Arrestohet në Spanjë një prej pastruesve më të mëdhenj të parave në Europë
Europol njofton se më 12 shtator të këtij viti është arrestuar në Malaga të Spanjës një prej pastruesve më të mëdhenj të parave në Europë. Emri i personit nuk bëhet i ditur ndërkohë që ndalimi ka qenë rezultat i një hetimi të Spanish Guardia Civil, British National Crime Agency, Dutch National Police, Irish Garda (An Garda Síochána), në koordinim me European Financial and Economic Crime Centre të Europol.
Personi në fjalë është përcaktuar nga Departamenti amerikan i Thesarit si njeri që i ka dhënë mbështetje për operacione pastrimi parash klanit irlandez, Kinahan, konsideruar si një ndër organizatat më të mëdha kriminale në botë dhe në një konflikt të egër në Irlandë me një klan tjetër, klanin Hutch.
Personi, për të cilin nuk lexohet as shtetësia, as kombësia mendohet se ka pastruar 200 milionë euro dhe qëndronte në Spanjë. Sipas të dhënave ai dhe bashkëpunëtorët e tij grumbullonin sasi të mëdha parash nga organizatat kriminale për t’ia kaluar organizatave të tjera në vende të tjera përmes një sistemi bankar informal të quajtur Hawala, që bën transferim parash nën besim, pa bërë lëvizje fizike të shumës. Hetuesit thonë se synimet e kësaj organizate kanë qenë globale.
Anëtarët kryesorë kishin krijuar në Spanjë një markë vodka të promovuar në klubet e natës dhe restorante në Costa del Sol për të mbuluar burimin e fitimeve. Po kështu ata kishin krijuar një kompani në Mbretërinë e Bashkuar, të varur nga një tjetër, me seli në Gjibraltar, për të fshehur identitetin e vërtetë të administratorëve e që përdorej për pastrim parash duke përdorur të njëjtin sistem transferte.
Po kështu një ndër anëtarët ishte shitës makinash, në pika që përdoreshin për dhënie mjetesh organizatave kriminale, e të cilat ishin të pajisura me vende të posaçme për paratë dhe drogën.
Hetimi nisi nga Spanja në vitin 2021 pas kapjes së një sasie të madhe droge, 200 kg kokainë dhe 500 mijë eurosh kartëmonedhë.
Add new comment