Një amator britanik deshifron kodin e shpellave të Epokës së Akullnajave
Jeta gjatë epokës së akullit në Evropë gjendet e dokumentuar përmes vizatimeve në shpella. Njerëzit e asaj epoke, të cilët jetonin kryesisht me gjueti, kanë regjistruar informacione të detajuara rreth jetës së kafshëve rreth tyre, të cilat nukishin deshifruar deri tani. Vizatimet datojnë të paktën 20 000 vjet më parë. Por i pari që zbuloi se shenjat e lëna nga njeriu i lashtë në shpella lidheshin me ciklet e jetës së kafshëve u bë nga një njeri që nuk ka lidhje me arkeologjinë. Londinezi Ben Bacon, kurator mobiljesh, kërkoi ndihmën e profesorëve të dy universiteteve për t’i finalizuar gjetjet me një studim shkencor. Kureshtja e Bacon u pasua nga analiza e të dhënave, për të deshifruar se çfarë nënkuptonin shenjat. Bashkëpunimi me dy profesorë nga Universiteti Durham dhe një nga University College London çoi në zbulimin e të ashtuquajturit sistem i "proto-shkrimit", i cili mendohet të jetë shfaqur gjatë Neolitit të Lindjes së Afërt, të paktën 10 000 vjet më parë.
Shenjat, të gjetura në më shumë se 600 imazhe të Epokës së Akullnajave në të gjithë Evropën, zbulojnë një rekord informacioni dhe referenca për një kalendar. Sekuencat e pikave, formave dhe shenjave të tjera shfaqen së bashku me paraqitjet e kafshëve si drerët, kuajt e egër, peshqit, bizonët dhe bagëti të zhdukura të quajtura aurochs.
Duke përdorur ciklet e lindjes së kafshëve ekuivalente sot si referencë, ekipi zbuloi se numri i shenjave ishte një rekord, sipas muajit hënor, të kohës kur kafshët shumoheshin. Bacon thotë se vizatimet e kanë intriguar gjithnjë, ndaj zgjodhi një qasje të ngjashme me dekodifikimin e teksteve të lashta greke, për t’i deshifruar. Profesorët Paul Pettitt dhe Robert Kentridge, nga Universiteti Durham, kanë punuar së bashku në zhvillimin e fushës së paleopsikologjisë vizuale - hetimi shkencor i psikologjisë që mbështet zhvillimin më të hershëm të kulturës pamore njerëzore.
"Implikimet janë se gjuetarët e Epokës së Akullit nuk jetonin thjesht në të tashmen e tyre, por regjistronin kujtime të kohës kur kishin ndodhur ngjarjet e kaluara dhe i përdorën ato për të parashikuar se kur do të ndodhnin ngjarje të ngjashme në të ardhmen, një aftësi që studiuesit e kujtesës e quajnë udhëtim mendor në kohë", thotë Kentridge.
Tony Freeth, nga University College London, thotë se u habit, kur Bacon i prezantoi tezën e tij, sipas të cilës numri i njollave ose vijave të vizatuara mbi kafshë përfaqësonte muajin hënor të ngjarjeve kryesore në jetën e tyre, pra ciklet e jetës. Bacon thotë se gjetjet tregojnë që paraardhësit e lashtësisë janë shumë më të ngjashëm me ne sesa mund të kemi menduar deri tani. Edhe pse me ta na ndajnë shumë mijëvjeçarë, studimi konfirmon se ata janë papritur shumë më afër nesh.
Add new comment