Italia, stimuj fiskalë për të kthyer trurin

Postuar në 25 Dhjetor, 2023 23:07

Vitet e fundit, edhe Italia është prekur dukshëm nga fenomeni i ikjes së trurit. Por prej kohësh, qeveria italiane e ka incentivuar kthimin e tyre në atdhe me stimuj tatimorë. Falë këtyre politikave, sipas Corriere, u kthyen rreth 25 500 italianë të larguar.

Por qeveria e Melonit, e cila kishte premtuar se do ta ndryshonte ligjin, ka miratuar nga 19 dhjetori një të ri.

Sipas ligjit të ri, të gjithë italianët e mërguar që zgjedhin të kthehen do të përfitojnë për 4 vjet përgjysmim të taksës mbi të ardhurat, kur këto të fundit nuk i kalojnë 600 mijë euro. Por ligji specifikon se përfitues do të jenë vetëm ata që kanë një diplomë bachelor. Taksat ulen akoma më tej, në 60%, nëse këta kanë edhe fëmijë.

Koha gjatë të cilës ata do të taksohen përgjysmë zgjatet në 7 vjet nëse kanë blerë një shtëpi në Itali gjatë këtij viti dhe do të transferohen aty brenda 12 muajve.

Ligji i ri hyn në fuqi nga 1 janari 2024.

Qeveria e Giorgia Melonit e paralajmëroi në tetor ndryshimin e të ashtuquajturit “regjimi i të riatdhesuarve”, një mekanizëm që kishte funksionuar ndër vite, duke rikthyer - falë stimujve tatimorë - shumë nga qytetarët italianë të larguar nga vendi në dekadën e fundit, duke e varfëruar atë si nga aftësitë edhe nga potenciali.

Komuniteti i italianëve të mërguar e kundërshtoi nismën e Melonit, ndërsa opozita e akuzoi se ligji i ri do të kthehej në “bumerang”.

Por qeveria e djathtë e Italisë nuk e bëri të plotë hapin mbrapa. Ligji i ri i ngjan më shumë skemës fillestare të ligjit të vjetër, i cili bënte përfitues vetëm studiuesit dhe të diplomuarit.

Falë ligjit të vjetër kanë përfituar 24 450 emigrantë italianë, nga të cilët vetëm 1 800 studiues.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.