Irini

Postuar në 13 Nëntor, 2022 21:37

 

E thjeshtë, arkaike, me pamje dorike, simbol i bukurisë greke, përfaqësuese e shquar e qytetërimit mesdhetar në botë, karizmatike dhe dinamike, Irini Papas u bë ndërkombëtarisht e njohur për aftësitë e aktrimit dhe frymën e saj. Përgjatë karrierës, realizoi shumë role grash në teatër e kinema, duke mishëruar plotësisht forcën e tragjedisë së lashtë. 

Sikurse ajo përmend gjatë një interviste, e ëma i rrëfente shumë shpesh përralla e histori të trilluara, çka ndikoi në zhvillimin e fantazisë së saj. Në historitë që sajonte e vogël, e shihte gjithmonë veten në rolin e protagonistes. Që fëmijë, e kishte vendosur që do të merrej me art dhe duke u rritur, ëndrra e saj nisi të merrte jetë. Do të bëhej aktore. Mësimet e para të aktrimit, i merr në Institutin e Arteve të Teatrit Kombëtar në Athinë. Rrugëtimi i saj artistik nis herët, që në moshën 15 vjeçare, ku punonte njëkohësisht si producente radioje, këngëtare e kërcimtare. Porsa u maturua, martohet me shkrimtarin Alkis Papas dhe ndonëse martesa e tyre ishte jetëshkurtër, aktorja ruajti mbiemrin bashkëshortor, me të cilin u bë e njohur në botë. 

Që në hapat e parë në skenën e teatrit, mori pjesë në tragjedi të lashta dhe më vonë iu dhanëedhe role kryesore. Interpretimet e saj në vepra si “Medea” dhe “Elektra”, morën vlerësime të shkëlqyera dhe Irini Papas filloi të bëhej gjerësisht e njohur. Νë vitin 1962 bashkëpunoi me Mihal Kakojanin dhe luajti në filmin “Elektra”. Filmi fitoi 24 çmime.

Bashkëpunimi me regjisorin e njohur u vazhdua edhe në 1971 me “Troadet” dhe në 1977 me “Ifigjeninë”. Te “Troadet”, që u realizua në anglisht me aktorë të huaj, Papas njohu bashkëprotagonisten e saj Katharine Hepburn që luajti Hekubën dhe me të cilën krijoi një miqësi të fortë. Madje Hepburn, deklaronte publikisht, që Papas ishte një nga aktoret më të mira të kinemasë. 

Dashuria dhe nderimi i aktores për tragjeditë e lashta, u shpreh nga aktorja para disa vitesh, kur ajo vendosi të ndalojë së interpretuari role të tilla.

Vendosa të mos luaj më në tragjedi, sepse tragjedia kërkon një përgjegjësi të madhe. Dhe frika, që s’do të mundem t’i shërbej, do të më bënte të ndihesha shumë keq

tha gjatë një interviste në një gazetë të Romës.

 Filmat e saj jashtë Greqisë, por edhe kritikat ditirambike për intepretimet e saj në teatër, shtynë producentët amerikanë që të bashkëpunojnë me të. Kësisoj, Irini Papas lozi në shumë shfaqje të Brodway. Debuti i saj në Brodway qe me veprën “Vera e dikurshme” në 1967 me bashkëprotagonist John Voight, babanë e aktores së famshme, Angelina Jolie.

Irini Papas ka marrë pjesë në gati 80 filma. Përveç tragjedive të suksesshme, filmat më të njohur janë “Topat e Navarones”, ku ka rolin e luftëtares Maria Papadhimu (1961) dhe “Aleksis Zorbas” në rolin e vejushës. Filmat korrën sukses jashtë Greqisë dhe reklamimi i Greqisë ndihmoi në zhvillimin e turizmit grek. Vetë aktorja ka deklaruar për rolet e saj:

Asnjëherë s’desha të kisha role sensuale ose role grash të dëshirueshme. Ajo çka desha më tepër, qe të lozja vetveten, domethënë luftëtaren e pavarur

Irini Papas asnjëherë nuk kërkoi titullin e starit. Madje shumë herë, nuk druhej të shfaqej para gazetarëve e fotografëve pa makijazh. Përveç martesës së saj, që nisi e përfundoi kur qe shumë e re, marrëdhënia që tërhoqi vëmendjen ka qenë ajo me Marlon Brandon, të cilën ai e adhuronte edhe pas ndarjes së tyre. Aktorja kishte magjepsur gjithashtu shkrimtarin kolombian Gabriel Garsia Markes. Të dy u takuan para xhirimeve të filmit “Eredira”, që u bazua mbi librin e shkrimtarit. Kur Markesi e pa për herë të parë, nuk qe i sigurt që Papas ishte zgjedhja e duhur në rolin e të moshuarës së ligë: “Jam kundër që Irini Papas të lozë rolin e gjyshes së pashpirt. Do të desha të lozte Eredirën sepse është më e re, më e bukur dhe më e hijshme në shtat”.

Por interpretimi i saj, përligji zgjedhjen e regjisorit edhe bindi dhe shkrimtarin të ndryshonte mendje: “shndërroi figurën e gjyshes në diçka tjetër”. Kontributi i Papas në kinematografinë botërore është i njohur edhe brenda, edhe jashtë Greqisë, përmes çmimeve të shumta gjatë periudhave të ndryshme, Actress Awards në Berlin International Film Festival për rolin e Antigonës dhe National Board of Review për filmin The Trojan Women. Çmime të tjera janë Golden Arrow Award në 1993, Hamptons International Film Festival dhe Golden Lion Award në 2009 në Bienalen e Venecias. Rolet e saj mbeten mësime të vyera për aktorët më të rinj. 

Burimi: in.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.