Shqipëria nuk është kurrfarë shteti

Postuar në 17 Dhjetor, 2022 15:28

Zgjedhja e kreut të ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, është përcjellë me qëndrime të ndryshme në Shqipëri. Opozita e quajti të njollosur procesin, shumica heshti, ndërkohë që segmente të medias janë sjellë në mënyrën më të pështirë të mundshme, siç dinë të sillen vetëm ata që logjikës dhe integritetit i vënë samar.

U trumentua se Dumani është njeri i amerikanëve, në dallim nga Kondili i shumicës, çka evidenton përballjen hipotetike të dy vullneteve: një për luftë kundër korrupsionit, tjetri për kontrollin dhe instrumentalizimin e tij. Dumani me pasaportën e miratimit amerikan kalon kështu në paradën e miratimit shqoëror si dikush prej të cilit ka pritmëri të mëdha: të zgjerojë rrezen e goditjes në aferën e inceneratorëve ku për ta thënë sipas muhabetit që bëhet nga gazetarët e rëndësishëm të këtij vendi: mos ta hajë vetëm Ahmetaj, por të kapin edhe Mërtirin, të kontrollojnë edhe Ben Blushin, mandej të kalojnë tek Agaçi, mundësisht Edi Rama dhe mediat të gjitha që janë paguar nga paratë e incenratorëve.

Patjetër që amerikanët kanë këllqe ta bëjnë një gjë të tillë. Ata kanë kapacitetin dhe psikologjinë që të organizojnë kaosin nëse duan, pa le më të fusin në qyp një pesë me hiç si Edi Rama me të vetët. Ky lajm erdhi paralel, apo qëlloi në të njëjtën kohë me një njoftim nga Departamenti Amerikan I Shtetit që siguronte politikën kosovare se dënimi në Hagë i Salih Mustafës nuk lidhej me UÇK-në, por me përgjegjësitë penale të personit.

Kështu SHBA është shndërruar në sytë e disa vendeve si interpreti dhe garanti i drejtësisë ndërkombëtare dhe kombëtare; një rol ky paradoksal që i shtohet rolit të zakonshëm të garantuesit ushtarak të sigurisë ndërkombëtare. Paradoksal sepse duke u perceptuar si shkaku i të gjithë zhvillimeve, duket se korrupsioni në Shqipëri p.sh është ose një lajthitje e rendit të tyre ose tolerim i qëllimshëm, që po u korrigjoka tani. Drejtësia siç duhet apo siç pritet vjen tashmë si veprim që tejkalon sovranitetin e vendimmarrjes në Shqipëri, sepse nëse e lexojmë siç na e japin, askush në politikën shqiptare nuk do donte këtë që po duket se po afrohet.

Ta quajmë reformë atëherë këtë? Instrumenti kyç që po shohim është SPAK, që është asgjë më shumë sesa një prokurori e përbërë nga prokurorë. Dhe prokuroria aty ka qenë, si garanci për politikën. Thjesht SPAK është nën hyqmin e tjetër kujt. Kalimi në fazën e tanishme është me rëndësi të madhe sepse po sinjalizon futjen në reanimacion të shtetit shqiptar që është i paaftë të funksionalizohet si I tillë në prerogativat bazë të tij. Ai ka dorëzuar strukturën ekonomike krimit dhe për pasojë e ka të pamundur të ngrihet në një luftë që do të zhbënte bazën e vet ekonomike, e cila gjeneron edhe këtë lloj elite që kemi sot në krye. SPAK këtu, nëse vihet në funksionin e nënkuptuar priret të shndërrohet në pushtetin kryesor në vend, krahash investimeve amerikane në gazetarinë e ashtuquajtur investigative që po promovon edhe ajo një lloj goditjeje në drejtimin ekonomik.

E thënë më thjesht: SHBA po na thotë se I ka hapur luftë shtetit shqiptar – atij realit jo karriges pas vlerë në OKB – territorializmit të krimit në këtë hapësirë gjeografike dhe politike të Europës – për të zhbërë një linjë politike që mesa duket nuk po kupton kufijtë e vet. Kur kryeministri p.sh flet për dinjitetin e Shqipërisë dhe thotë ndonjë Jo, në fakt po na thotë se kufizimi që po i vihet e sikletos shumë dhe se ai do të donte të bënte këtu atë që ka ndërmend pa i hyrë gjemb në këmbë.

Ku do të gjenden shqiptarët apo shqipfolësit e rinj që të drejtojnë pas kësaj lindjeje me dhimbje? Sepse është e pritshme që rotacioni politik të ndodhë në kontekstin e një pastrimi që vjen ashtu si pa dashur. Për hallet e njërit apo tjetrit. Të gjithë e pamë të ashtuquajturin reagim të ish-ministrit Ahmetaj para dy ditësh. Ishte një paralajmërim që dërgon mesazhe majtas dhe djathtas.

Është e vështirë të parashikosh se çfarë mund të gjenerojë një drejtësi e imponuar nga jashtë, sado e pastër dhe qëllimmirë të jetë ajo. Sepse përvoja në botë ka. I vetmi rast kur ndërhyja ka prodhuar sukses ka qenë Gjermania e pasluftës, por aty përveç denazifikimit rrënjësor u gjet edhe një klasë politike e interesuar për ta ndryshuar vendin dhe që kishte vizionin për ta kuptuar Gjermaninë në Europë, jo mbi Europën.

Shqipëria nuk është Gjermania. Por krimi dhe korrupsioni e saj aderojnë denjësisht në hitparadën e shëmtisë globale që po çon një vend të tërë në katastrofë. Më denjësisht se çdo delir e politikës. Brishtësia me të cilën prezantohet sot e gjithë klasa jonë politike në relacion me SHBA, vjen në të kundërt me arrogancën me të cilën ajo ka ushqyer krimin dhe zhvatur vendin. Dhe këtu është rasti të kuptohet një e vërtetë që përbën themelin e krizës historike të shtetit shqiptar: baza e pushtetit në këtë vend nuk janë shqiptarët. Për ta thënë me fjalët e një ish-kryeministri grek: Shqipëria nuk është kurrfarë shteti. A jemi në ndonjëfarë shoqërie? Kjo ndoshta është pyetje më e rëndësishme akoma.

s.zaimi

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Ne cdo shtet satelit te SHBA se, ne pushtet vijne horrat dhe hajdutet.
Sic ish presidenti i Afganistanit A Ghani, i Tunizise B Ali apo nen Presidentja e Parlamentit Evropian E Kaili qe vodhen e u larguan me miliona ÷$€ , po ashtu edhe keta tanet qe vijne e ikin nga pushteti vjedhin e mbarsen me bekimin e Administratorit amerikan.

Eva e Brukselit thone se eshte maja e ajsbergut, kurse keta tanet jane penguin qe jetojne dhe bejne shurren ne kete ajsberg.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.