Franca sqaron serbët: Pllakën e zhvendosëm ne
Ambasada franceze në Prishtinë ka zhvendosur një pllakë përkujtimore të ushtarëve serbë të rënë në Luftën e Parë Botërore dhe Luftërat Ballkanike në një varrezë tjetër, pas polemikave në mediat.
Memoriali, i cili mban mbishkrimin “Këtu janë eshtrat e ushtarëve serbë të rënë në luftërat e viteve 1912-1918”, u zhvendos disa metra nga vendndodhja e tij origjinale, brenda varrezave ortodokse.
Sipas mediave lokale, zhvendosja e memorialit është vërejtur të shtunën gjatë përkujtimit të Ditës së Armëpushimit nga ambasadat franceze dhe gjermane në Prishtinë.
“Në vitet e fundit dhe veçanërisht në vitin 2022, kjo ceremoni e përbashkët franko-gjermane u njollos nga një polemikë në media të caktuara në Kosovë për praninë e një stele që u bënte homazhe ushtarëve serbë që vdiqën mes viteve 1912 dhe 1918”, thanë ambasadat franceze dhe gjermane, të cilave u referohet BIRN.
“Kjo polemikë ishte e padenjë për kujtimin e të gjithë ushtarëve: ushtarëve francezë, gjermanë dhe serbë që vdiqën në Luftën e Parë Botërore, por edhe 18 ushtarët francezë që vdiqën gjatë shërbimit të tyre për [forcën e NATO-s në Kosovë] KFOR-in, në mbrojtje të të gjithëve komuniteteve të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se “instalimi i një stele të re që kujton sakrificën e të gjithë ushtarëve francezë në Kosovë është bërë me iniciativën e Ambasadës së Francës”.
“Më pas ne e zhvendosëm stelen për homazh ndaj ushtarëve serbë vetëm disa metra, me respektin më të madh pasi e informuam komunën. Asnjë trup i ushtarëve nuk u zhvendos. Kjo stelë mbetet plotësisht e dukshme në të njëjtin vend, siç mund ta shohë çdokush në vend dhe në foton e bashkangjitur”, thanë dy ambasadat.
Në fotografitë e postuara në rrjetet sociale nga ambasadorët e dy vendeve, shihet se tableta përkujtimore është zhvendosur dhe një e re është vendosur në vendin e mëparshëm.
Mbishkrimi në memorialin e ri thotë: “Ushtarët francezë të rënë në Kosovë”.
Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe të Rashkës-Prizrenit shprehu shqetësim të dielën për zhvendosjen e memorialit. Po ashtu, edhe Zyra e qeverisë serbe për Kosovë dhe Metohi u ankua se zhvendosja e pllakës përkujtimore ishte një përpjekje për të fshirë shenjat e ekzistencës së serbëve në Kosovë dhe përfaqësonte "një ndryshim brutal të historisë".
Add new comment