Një muze për Maria Kallas
Maria Kallas (2 dhjetor 1923, Manhatan - 16 shtator 1977, Paris) “kthehet” në Athinën e saj të dashur përmes një muzeu që do të hapet në verë të 2023-it. La Divina. Hynorja. Kështu e pagëzuan Maria Kallas miliona adhurues të saj në krejt botën dhe vitin e ardhshëm, përmbushen 100 vjet nga lindja e saj. Ditari i shkollës i Marias së vogël, që më vonë do të magjepste botën, jo vetëm me zërin e saj, por edhe me aftësitë e saj aktruese, do të jetë një nga objektet e çmuara të Muzeut “Maria Kallas”, që do të hapë dyert për vizitorët e saj, verës që vjen, në zemër të Athinës.
Fustane marramendëse dhe stoli unike nga skena dhe jeta e Kallas, libra dhe partitura me shënimet e saj, fotografi dhe portrete, nëntë medalje dhe diploma e vtit 1961 nga Bashkia e Athinës dhe shumë objekte të tjera historike të rralla, do të kenë mundësinë të shikojnë vizitorët e Muzeut në një ndërtesë të mrekullueshme neoklasike në rrugën Mitropoleos 44. Këto objekte përbëjnë një donacion të veçantë nga çifti Konstandin dhe Viktoria Pilarinu, që i dhurohet Bashkisë së Athinës dhe gjithë njerëzve që adhurojnë hyjneshën e operas dhe interpretimet e saj të jashtëzakonshme.
“Athina ka një detyrim të madh ndaj Maria Kallas. Dhe këtë detyrim e përmbushim në vitin 2023 që plotësohen 100 vjet nga lindja e saj, duke përuruar një muze në zemër të Athinës, që i kushtohet mitit, talentit dhe personalitetit të saj”, theksoi Kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis. “Një nga ndërtesat arkitekturore më të bukura, në rrugën Mitropoleos 44, do të mikpresë një pjesë të historisë: objekte personale të sopranos së famshme greke në skenë e në jetë, fotografi, partitura, dokumente zanore të rralla, do të na fusin në botën magjike të divës”.
“U jam mirënjohës qindrave donatorëve që pasuruan koleksionin tonë, personave privatë, artistëve dhe institucioneve nga Greqia dhe jashtë. Falënderoj veçanërisht Kostas Pilarinos që i dhuroi muzeut një koleksion të vyer pesëdhjetë objektesh të Kallas. Me këto donacione të çmuara, përvoja historike e gjithë grekëve dhe vizitorëve të huaj, do të jetë e paharrueshme”.
Kostas Pilarinos theksoi, që “ky koleksion u mbrojt për 45 vjet me shumë mund, respekt e dashuri dhe sot i dorëzohet Bashkisë së Athinës, që t’i shtohet objekteve të tjera të muzeut. Këmbëngulja e Kryebashkiakut Kostas Bakojanis për krijimin e muzeut, ishte një ftesë bindëse për të dhuruar koleksionin. Ruajtja dhe shfrytëzimi dinjitoz i koleksionit nga Teknopolis i Bashkisë së Athinës, ishte një shtysë më tepër për faljen nga ana jonë të këtij koleksioni”.
Këshilltari drejtues i Teknopolis Kostas Bixanis, deklaroi: “Teknopolis i Bashkisë së Athinës, këtu e shumë vjet ka në zotërimin e vet sende të Maria Kallas, që përbëjnë trungun kryesor të objekteve të ekspozuara dhe kornizohen nga objekte të tjera të donatorëve. Kemi krijuar një vend të vogël ekspozimi në foyer të Teatrit “Olimbia”, që i dedikohet Kallas dhe prej shumë vitesh një grup njerëzish punon mbi perspektivën e krijimit të një muzeu për Kallas. Bashkia e Athinës, vendosi si përparësi krijimin e Muzeut, dhe dhurimi i pesëdhjetë objekteve të Maria Kallas nga familja Pilarinu, pasuron thelbësisht koleksionin që do të ekspozohet. Po punojmë të gjithë intensivisht që Muzeu të jetë gati për vitin 2023, sikurse pohoi Kryebashkiaku i Athinës. Muzeu Maria Kallas do të përurohet vitin që mbushen 100 vjet nga lindja e saj”.
Ndërtesa e muzeut “Maria Kallas” i përket Bashkisë së Athinës dhe krijimi i mjediseve ekspozuese do të jetë sipas kritereve muzikologjike më moderne. […] Do të jetë muzeu i parë në botë, që i dedikohet një grekeje universale. Objektet e para të koleksionit të muzeut, u morën në zotërim nga Bashkia e Athinës në vitin 2000, në një tender ndërkombëtar në Paris. Në vazhdim, koleksioni u pasurua me nga objektet e dhuruara, që i përkisnin Maria Kallas dhe për të cilat Bashkia e Athinës kishte nderin të pranonte shumë donatorë publikë dhe privatë nga Greqia e bota. […]
Maria Kallas kthehet në Athinën, që dashuroi.
Burimi: culturenow.gr
Përktheu: Eleana Zhako
Add new comment