Vota nuk ka vlerë absolute

Postuar në 25 Nëntor, 2022 21:43

Në një debat në studion e MCN Tv, ish-deputeti socialist Ervin Bushati, e ka cilësuar 14 majin e ardhshëm si një minireferendum edhe për portin e Durrësit. Pra: meqë ka debat, do jenë qytetarët që me votë do sqarojnë edhe këtë çështje. Ky lloj argumentimi pa agument u përdor edhe gjatë debatit për Teatrin Kombëtar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Është rasti tipik i keqpërdorimit të politikës në funksion të disa interesave, në kontesktin e një klime toksike dhe një demokracie që nuk ushtrohet si përgjegjësi, por përjetohet si garë force dhe numrash.

Në Britaninë e Madhe, u bë një diskutim jo i vogël kur erdhi puna që Brexit të kalohej në referendum, pasi Parlamenti është një organ i zgjedhur me pushtet të deleguar pikërisht pse ka edhe ekspertizën, këndvështrimin dhe mjetet për të gjykuar në kompleks një çështje komplekse. Pati zëra që referendumi si mjet i zgjedhur në rastin e Brexit, ishte krejt i papërshtatshëm dhe pikërisht pse i tillë, ai humbet kuptimin si mjet demokratik, për t’u shndërruar në instrument asgjësues. Koha tregoi se referendumi për Brexit dëmtoi demokracinë në Britani pasi hapi rrugën për ata që vetë politologët i quajnë si rrezik për demokracinë: populistët.

Të fetishizosh apo aboslutizosh vlerën e votës më së paku është naivitet, pasi ndërton një prezumim të gabuar se populli nuk gabon. Se vota plebishitare ka sovranitetin absolut, edhe pse e ushtruar në kushtet e pamundësisë për të kuptuar, ajo delegjitimon veten përkundrejt logjikës së ftohtë. Në rastin tonë, pakkush në Tiranë voton pro apo kundër një kandidati pse Teatri u prish, një kauzë kjo që më shumë ndërtoi një zhurmë polarizuese sesa një temë ku diskutimi nxori në pah diçka me vlerë. Edhe në rastin e Portit po na flitet për minireferendum, a thua në fakt qytetarët e Durrësit si qark janë në hallin ekzistencial për portin, apo kanë në fakt mundësinë të kuptojë rëndësinë e një projekti që ka shumë të panjohura.

Të ndërtosh alibinë e votës për çështje të tilla është të jesh në keqbesim me njerëzit. Nëse vota ka këtë vlerë absolute atëherë as partia e z. Bushati nuk do të miratonte kufizime për kandidimin e kategorive të caktuara. Do të ishte absurde të merreshin nisma të tilla si dekomunistizimi, dekriminalizimi, lustracioni e kështu me radhë, pasi me këtë logjikë do thoshim: le të votohet edhe një vrasës i provuar, në fund të fundit referendum është edhe ky.

Ja që nuk ndodh kështu. Dhe ka arsye historike, teorike, politike dhe sociale që çdo sistem ka ndalimet e veta. Dhe ndalimet ndodh të jenë edhe politika pozitive, jo thjesht diskriminim. Pasi është shumë cinike të deklarosh p.sh se në një referendum për Kushtetutën europiane, apo çfarëdo kushtetute, vota e një juristi, mjeku, kleriku, gazetari apo deputeti ka të njëjtën vlerë për akreditimin në proces të opinioneve, sa ajo e një qytetari të thjeshtë që Kushtetutën e ka çati për të cilën thjesht ka dëgjuar.

Loja me referendum e njerëzve si Erion Veliaj ka në thelb një mesazh shumë të keq pse ajo jo vetëm diskrediton një instrument që duhet vënë në lëvizje nga komunitete, por sepse po shndërrohet në tezë populiste, një akt ky antidemokratik siç na është vënë në dukje shpesh prej shumëkujt. Dhe populistët vetëm debatin nuk duan, duan ta vdesin atë me tifozerinë elektorale që është e tillë në kushtet e mungesës së qytetarisë aktive.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ver shpirtin ne paqe. Populli nuk gabon. Populli ka qeverine qe meriton. Dhe meqe jemi tek merita- po populli yne ka merite per kete. Per ju demokratikasit njerezit jane te barabarte por ju jeni pak me te barabarte se te tjeret. Dhe argumenti juaj ka qene gjithmone, pse te vuaje 30% e popullit per faj te 70% qe jane budallenj. Ju ka ra tashi,skeni ci boni. Zoti ju dhashte durim

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.