Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes: Alumini na jep fitoren mbi Rusinë dhe Kinën

Postuar në 05 Mars, 2023 12:41

Lufta kundër dy regjimeve kryesore rivale të Perëndimit në botë, Rusisë dhe Kinës, mund të fitohet në ekonomi. Të paktën kështu sugjeron ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, që ka autorizuar një opinion të publikuar në “Newsweek” përmes të cilit vë në dukje fakte nga tregu i metaleve strategjikë që përdoren në industrinë e mbrojtjes dhe mbajnë kështu në këmbë makinën ushtarake të Rusisë.

Esper vë në dukje gabimet e SHBA në këtë drejtim sidomos duke lëshuar tregun e një materiali straegjik siç është alumini.

Ne nuk mund të mbështetemi te kundërshtarët tanë për burime kritike…Një zonë që spikat është varësia jonë ndaj Rusisë dhe Kinës për minerale strategjike. Litium, kobalt dhe një larmi elementësh të rrallë hyjnë në këtë kategori. Kështu janë edhe metalet si titani dhe alumini. Pekini dhe Moska janë dy nga tre prodhuesit kryesorë në botë të të dyjave, me Kinën që e shkëput veten nga kushdo tjetër dhe prodhon 10 herë më shumë alumin sesa Rusia dhe 40 herë më shumë sesa SHBA…SHBA ishte dikur prodhuesi më i madh i aluminit, sot radhitet e nënta. Rusia në vend të tretë, kurse Kina ka rreth gjysmën e tregut global. Ne kishim 23 përpunues alumini dhe shkrirës në vitin 1993, tani vetëm 5. Më keq akoma, vetëm një objekt ka mbetur që prodhon alumin me cilësi të pastër që duhet për avionët ushtarakë, mburojat e lehta dhe elektronikën ushtarake. Dhe disa lloje raketash dhe sisteme municioni varen nga aliazhet me cilësi të larta që derivojnë nga alumini…

shkruan Esper.

Parashtresa në fjalë është një kujtesë për rëndësinë e një elementi strategjik, tregun e të cilit SHBA e ka lëshuar duke krijuar kështu kushtet për fuqizimin dhe pavarësinë relative të kundërshtarëve të vet që cilësohet si të tillë edhe nga dokumentet bazë të mbrojtjes në SHBA. Për këtë arsye Departamenti i Sigurisë së Brendshme ka përkufizuar “prodhimet kritike” ku hyjnë prodhimet në SHBA të metaleve parësorë si alumini, një ndër 16 sektorët kritikë të Amerikës dhe një metal për të cilin p.sh SHBA nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Sugjerimi i Esper është që SHBA ta shkëpusë veten nga varësia e dy rivalëve të vet për elementë strategjikë meqenëse sipas tij kjo jep mundësinë për të mos u varur nga “regime që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona”.

Në fakt lufta ekonomike këtu është elementare në botën ku jetojmë dhe ajo lidhet me sigurinë, por jo me një ekonomi të kushtëzuar nga skrupuj moralë. Pasi për 30 vjet ishte SHBA që propagandoi globalizmin, të cilin sot po e shqelmon pikërisht pse nuk rezultoi se fitoi në një plan afatgjatë. Dhe është SHBA që përfaqëson rastin tipik të faktit me rëndësi se keqkuptimi ndonjëherë rëndon më shumë sesa motive malinje në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.