Modeli gjerman i ndërmjetësimit dhe dy abrashët e Brukselit, Borrell - Lajçak

Postuar në 18 Shtator, 2023 11:56

Diplomacia e qetë e Gjermanisë

Kështu titullohet një opinion i Ronald Meinardus, publikuar në gazetën greke “Kathimerini” dhe që vë në dukje faktin e panjohur shumë të ndikimit të Berlinit në uljen e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë. Duke theksuar ndërhyrjen energjike të ish-kancelares Merkel në vitin 2020 dhe atë të kancelarit aktual Olaf Scholz që ka parandaluar një përshkallëzim në Egje, autori thekson se suksesi gjerman në këtë ndërmjetësim lidhet kryesisht me besueshmërinë e Berlinit si aktor i tretë, që nuk ka mbajtur qëndrime mbi çështjet që ndajnë të dyja shtetet, por thjesht në neutralitet të plotë ka këmbëngulur dhe punuar për vendosjen e komunikimit.

Në dhjetor të vitit të kaluar diplomacia gjermane ndërmjetësoi një takim të zyrtarëve të lartë grekë dhe turq në Bruksel përmes të cilit u arrit një sukses: presidenti turk Erdogan la pas politikën e moskomunikimit me Athinën duke detyruar këtë të fundit të rikthehet në tryezë.

Për ta vlerësuar rolin e Gjermanisë është e rëndësishme të vihet në dukje se synimi i saj nuk është të ndikojë substancën e negociatave. Është për procedurën. Qëllimi i Berlinit është që të dyja palët të ulen dhe të negociojnë në tryezë, të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht…Ky neutralitet…është një parakusht për suksesin e ndërmjetësimit. Nëse u themi turqve “ju e keni gabim” merr pikërisht të kundërtën në Ankara dhe e acaron konfliktin

citon autori në fjalë një diplomat gjerman.

Sipas tij, përveç neutralitetit, diskresioni është një parim tjetër i ndërmjetësimit gjerman. Për këtë arsye ka shumë pak lajme mbi çështjet greko-turke në këtë plan. Pala gjermane pranon se zgjidhja mund të dojë dekada, por ndërkohë:

ne duam të sigurohemi që ata të mos qëllojnë njëri-tjetrin

Ky model ndërmjetësimi është në fakt efektiv sepse njeh gravitetin e situatës dhe konsideron se në tryezë janë dy palë që kanë shumë për të ruajtur edhe publikisht. Por a kemi ne të njëjtin diplomaci me parime apo metodë pune kaq efektive dhe serioze në rastin e ndërmjetësimit mes Serbisë dhe Kosovës?

Sigurisht që jo. Mjafton të shohim sesi me rastin e krizës në Veri u fut në veprim me zhurmë të madhe dhe në mënyrë krejt të njëanshme kryeministri i Shqipërisë për të kuptuar se aktorë të ndryshëm në Europë luanin në një drejtim: presion maksimal Kosovës. Është e sigurtë se z. Rama as do kishte marrë guximin të vepronte me gjoja propozimin e vet për Asocacionin për Komunat me Shumicë Serbe në Kosovë, nëse nuk do të kishte një derë të hapur. Dhe përmbi të gjitha as do ta bënte publike me zhurmë nismën e tij, që u shoqërua nga një tur ballkanik pa rezultat.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dyshen Borrell-Lajçak, që nuk lë rast pa deklaruar se kryeministri i Kosovës është problemi dhe personi që refuzon kompromiset, ku me kompromis nënkuptohet dakordësia e imponuar me një variant të vetëm që akomodon interesin serb.

Padyshim që konflikti greko-turk është shumë më i rëndësishëm sesa konflikti serbo-shqiptar, por nëse shohim se vitin e fundit, presioni ndaj Kosovës u theksua duke e vendosur situatën në Ballkan në një kontekst europian lufte, atëherë, qasja e bërë nga dy ndërmjetësit është kundërproduktive për vetë BE-në. Këtu nuk po hyjmë në suazë paragjykimi për të thënë se Lajçak është sllovak e Borrell spanjoll, nga vende që nuk njohin Kosovën, por për metër krahasimi dhe prakticitet, ndërmjetësimi kërkon njerëzit e duhur dhe dy personat në fjalë nuk duket se janë të tillë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Gjergj (not verified) on

Diferenca e madhe eshte te zgjedhja e njerezve. Nese Merkel apo Sholz jane kredibej dhe te pa anshem, atehere te gjithe fitojne. Fiton Turqia, fiton greqia po ashtu i gjithe rajoni.
Krejt ndryshe me dyshen evropiane Lajcak Borrel. As jeri nuk eshte i besueshem, dhe jane dukshem te njeanshem. Bjeri i forti te ligut. Eshte shume e veshtire te parashikosh qe nje enklave serbe ne mes te kosoves nuk do jete burim lufte pak me vone

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.