Dobia e një vizite dhe pyetja ende pa përgjigje në Tiranë: FETO dhe HAMAS janë organizata terroriste?
Tri ditë më parë në Tiranë ishte për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan. Një figurë komplekse politike dhe përfaqësuese e Turqisë, i ardhur nga rrethi i afërt i presidentit Recep Tayyip Erdogan. Vizita ishte në kuadër të një turi rajonal, nga i cili ende nuk është kuptuar ndonjë gjë e madhe, pasi në Rumani dhe Bullgari, Fidan foli për gjëra të tjera nga ato që diskutoi dhe deklaroi në Shqipëri.
Vizita e tij në Tiranë shërbeu së pari për të kuptuar inekzistencën e një ministri të Jashtëm real. Në daljen pas takimit me homologun formal shqiptar, Igli Hasani, të dy ministrat nuk pranuan pyetje, zoti Hasani komunikoi me letër të shkruar përpara – diçka e pazakontë kjo – duke shmangur çështjen e FETO-s, të cilën Fidan e preku qartë.
Në mbrëmjen e së njëjtës ditë Fidan, që vjen nga shërbimet sekrete, u takua me kryeministrin Edi Rama, njëherazi ministër i Jashtëm de facto i Shqipërisë, në një takim nga i cili nuk doli asgjë konkrete. Për të mos neglizhuar protokollin, Fidan u prit edhe nga presidenti Bajram Begaj, që siç dihet nuk përfaqëson asgjë në atë detyrë. Dhe këtë sigurisht që e di edhe ministri i Jashtëm i Turqisë.
Duhet nënvizuar se Fidan ishte në xhaminë e Namazgjasë, madje andej edhe nisi vizitën, statusi juridik i së cilës mbetet peng i një diskutimi të gjatë mes Shqipërisë dhe Turqisë për çështjen e organizatës guleniste që sipas Ankarasë sot ka njerëzit e vet në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Siç e dimë, organizata FETO – që vepron e organizuar si vëllazëri – është shpallur terroriste nga Turqia që nga viti 2015 dhe që nga ajo kohë Shqipërisë I është krijuar një problem në marrëdhëniet me vendin në fjalë.
Mirëpo kërkesa e vazhdueshme turke për deportimin e gulenistëve nga Shqipëria, nën cilësimin e tyre si terroristë, bie ndesh me faktin se Turqia e sotme është strehuese dhe mbështetëse e drejtuesve të Hamasit palestinez. Një organizatë që cilësohet terroriste nga Izraeli dhe Perëndimi dhe që sipas vetë liderit gjenial të Shqipërisë, duhet përjashtuar nga e drejta e menaxhimit të Rripit të Gazës pasi situata të qetësohet. Këtë tezë lideri gjenial nuk e ka prekur më, ndoshta edhe pse Izraeli e ka përjashtuar, por edhe sepse askush nuk po do të lodhet me Fatahun e Bregut Perëndimor që është një kukull e harruar nga zhvillimet.
Në dallim me të gjitha qëndrimet, presidenti turk, Erdogan, e ka cilësuar Hamasin si organizatë të lirisë dhe anëtarët e saj si luftëtarë të lirisë. Katër ditë pas sulmit të 7 tetorit dhe pasi ambasadorja izralite, Galit Peleg, kërkoi shpalljen e Hamasit si organizatë terroriste, deputeti socialist Etjen Xhafaj nuk dinte të sqaronte nëse Tirana zyrtare do të ecte para me kërkesën në fjalë. Por ai e cilësoi sulmin e 7 tetorit si terrorist. Kush kryen një sulm terrorist?
Është e qartë se arrogance e Turqisë në kërkesën e saj ndaj Shqipërisë për FETO-n buron nga vasaliteti faktik që Tirana tregon ndaj saj dhe nga fakti se axhenda e Ankarasë është shumëplanëshe duke rënë shpesh ndesh me konsiderata shumë më minimaliste të një vendi si Shqipëria. E cila megjithatë ngatërresat i ka jo të vogla, pikërisht sepse një sërë vendimesh i merr për t’i bërë qejfin njërit apo tjetrit, flet me kredenciale që nuk i ka, poziciohet në vijën e parë të betejave parimore, për të mbetur në përjetësi një gur shahu pa vlerë dhe pa dinjitet në një botë që sa vjen e ndërlikohet. Megjithatë këto janë kusure të të qenit i vogël, do thoshte ndonjë i mençur. Dakord, mundet. Por një pyetjeje Tirana zyrtare mund t’ia japë përgjigjen: Kush është terroriste: FETO apo Hamasi? Se MEK-un e dimë që është organizatë e luftës për liri.
s.zaimi
Add new comment