Më shumë sesa dekolonizimi i së shkuarës na duhet dekolonizimi i së ardhmes
Një nga historianët më të njohur të Europës, David Van Reybrouck, thotë se më shumë sesa te kolonizimi në të shkuarën, Perëndimi duhet të adresojë kolonizimin e së tashmes.
Sipas tij, qytetet në hemisferën veriore që frenojnë emetimet e karbonit po bëjnë më shumë për të trajtuar padrejtësitë koloniale sesa ata që i përqendrojnë përpjekjet në rrëzimin e statujave dhe ndryshimin e emrave të rrugëve.
Van Reybrouck është autor i një libri historik mbi Republikën Demokratike të Kongos dhe një tjetri mbi pavarësinë e Indonezisë nga sundimi holandez.
Me librat e tij, ai është bërë një nga nxitësit kryesorë të një debati të sapolindur dhe shpesh plot polemika rreth trashëgimive koloniale të Evropës. Puna e Van Reybrouck është vlerësuar publikisht nga kancelari gjerman, Olaf Scholz; presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ish-sekretari i përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan.
Në një intervistë me “The Guardian”, Van Reybrouck bën thirrje për më shumë ndërgjegjësim për "kolonizimin e së tashmes dhe të së ardhmes".
"Kolonializmi është më shumë sesa kolonializmi historik," thotë Van Reybrouck. “Ndryshimi klimatik aktualisht është thellësisht kolonial: ai është shkaktuar kryesisht nga disa zona të hemisferës veriore dhe është ndier më thellë në tropikë dhe Arktik. Nuk mund të dekolonizosh pa dekarbonizim dhe anasjelltas”.
Dominimi i politikave të identitetit në shoqëritë amerikane, britanike dhe holandeze, thotë ai, nënkupton se një debat jetik rreth strukturave të qëndrueshme koloniale rrezikon të kalojë në debate kryesisht margjinale rreth gjesteve simbolike dhe jo zgjidhjeve radikale.
“Një kryebashkiak që e defosilizon qytetin e tij deri në vitin 2040, ka bërë më shumë kundër kolonializmit, racizmit dhe diskriminimit sesa një kryebashkiak tjetër që dekolonizon të gjithë emrat e rrugëve, statujat dhe librat shkollorë duke e mbajtur qytetin të varur nga lëndët djegëse,” thotë Van Reybrouck.
Sipas tij, ish-fuqitë koloniale duhet të kontribuojnë së bashku në fondet për të luftuar ndikimin e krizës klimatike në jugun e globit, në vend që të angazhohen thjesht në negociatat shtet-shtet për reparacionet.
Add new comment