Ndryshimi i figurës së politikanit: Nga të përjetshëm në "rock stars" që pas mandatit kërkojnë punë

Postuar në 04 Korrik, 2023 14:01

Në një shënim të vetin, kryeredaktori i gazetës greke, “Kathimerini”, Alexis Papachelas, bën një vëzhgim të rëndësishëm për kohën e sotme politike. Rënia e papritur, kohëzgjatja e shkurtër e atyre që ai I quan Rock Star-ët e politikës. Teksa vë në dukje se gjërat kanë ndryshuar në rrafsh global, Papachelas krahason karrierën e njerëzve si Miterrand, Kohl, Papandreou me politikanët e sotshëm, që në majat e suksesit kalojnë para publikut si të domosdoshëm.

Askush nuk do ta imagjinonte që një prej këtyre më sipër të largohej nga politika dhe të shihte për një punë në sektorin privat. Ata kishin qëndrueshmëri dhe një status që nuk afektohej nga humbja apo fitorja në zgjedhje

shkruan autori.

Emrat e zgjedhur janë si të thuash shembuj të përjetësisë në politikë, por jo në pushtet. Janë individë që e shembullizojnë kohën e vet me një karrierë që as mund të imagjinohet se zëvendësohet nga diçka tjetër. Boris Johnson, Sebastian Kurz, kanë arsye financiare të shohin punë tjetër, në sektorin privat pasi kanë lënë detyrën e “shërbimit publik”. Duhen kërkuar arsye për këtë që po ndodh dhe që ka pasoja sepse e ka relativizuar politikën, shërbimin publik vetë, duke e kthyer si një profesion ndër profesionet e tjera, shenjë kjo e qartë e rënies ndoshta pa kthim të autoritetit të shtetit dhe Publikes në një botë ku çdo gjë blihet.

Cila është arsyeja? Papachelas thotë se mjedisi toksik është një, që e bën të papërballueshëm ngarkesën fizike dhe psikologjike. Politikani i sotshëm jeton në një botë me pasqura që komenton dhe sheh çdo gjë. Por një tjetër arsye është varësia e krijuar nga hiperkomunikimi. Politikant e ditëve të sotme kanë rendur të adaptohen me mjetet e reja të komunikimit, parimi kryesor i të cilave është vizibiliteti dhe prania, përkundrejt përmbajtjes së asaj që thuhet. Si produkte të Komunikimit, politikani vetë nuk përfaqëson më politika, por perceptime dhe është viktimë e një lufte të pambarimtë për ta konservuar atë si çelës për sukses të vazhdueshëm.

Ata kanë harruar se politika është një maratonë që kërkon strategji dhe në finale gjykohet nga rezultatet. Përdorimi I Tik-Tok si medium është I domosdoshëm sepse të hap disa kanale komunikimi, por asnjë politikan nuk do të zgjasë nëse janë vetëm një flesh në peshoren e Tik-Toku

vëren autori.

Vjen e merr rëndësi ky vëzhgim edhe për Shqipërinë, që së fundmi priti Bill Clinton, të cilit I kanë vënë në dukje faktin se kërkon të paguhet për fjalimet e veta. Më herët ka qenë tradiat e fondacioneve për të përkujtuar dhe ruajtur trashëgiminë e një presidenti, apo një kryeministri, diçka që në Shqipëri p.sh nuk është ende e materializuar, duke krijuar një hendek mes kontributeve dhe përçimit të tyre te brezat. Sa për politikanët e përkohshëm që nisen të gjejnë një punë pasi bien nga shkëlqimi, në vendin tonë nuk e kemi këtë problem, pasi siç e dimë këtu politikanët janë të pasur; ata ose janë biznesmenë të vetëkuptuar, ose bëhen analistë apo drejtorë në media, ose janë aty, deputetë të zakonshëm, si shembull i faktit se demokracia jonë është ajo e një kaste. Sa për rezultatet që kërkohen, vetë pasuria e tyre mjafton për ta justifikuar këtë kërkesë të jetëgjatësisë, madje edhe si fasadë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.