Planeti Tokë ka një problem: Në Beograd janë të mërzitur!

Postuar në 04 Shkurt, 2024 15:47

Situata e fundit në Kosovë, me thirrjet e një pjese të madhe të komunitetit Perëndimor që Prishtina të heqë dorë nga masat e veta për të ndaluar dinarin, apo edhe për të shpërbërë strukturat paralele të Serbisë, konfirmon një problem me rëndësi strategjike për të ardhmen e mbarë Europës. Perëndimi nuk po di dhe nuk po do më të sillet si pol real pushteti dhe shtuar kësaj, nuk konsideron dot marrëdhënie partneriteti veçse me ata që kanë forcën për ta afirmuar një gjë të tillë.

Nga Ukraina, në Azerbajxhan e Izrale, Perëndimi thjesht po dëshmon një sjellje të kujdesshme që herë pas here po çon në krisje të marrëdhënieve dhe besimit të atyre të cilët ai i quan aleatë të vet. Apo edhe partnerë. P.sh në Gaza, mbështetja e madhe që i jepet Netanyahut, po zmbrapset me sanksionet ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, ndërkohë që strategjia e Izraelit është një dhe vetëm një: të mbarojë punë me çështjen palestineze. Perëndimi e di shumë mirë që propozimi faktik i Jeruzalemit është ai që do të mbyllte njëherë e mirë problemin, është i njëjti me zgjidhjet e dikurshme që vetë Perëndimi aplikonte, por ja që stepja e madhe po bën që politika e jashtme e fuqive kryesore të mos jetë e artikuluar qartë.

E njëjta gjë edhe ndaj Ukrainës: jo japim armë, jo nuk japim armë. Jo kemi para, jo nuk kemi para, ndërkohë që është vetë Perëndimi që e quan Putinin një Hitler. Si mund të qëndrosh duarkryq përballë një Hitleri?

Në Kosovë dhe në Bosnje, Perëndimi siguron shumëçka, por nuk po di më të japë një zgjidhje përfundimtare për shkak të dobësive të veta. Është shumë e çuditshme sesi një entitet si Republika Srpska të jetë gjenerator destabilizimi në mbarë rajonin edhe 30 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit. Është po kështu e çuditshme të shohësh sot tolerimin e vazhdueshëm të Beogradit, i cili nuk po ndan asgjë në drejtimin e vet strategjik dhe vijon të sillet si “kolonelë të puçit” duke shpallur se viktimizohet në çdo gjë.

Oferta e sotme e Perëndimit është shumë e pakuptueshme: tolerim rivalëve dhe poshtërim atyre që i quan partnerë. Është poshtërim t’I kërkosh Kosovës që zgjedhjet t’i organizojë, por të mos zbatojë rezultatin e tyre, të pranojë cdo akt dhune si element tensioni etnik, të mos kërkojë vrasës dhe as të vendosë për monedhën e vet. Pse? Sepse ka zemërim në Beograd.

Është poshtëruese të kujtosh Rezolutën 1244 pas kaq vitesh dhe pas faktit se Gjykata Ndërkombëtare e ka argumentuar si të ligjshme pavarësinë e Kosovës dhe është poshtëruese edhe nëse e gjitha kjo na u bëka në emër të një strategjie më të gjerë. Ka mjaft partizanë edhe në Shqipëri kjo lloj qasje, duke injoruar këtu faktin se dyzimi i Perëndimit, po vret në parim stabilitetin rajonal, pavarësinë e një shteti si Kosova, që duhet ta mbronte vendosmërisht. Interesat serbe nuk mund të akomodohen me asnjë mekanizëm, sepse këtu kemi të bëjmë me probleme të rënda dhe komplekse historike.

Për ta kuptuar më mirë gjuhën me të cilën merr vesh Perëndimi, duhet të hedhim sytë nga Turqia e Erdoganit. Që tregton çdo gjë, nga Kina, në Rusi, në SHBA e Europë. Sepse si një vend që e kupton mjaft mirë historinë dhe aktualitetin e di shumë mirë se fjalët e bukura janë për një xhami. Jo në qeverisje. Kështu këmbeu Erdogan votën për Suedinë dhe Finlandën me avionë të ndryshëm, sikundër ka marrë lëshime të mëdha në çdo aksion të vetin në Lindjen e Afërme dhe të Mesme.

Sigurisht që Kosova dhe Bosnja nuk janë Turqia. Por as Serbia nuk është Turqia. Dhe nëse po flasim për shtete që janë pararojë e fuqive të mëdha- Kosova dhe Bosnja të SHBA dhe Serbia e Rusisë, atëherë nuk ka pse Kosovës t’i kërkohet çdo lëshim, ndërkohë që Moska nuk i kërkon asgjë Beogradit.

Është koha që të sqarohet njëherë e mirë nëse Perëndimi kërkon partnerë apo satelitë në Ballkan, jo sepse ka dikush iluzione për mënyrën si funksionon kjo botë, por hendeku mes retorikës dhe veprimit, po gërryen një aspekt formal të një marrëdhënieje që ndërtohet mbi një narrativë të lirisë dhe demokracisë. Nëse është kështu, duhet sjellë në përputhje me të. Nëse është ndryshe, atëherë të thuhet troç kjo gjë. Asgjë e mirë nuk po vjen edhe nga takti i Perëndimit që nuk di më se çfarë do, përveç se të ruajë mirëqenien e vet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.