Amnistia Fiskale, Vjero për draftin e ri: Kemi marrë në konsideratë rekomandimet e FMN-së
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero ka sqaruar në një intervistë për Agjencinë telegrafike Shqiptare pozicionin e qeverisë për projektkligjin e ri për "Amnistinë Fiskale". Ajo ka shpjeguar edhe pse qeveria ka tërhequr draftin e vitit 2020 duke ftuar FMN-në që të bëjë sugjerimet e veta, ndonëse në fakt Fondi e ka kundërshtuar amnistinë.
Ne kemi filluar procesin e konsultimit. Presim çdo lloj propozimi që do të vijë nga grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare financiare. Ky draftligj është përpjekur të mbajë në konsideratë të gjitha rekomandimet e FMN-së
shprehet ajo.
Një ndër pikat e rishikuara është Tavani i vendosur për legalizimin e pasurisë : 2 milionë euro, si dhe kategoria e subjekteve të përjashtuara.
Tashmë është sanksionuar që pasuria, e cila do të lejohet të deklarohet vullnetarisht, nuk duhet të kalojë vlerën maksimale të 2 milionë eurove. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të themi se edhe draftligji i ri garanton një numër të konsiderueshëm subjektesh që janë të përjashtuar, pra nuk kanë të drejtë të regjistrojnë pasuritë e tyre.
Dhe janë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive së bashku me personat që ata kanë në përbërje të tyre familjare duke filluar që nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat, drejtorë prokurore, gjyqtarët prefektët, etj.
E rëndësishme është që nga ky ligj nuk mund të përfitojnë subjektet e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, apo personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit për masat kundër financimit të terrorizmit, dhe njëkohësisht subjektet për të cilët ka filluar procedura penale për evazion në fushën tatimore dhe doganore
sqaron Vjero.
Detyra për zbatimin e Amnistisë i ngarkohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në koordinim me institucione të tjera që do të duhet të verifikojnë deklaratën e subjekteve. E paqartë këtu është se për kë po bëhet ky ligj, ërveç evazorëve të paproceduar.
Add new comment