E sigurtë: Rritja e sigurimit të automjeteve. E mundshme: Sistemi bonus malus

Postuar në 12 Qershor, 2022 16:18

Klajdi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se tërmeti u kushtoi kompanive në fjalë 40 milionë dollarë.

Shqipëria, në vitin 2019, përjetoi një tërmet i cili i ka kushtuar tregut të sigurimeve rreth 40 milionë euro. Tregu i sigurimeve e përballoi me sukses këtë situatë, falë kontratave të risigurimeve dhe kapaciteteve teknike të kompanive të sigurimit

shprehet ai.

Një shifër që nuk sqarohet se nga buron, nisur nga realiteti i një propagande sipas së cilës rindërtimi është kryer përmes ndërhyrjes së shtetit, apo granteve. Përtej këtij aspekti, Çitozi po njofton se tregu i sigurimeve, i provuar nga Autoriteti i Konkurencës se vepron në logjikë oligopol, do të aplikojë rritje tarifash thuajse në çdo sektor. Shkak sipas tij janë rritjet e kostove.

Është rritur kostoja e riparimit të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit me mesatarisht 25%. Gjithashtu, edhe çmimi i shërbimeve mjekësore është rritur herë pas here në fasha të ndryshme shërbimesh dhe së fundmi, jemi njoftuar se do të aplikohet një rritje e përgjithshme në shërbimet mjekësore që ofrojnë spitalet private.

Të gjithë e kanë ndier së fundmi edhe rritjen e kostos së ndërtimit, me të paktën 35%. Pra, ne kemi përllogaritur primin e policave të sigurimit, duke marrë parasysh kostot e mëparshme të këtyre mallrave dhe shërbimeve dhe aktualisht ndodhemi përpara situatës ku do të paguajmë dëmet me kosto të rritura. Edhe investimet financiare, të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në bilancin e çdo shoqërie, nuk kanë më kthimin real të pritshëm. Kështu, duke qenë se kosto e jetesës bëhet më e shtrenjtë, edhe kërkesa për sigurime vullnetare është në rënie

ka thënë ai.

Sipas tij, aktualisht nuk është reflektuar kjo rritje në primin e kontratave, por nëse kjo ecuri vazhdon, është e vështirë që të mbahet situata në këto parametra.

Pika më kritike në këtë ristrukturim të pritshëm “oferte” është ajo për sigurimin e automjeteve. Zoti Çitozi na thotë se kostot janë rritur me 25%, por është pak e vështirë të imagjinohet si lidhet kjo me pandeminë, një periudhë që në fakt kufizoi lëvizjen. Rritja e sigurimit për kontratat e sigurimit të automjeteve, ndërkohë që po sipas z. Çitozi “ende po punohet…për një sistem bonus malus dhe kategorizimin e mjeteve sipas kubikazhit, që do të thotë se, makinat me kubikazh më të vogël, do të paguajnë më pak prim sigurimi dhe ato me kubikazh të madh, prim më të lartë”, do të ishte thuajse fatale për një kategori njerëzish dhe mund të çonte direkt në rritje çmimesh për mallra bazë, meqenëse kostoja e një automjeti për biznesin e vogël ndikon menjëherë.

Si mundet që të flasësh me qetësi të tillë për rritje të primeve, ndërkohë që për sistemin bonus malus ende po punohet?

Z. Çitozi flet për nevojën e një “databaze të mirë të dëmeve për të gjithë tregun”, por si mundet ta kërkojë një gjë të tillë shoqata e sigurimeve që presupozohet se kaq duhet ta ketë, meqenëse janë këto kompani që përgjigjen për raste aksidentesh. Është e qartë se tregu i sigurimeve po mbrohet nga çdo rritje e mundshme kostosh dhe kjo është logjike në aspektin ekonomik. Puna është sesi një konsumator lihet në mëshirën e një arsyetimi të tillë, nga operatorë që po nga entet publike akuzohen se fiksojnë çmimet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.