Aldo Moron e lanë të vritej amerikanët. Cossiga diktohej nga këshilltarë nga SHBA

Postuar në 04 Mars, 2024 22:55

 

Rrëmbimi dhe vrasja e Aldo Moro-s, është ndoshta ngjarja më e mistifikuar e Italisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Me kalimin e viteve, ajo që ngjizi në media dhe opinionin publik, po gjen konfirmim edhe nga zëra zyrtarë: Moro-n e lanë të vritej të gjithë. Edhe kolegët, edhe SHBA, edhe sovjetikët. Arsyet ishin politike: asnjë devijim nga kursi i Italisë së kohës, asnjë nevojë për qeveri të bashkimit dhe me gjasë, nevoja për të likujduar apo lënë të likujdohej dikë që mund të shndërrohej në mit nëse do të shpëtohej. Në një intervistë për “La Repubblica”, ish-gjenerali i shërbimeve sekrete italiane, Roberto Jucci, një person me kontakte të nivelit të lartë edhe në skenën ndërkombëtare, ndan bindjen se Moron e lanë të vdiste. Me interes këtu është informacioni se ish-ministri i Brendshëm, Françesco Cossiga, vepronte me duar të lidhura, e ndoshta nën këshillimin presues të amerikanëve. Apo një personi me mandat të amerikanëve.

Jucci shton se çështjen “Moro” nuk e ka diskutuar me Andreott-in, me të cilin thotë se ka mbajtur një raport të shkëlqyer, por që megjithatë “të sikletoste". Edhe Cossiga-n madje.

Çfarë detyre mbanit në kohën e rrëmbimit të Moros?

Isha vetëm një gjeneral, për më thirrën për shkak të përvojës sime ndërkombëtare për zgjidhjen e një çështjeje delikate, si p.sh në Libi të nesërmen e grushtit të shtetit të Ghedaffi-t apo në hapjen e një kanali të rezervuar tratativash mes SHBA-ve dhe Kinë në vitet ’70. Në vitin 1978 isha shefi i repartit të Dytë të Shtatmadhorisë të Ushtrisë që merrej me sigurinë, njohur më shpesh si Sios.

Çfarë misioni ju besoi ministri i Brendshëm, Cossiga?

Më kërko të krijoja një repart të ushtrisë që të mund të ndërhynte për të liruar Moro-n në momentin kur u identifikua burgu i tij. Duhet të vepronin me një saktësi milimetrike për të mos rrezikuar jetën e pengut. Më dha një javë kohë. Unë mora inkursorët e legjendarit “Col Moschin”, sigurova armë të sofistikuara në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani dhe i stërvita pa ndalim në një bazë sekrete në brendësi të pronës presidenciale në San Rossore. Cossiga më pyeste vazhdimisht nëse ishin gati. I kam thënë: “Ministër, ejani të shihni vetë”. Gjatë udhëtimit të inspektimit, pa paralajmërim, inkursorët i ngritën një kurth kolonës së tij dhe çmobilizuan eskortën: Cossogës po i binte infarkt.

Cossiga kishte besim të madh tek Ju: nuk ju thirri t’ju bënte pjesë të Komitetit që drejtonte hetimet mbi Moro-n?

Jo. Dhe nuk më ka folur kurrë rreth asaj që diskutonin. Cossiga-s i thanë të krijoja këtë repart, por nuk e di nëse e bënë për të më hequr nga Roma. Sepse në këtë mënyrë, unë I kaloja praktisht të gjitha ditët e rrëmbimit në Toscana në San Rossore për të përgatitur këtë skuadër që nuk hyri kurrë në veprim. Shkoja në Romë për të raportuar te Cossiga, takohesha me Ugo Pecchioli-n që ishte përfaqësues i Partisë Komuniste dhe prisnim që të dilte nga takimi i Komitetit. Nga unë kërkonte informacione mbi përgatitjen e inkursorëve; nga Pecchioli bënte përmbledhjen e situatës. Më hoqën mënjanë. Dhe nuk e di nëse kjo u bë qëllimisht. Pasi në atë kohë pjesa më e madhe e drejtimit të institucioneve ushtarake ishin pjesë e P2. Dhe mbi këtë llozhë unë edhe sot kam shumë mendime në kokë: pasi P2 ishte shprehje e një grupi të pushtetit të një vendi të huaj, sigurisht vend mik, por që kishte interesa të tjera.

E keni fjalën për SHBA?

Për qendra amerikane pushteti që vepronin edhe përmes elementëve të P2.

Po hamendësoni se dikush i ka sugjeruar Cossiga-s t’ju largojë?

Nuk kam siguri për këtë, por po nënvizoj se në krye të shtabeve kishte elementë të ndryshëm të P2. Kemi një listë të P2, atë që kanë sekuestruar gjykatësit Turone dhe Colombo në kontrollin e bërë ndaj Gellit, por jam i bindur që ajo listë nuk është e plotë. Emra të tjera u mbajtën sekretë, ndoshta sepse duhet të mbulonin ata që përfshiheshin në listën nëse do të zbulohej organizata masonike. Në listë ishin persona shumë miq me të tjerë që nuk shfaqeshin aty. Kjo gjë nuk më ka bindur asnjëherë. Mjaftontë të ekzaminoheshin karrierat që u sponsorizuan për të krijuar një ide. P2 ishte një shtet brenda shtetit.

E keni njohur Licio Gelli-n?

Kurrë.

Cilët P2-stë njihnit?

Shumë gjeneralë dhe prefektë ishin në P2. Kujtoj Federico Umberto D’Amato: një ngjalë që mbretëronte edhe kur ishte zv.komisar i policisë në Zyrën e Çështjeve të Rezervuara në Ministrinë e Brendshme. Kur mora drejtimin e karabinierëve më 1986-n shkova në Arezzo dhe pyeta për Gelli-n komandantin e Armës në provincë. Ai më tha: “Këtu, shumë prej përgjegjësve të institucioneve ishin me miratimin e Gelli-t. Detyra ime më impenjative ishte që të organizoja pritjen e gjeneralëve nga Gelli”. Mbeta pa fjalë. Duke qenë se duhet ta zëvendësoja si pjesë e një rotacioni normal, ia kalova detyën e tij përgjegjësit të sigurisë së Komandës së Përgjithshme: ishte një zyrtar që aspironte për karrige më të rëndësishme dhe nuk e kuptonte pse e kisha çuar aty. Vite më pas i shpjegova se e kisha zgjedhur pasi ishte i familjarizuar me sigurinë e Komandës së Përgjithshme dhe ndaj i konsideruar si përmbi çdo dyshim.

Ju kanë kërkuar ndonjëherë të hyni në P2?

Jo, kurrë. Ai që unë e mendoja përherë si rekrutuesin e tyre, ndërronte rrugë kur më shihte. Më njihte mirë. Për të hyrë në P2 duheshin persona të disponueshëm dhe unë besoj se nuk kam qenë kurrë i tillë…Unë kam patur përherë vetëm një shef: atë të institucioneve. Kur kuptova se Giovanni Spadolini, që u bë ministër i Mbrojtjes, dyshonte se unë duke qenë mik i Andreotti-t dhe Cossiga-s, mund të mos isha i ndershëm me të, i thashë: “Unë kam vetëm një padron, ministrin me të cilin punoj”.

Me Aldo Moro-n çfarë raporti keni patur?

Unë për Moro-n kam patur një afeksion si djali për babain. Kujtoj ende kur e shoqërova në takimin me Ghedaffi-n për të diskutuar për kushtet e italianëve në Libi dhe probleme të tjera: kryesori, importi me çmim të posaçëm i naftës libiane që ishtebe shtrenjtë, pasi Kanali i Suezit ishte i bllokuar. Në njoftimin për shtyp që shkruajta pas takimit, pasi m’u dhanë direktivat, ai ndryshoi vetëm një fjalë dhe kërkoi leje. Çfarë njeriu, nuk kam njohur të tjerë si ai”.

Ju keni qenë kontakti i parë italian i Ghedaffi-t…

Të nesërmen e grushtit përmes të cilit mori pushtetin, shefi i shërbimit sekret, Sid, admirali Henke, më dërgoi te Ghedaffi. Henke kishte një vlerësim të veçantë për punën që kishim bërë së bashku. Nuk njihja asnjë në Libi. Në pak kohë ia dola të kisha një bisedë me Ghedaffi-n dhe pas disa muajsh mora mundësinë e një takimi mes tij dhe Moro-s që shenjoi historinë e Italisë së asaj periudhe. Merreni me mend: kërcënova Ghedaffi-n se do të zbarkonim në Libi. Një bllof: nëse do të kishte bërë “visto” do të isha gjendur në një situatë të vështirë. E besoi dhe pati besim tek unë, shpesh më kërkonte këshillë: ndoshta - shpëtova jetën apo pushtetin me operacionin “Hilton” që parandaloi një tjetër grusht shteti. Nga viti 1972 e më pas, nuk pata më këtë raport me Ghedaffi-n, pasi qeveria më zëvendësoi. E kam riparë katër herë të tjera me rastin e misioneve të veçanta në emër të qeverisë: i fundit më 1989 për të diskutuar lirimin e peshkatarëve të Mazara del Vallo. Nuk e takova më: as atë, as bashkëpunëtorët e tij.

Nuk ju shkoi në mendje të drejtoheshit te Ghedaffi për lirimin e Moro-s?

Askush nuk më kërkoi të vperoja në këtë drejtim. Unë kam patur kontakte me Ghedaffi-n vetëm për misione që më janë besuar nga qeveria. Në rrëmbimin e Moro-s nuk isha një aktor, por vetëm një figurant.

Nëse do të ishit një aktor, çfarë do të bënit?

Sigurisht, do të ndiqja ata që sillin letrat e Moro-s sekretarit të tij, Freato dhe të tjerëve. Do të kisha kërkuar mbështetje në vendet arabe që mund të gjenin një kanal të dobishëm për lirimin e tij. Do të tentoja të pamundurën për ta shpëtuar. Ndoshta nuk do ia dilja, por do të kishta provuar gjithçka.

Pse nuk u urdhërua ndjekja e tyre?

Nuk pati koordinim. Dhe për fat të keq iu besua atij grupi që këshillonte Cossiga-n për të drejtuar operacionet. Cossiga këshillohej nga një person i dërguar nga SHBA dhe nga Komisioni i përbërë në pjesën më të madhe nga P2-stë. Të gjithë sipas meje, persona që donin që gjërat të shkonin ndryshe nga ajo që donin personat e ndershëm. Moro duhej shkatërruar politikisht dhe fizikisht: nëse Moro mbijetonte, politika italiane do të kishte një zhvillim të ndryshëm nga ai që pati. Besoj se Moro mund të lirohej nëse të gjitha institucionet do të kishin vepruar në këtë drejtim. Por hapja e një qeverie, mbështetur nga Moro, në përbërje të së cilës do të ishin komunistë dhe demokristianë, kundërshtohej nga SHBA dhe për motive të tjera, edhe nga Bashkimi Sovjetik.

Ia keni thënë Cossiga-s?

Cossiga sigurisht që veproi në mirëbesim kur më caktoi detyrën e përgatitjes së inkursorëve sepse ai donte shumë që me lirimin e Moro-s të mos goditej. Ai nuk e dinte që ky repart nuk do të hynte kurrë në veprim. Por donte lirimin, dontë të shpëtonte me patjetër Moro-n: për këtë nuk kam dyshime.

Por ju vazhduat të mbeteshit miq, e keni diskutuar…

Pas vdekjes së Moro-s, Cossiga dha dorëheqjen dhe u zhduk. Pas disa ditëve mora vesh se ku gjendej: ishte mbyllur në një apartament në afërsi të shëshit San Silvestro, ushqimin ia çonte një nënoficer i Marinës. E takova disa herë. Më shihte pa folur për disa minuta. Pastaj më thoshte: “Ndoshta mund të bëja më shumë”. I mbeti fiksim dhe besoj se i shenjoi jetën.

Me Andreotti-n e keni biseduar ndonjëherë?

Jo, kam mbajtur një raport të shkëlqyer me të. Ishte një person shumë inteligjent që të ndrydhte. Sekretarja më telefononte në mbrëmje për një takim në shtatë të mëngjesit pasues dhe më kërkonte të sintetizoja një argument në 10 minuta. Unë punoja me orë gjatë natës për ta bërë gati: pas dhjetë vjetësh Andreotti do të nxirrte një letër dhe kujtonte ende gjithçka nga ajo bisedë, të cilën unë ndoshta e kisha harruar. Vetë Cossiga ndoshta druhej prej tij…

I kthehemi atyre “qendrave amerikane të pushtetit që veproin përmes elementëve të P2”. Ju vlerësoheshit shumë nga shërbimet amerikane: u kishit dorëzuar madje burimin më të rëndësishëm mbi shërbimet sekrete të Paktit të Varshavës…

Nuk ishte meritë e imja: në vitin 1968 ai gjenerali i shërbimeve çekosllovake u shfaq në Trieste. Unë thjesht kuptova sesa vlente. Kam patur respekt për amerikanët dhe ata më kanë respektuar përherë. Në atë rrethanë është e qartë se nuk ndaj mendimin dhe qëndrimin e tyre.

Dy vjet më pas ju kërkuan ndihmë për të liruar pengjet amerikane në Teheran dhe ju morët informacione të çmuara. Por mbi Moro-n nuk ju konsultuan asnjëherë?

E përsëris: kam krijuar bindjen se mbi Moron nuk kishim të njëjtin vizion.

Më 1978 Moro nuk u gjet, ndërkohë që katër vjet më vonë u gjurmua burgu ku mbahej gjenerali amerikan James Dozier dhe e liruan e një blic.

Njërin donin ta lironin, për tjetrin kam dyshimet e mia. Por shtoj edhe më: Moro-n nuk donin ta gjenin asa ata dhe as KGB. Në atë moment, edhe shërbimet sovjetike ndiqnin të njëjtat strategji.

Përkthimi shqip: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.