Kësaj Shqipërie i mjaftojnë 1.5 milionë shqiptarë

Postuar në 05 Prill, 2023 21:46
Skerdilajd Zaimi

 

Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit të hotelerisë, kryeministri Edi Rama ndër të tjera tha: 

Ne nuk do t’i japim asnjë shërbim kompanive që nuk shpërblejnë si duhet punonjësit. Ne nuk do të pranojmë që të futen në tenderë të shtetit, me paratë e shtetit, kompani ndërtimi që deklarojnë se i paguajnë punëtorët me pagë minimale. Gënjejnë, sepse nuk ka punëtor ndërtimi që hipën në skelë dhe merr pagë minimale. Ato që i paguajnë në të zezë duhet të deklarohen, sepse u marrin të ardhmen

Pra, kreu i qeverisë kërcënon kompanitë që veprojnë me dy bordero se do t’u ndërpresë rubinetin e parasë publike. Ky paralajmërim ka disa probleme. 

Së pari se ikja e njerëzve është tashmë axhendë politike pasi u konsiderua për vite si shprehje e lirisë. Kryeministri për asnjë çast nuk preferoi të shihte aspektin ekonomik të asaj që po ndodhte, ose ta trajtonte atë publikisht. 
Së dyti se terapia që ofrohet është e thjeshtëzuar dhe si e tillë të bën të dyshosh se ka të bëjë vetëm me zgjedhjet. E vërtetë që arsyet kryesore të ikjes janë ekonomike(82%) por ikja ka arsye komplekse. P.sh e vërtetë që pjesa më e madhe e pagës jepet në mënyrë informale, por në finale paga në sektorin e ndërtimit është e mirë.

Aktualisht ka kompani që bëjnë pezullim Nipt-i pikërisht se nuk ka punëtorë, ndërkohë që interesi strikt i punëtorit është shuma e parave në fund të muajit. Z. Rama këtu përdor edhe dy standarde: e dëgjojmë shpesh të thotë se “ne nuk jemi Gjermania” ndërkohë që preson mbi biznesin te paga dhe një sistem pagese që vazhdon me dekada.

Në parim z. Rama është në rregull, por formalizimi i pagës me detyrim provokon një sërë pasojash. Si fillim pagesa neto për punonjësin bie, masa në fjalë ka më shumë interes për rritjen e të ardhurave.

Më tej, sektori i ndërtimit dhe çdo sektor aktualisht ka krijuar satabilitet përmes një gërshetimi të mosdeklarimit të plotë, parasë së zezë dhe administrimit tatimor me shkelje syri. Ndërhyrja në këtë formë do të çonte më së paku në rritje kostosh direkte për biznesin dhe mandej rritje çmimesh. Ligjërisht qeveria është në rregull, por a është ky synimi i saj, pra të krijojë kushte shtrëngimi në treg dhe të vijonë ndikimin negativ në konsum? 
Së treti masa në fjalë ka një paradoks: qeveria e z. Rama subvencionon me para publike ndërtuesit e projekteve publike pas krizës në Ukrainë për të kompensuar kostot e shtuara. Pse nuk e sheh këtu qeveria levën e veprimit kushtëzues dhe preferon deklarimin e pagës së plotë të punonjesve, nismë edhe kjo politikisht korrekte? 

Së katërti, kur kryeministri kërcënon me tenderat publikë dhe lejet e ndërtimit, në fakt po na thotë se: 1. Do bëjë ndërhyrje ligjore; 2. Se paraja publike ka peshë specifike më të madhe se qarkullimi në treg të lirë, çka shënon krizën sistemike të Shqipërisë në dekada ku shteti prezantohet si rregullator dhe investitor kryesor. Në çdo sektor jetik. 
Për sa i përket Ikjes për të cilin flet z. Rama mjafton p.sh fakti që një shqiptar paguan nga 6000 paund – 14 000 paund për të ikur në Britani, apo bën kurse intensive gjermanishteje, që të kuptohet se nuk është momenti ekonomik që shtyn largimin, por sistemi që është ngritur. 

Nëse do të pranojmë se paraja publike përcakton stabilitetin në sektorë jetikë nga njëra anë kemi vënë në dukje një anomali, por edhe kemi indicien e besueshme për arsyet e “korrupsionit në të gjitha degët e qeverisjes”. Me aritmetikë duhet kuptuar se një ekonomi e tillë – e korrupsionit që përbën bazën e strategjisë së pasurimit – jo vetëm frenon zhvillimin, por ajo nuk ka interes në rritjen e burimeve njerëzore, madje po dëshmon paaftësi të madhe në menaxhimin e burimeve natyrore dhe infrastrukturore, një faull ky themelor me treguesit e kapitalizmit. Një ekonomi e tillë e ka fiziologjike vetëmjaftueshmërinë me 1.5 milionë njerëz. Sepse nuk shpërndan dot më shumë se kaq pasi do kërkohem ndryshim paradigme.

Pa siguri juridike, pa pronë, pa garanci pune, nën presion e modelit të pasurimit eksponencial të njerëzve të pushtetit e politikës, pa akses real ne zgjedhje, pa përfaqësim, me sistem arsimor të këtij niveli, pse duhet njeriu të vazhdojë qëndrimin?

Edhe një njeri me fare pak inteligjencë e kupton se as z. Rama dhe askush tjetër në politikë nuk merret me shkakun, por me kozmetikën e problemit. Për arsye që janë evidente: Shqipëria u përket atyre që e qeverisin! 

Comments

Submitted by Vlora 97 (not verified) on

Po Saldhiu qeveris?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.