne nuk e kuptojmë se çfarë do të thotë (ministri Bustinduy) (kur flet për) 'Qeveri'. Nuk dimë asgjë për këtë letër”, theksuan burimet.

Zëvendëskryeministrja spanjolle dhe ministrja e Punës, Yolanda Díaz, udhëheqëse e Sumar, në disa raste, e ka përshkruar publikisht ofensivën e Izraelit si "gjenocid", siç e ka bërë zëdhënësi i platformës progresive dhe ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun.

Fundjavën e kaluar, Díaz i kërkoi Sanchezit që Spanja të njohë shtetësinë palestineze sa më shpejt të jetë e mundur, një premtim që kryeministri spanjoll e ka bërë prej muajsh, i cili, sipas disa burimeve diplomatike, mund të realizohet brenda pak javësh, ndoshta para verës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.