Pension i posaçëm shtetëror për Mitropolitin e Korçës
Qeveria e Shqipërisë ka shpërblyer këtë fund viti një sërë personash me pension të posaçëm shtetëror. Që sipas përshkrimit standard të vendimit është sa katërfishi i pensionit social, por që bashkë me pensionin e marrë sipas ligjit të mos kalojë tetëfishin e pensionit social. Figurojnë aty disa emra dhe vendimet janë të gjithë me propozim të Kryeministrit. Nuk dihet se mbi cilin kriter jepen këto lekë dhe nga buron kjo bujari, por mes përfituesve është edhe Joan Abedin Pelushi, Mitropolit i Korçës.
Pelushi vjen nga një familje myslimane dhe ka kaluar në shërbim të kristianizmit orthodhoks pas kualifikimit në SHBA dhe shërbimit atje. Në mënyrë informale ai është lakuar si personi që pritet të pasojë Anastas Janullatosin në detyrën e Kryepeshkopit të Shqipërisë, edhe pse tashmë ky pozicion ka humbur kumbimin dhe rolin që ka patur në dy dekadat e para të pluralizimit shqiptar.
Add new comment