Sanksione edhe Kinës
Brukseli propozon sanksione ndaj kompanive kineze që mbështesin makinerinë ruse të luftës. Ideja e kthyer për herë të parë në një propozim formal pritet të rrisë tensionet e BE-së me Pekinin.
Shtatë biznese kineze të akuzuara për shitjen e pajisjeve që mund të përdoren në armë janë renditur në një paketë të re sanksionesh që do të diskutohet nga vendet anëtare të BE këtë javë, bën të ditur “Financial Times”.
Disa prej kompanive kineze janë tashmë nën sanksionet amerikane, ndërkohë që Kina i është druajtur rreshtimit të Brukselit në krah të Uashingtonit në betejën e tyre për ndikim global.
Deri më tani, Brukseli e ka “kursyer” Kinën në këtë aspekt, duke argumentuar se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se ajo po i siguronte drejtpërdrejt armë Moskës.
Në mënyrë që të miratohet, lista e sanksioneve duhet të marrë miratimin unanim të 27 shteteve anëtare.
Në listë janë dy kompanitë kineze, 3HC Semiconductors dhe King-Pai Technology, të cilaj janë subjekt edhe i sanksioneve amerikane. Dy kompani të tjera me bazë në Hong Kong, që janë në listën e BE-së, janë edhe pjesë e listës së Thesarit të SHBA: Sinno Electronics dhe Sigma Technology.
Brukseli e akuzon 3HC, e cila prodhon çipa kompjuterikë, për "përpjekje për t'iu shmangur kontrolleve të eksportit dhe blerje ose përpjekje për të blerë artikuj me origjinë nga SHBA në mbështetje të bazës industriale ushtarake dhe/ose të mbrojtjes të Rusisë".
Po ashtu, Brukseli po propozon sanksione edhe ndaj disa kompanive iraniane të përfshira në prodhimin dhe furnizimin me dronë në Rusi.
Add new comment