Dritë e re mbi artin faraonik
Përdorimi i teknologjisë në ekzaminimin e pikturave të lashta egjiptiane po ndryshon mënyrën e deritanishme të të menduarit për atë se si prodhohej ky lloj arti në epokën e faraonëve. Hulumtuesit kanë përdorur për herë të parë një teknikë që bazohet në analizën me rreze X të përbërjes kimike të një objekti.
Kjo teknologji ka ndihmuar të zbulohet, fjalë për fjalë, ajo që ndodhet nën sipërfaqen e dukshme të një pikture.
Gjetjet, të publikuara në një studim të ri novator në revistën PLOS ONE, u përqendruan në dy piktura nga periudha ramsesiane (1292–1069 pes), të cilat u zbuluan në kapelat e varreve të vendosura në Nekropolin Theban. Arkeologët nga Martinez i Universitetit të Sorbonës dhe Universitetit të Lièges kanë ofruar njohuri të mahnitshme në proceset artistike dhe ndryshimet e bëra në këto kryevepra historike.
Tradicionalisht, analiza e pikturave të lashta egjiptiane ishte kryer në mjedise të kontrolluara laboratorike ose brenda ambienteve të muzeut. Studimi i ri bazohet në punën e kryer me pajisje portative që bëjnë të mundur ekzaminimin e pikturave në kontekstin e tyre origjinal.
“Kjo na lejoi të zbulonim gjëra që ishin pikërisht para syve tanë, por kishin mbetur të padukshme", thotë Philippe Martinez nga Universiteti i Sorbonës, egjiptolog dhe autori kryesor i studimit.
Në pikturën e Ramses II u zbuluan ndryshime delikate në pozicionin e krahut. Ndërsa arsyet e sakta për këto modifikime mbeten të paqarta, ky zbulim ngre pyetje intriguese në lidhje me synimet artistike dhe procesin krijues të piktorëve të lashtë egjiptianë.
Analiza e pikturës së dytë, e cila i përket të njëjtit nekropol, zbuloi një sërë rregullimesh në kurorë dhe sende të tjera mbretërore të paraqitura në portretin e Ramses II. Këto modifikime ka të ngjarë të pasqyrojnë ndryshime në rëndësinë simbolike të këtyre elementeve me kalimin e kohës. Ky zbulim sugjeron se egjiptianët e lashtë i përshtatnin vazhdimisht punët e tyre artistike për të përcjellë ideologjitë kulturore dhe fetare në zhvillim.
"Nga pikëpamja e historisë së artit...këto varre janë injoruar disi nga shkenca, pasi konsiderohen të cilësisë më të ulët, por edhe sepse, duke qenë se i përkasin periudhës së Ramsesit, ajo çka përfaqësojnë janë kryesisht rituale dhe fetare në thelb. Atyre u mungojnë të ashtuquajturat 'skena të jetës së përditshme' që mahnitën aq shumë dashamirët e Egjiptit të Lashtë", thotë Martinez.
Vepra e artit ndodhet në varrin e Nakhtamun, një zyrtar i varrosur pranë Tebës, Luksori i sotëm. Në të faraoni është portretizuar me pak mjekër, përballë një figure të paqartë.
Më parë, studiuesit spekuluan se piktura paraqiste faraonin të pikëlluar për humbjen e babait, faraonit Seti I, i cili mbretëroi nga rreth 1294 para Krishtit deri në 1279 para Krishtit. Megjithatë, skanimi i fundit i portretit e sfidon këtë interpretim.
Duke përdorur XRF, studiuesit hodhën dritë të re mbi përbërjen e pikturës dhe ndryshuan potencialisht kontekstin e saj interpretues.
Skanimi zbuloi se Ramsesi II është pozicionuar nën një tendë kulti, ndërsa figura në fron identifikohet qartë si perëndia Ptah, çka thekson rëndësinë e marrëdhënies midis faraonit dhe hyjnisë. Skanimi nxjerr në pah mollën e Adamit te Ramsesi II. Çuditërisht, ky detaj anatomik mungon në shumicën e artit të lashtë egjiptian!
Për më tepër, ka një ndryshim të rëndësishëm në veshjen e faraonit. Fillimisht, Ramses II paraqitej me një "jakë shebyu", e përbërë nga zinxhirë voluminozë prej ari. Por, kjo lloj jake nuk është përdorur gjatë mbretërimit të Ramses II (1279-1213 para Krishtit).
Në vend të kësaj, ajo ishte një zgjedhje popullore e modës gjatë dinastisë së 20-të (rreth 1186 para Krishtit deri në 1070 para Krishtit). Studiuesit gjetën prova se jaka e shebyut ishte lyer dhe zëvendësuar me një gjerdan "wesekh", një copë bizhuteri e sheshtë që ishte karakteristikë e epokës së Ramses II.
Add new comment