SHBA hap hetimin e parë për kompanitë e inteligjencës artificiale
Rregullatori i tregtisë në Shtetet e Bashkuara nisi një hetim për investimet dhe partneritetet e bëra nga disa prej kompanive më të mëdha në hapësirën gjeneruese të inteligjencës artificiale.
Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) njoftoi se u ka dërguar urdhrat për dhënie informacioni pesë kompanive: Alphabet, Amazon, Anthropic, Microsoft dhe krijuesin e ChatGPT, OpenAI.
“Hetimi do të hedhë dritë nëse investimet dhe partneritetet e ndjekura nga kompanitë dominuese rrezikojnë të shtrembërojnë inovacionin dhe të minojnë konkurrencën e ndershme”, tha në një deklaratë kryetarja e FTC-së, Lina Khan.
Një hetim i ngjashëm po kryhet edhe në Britani.
Hetimi është përpjekja e parë konkrete nga agjencia për të vënë nën lupë firmat e AI dhe mënyrën si e kanë përdorur partneritetin me të tjerë për të zgjeruar shtrirjen dhe ndikimin në industrinë me rritje të shpejtë.
Marrëdhënia shumëvjeçare e Microsoft me OpenAI është më e njohura ndër këto partneritete. Google dhe Amazon kohët e fundit kanë bërë marrëveshje shumë miliarda dollarësh me Anthropic, një tjetër startup i AI me bazë në San Francisko, i formuar nga ish-udhëheqësit e OpenAI.
Add new comment