Hallet e familjes socialiste
Para tri ditësh kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një sulm ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duke vënë në dukje një “SPAK të dy shpejtësive”. Pra atë që reagon rrufeshëm ndaj kallëzimeve të “palës tjetër” dhe një SPAK që fle mbi dosje kur vjen puna për të hetuar non gratat.
Fle mbi dosje është një metaforë, pasi në fakt si shprehje ajo është përdorur nga Sali Berisha për Theodhori Sollakun, por kuptimi është po ai.
Çfarë po ndodh? Shumë gjëra e asgjë në të njëjtën kohë. Shumica e drejtuar nga z. Rama është kapur me tonelata presh në dorë dhe tani ndoshta është duke u përgatitur për kolpot e biznesit të njohur të zhvatjes buxhetore. Një nga mënyrat për ta bërë këtë është simetrizmi i goditjeve.
Këtë e provon fakti se z. Rama gjeti një aktivitet partiak për t’i kujtuar SPAK se ka një non grata për të hetuar, ndërkohë që shumëkush aty e ka tanimë të qartë se përkundrejt veprimeve të strukturës në fjalë nuk ka mbrojtje politike si më parë.
Është interesant fakti se z. Rama po kërkon Ilir Metën dhe Sali Berishën nën hetim, e mundësisht pas hekurave. Jo vetëm sepse kështu do të përmbushte një demagogji të paplotësuar elektorale të drejtësisë së re, por sepse me burogosjen e Tahirit, Bllakos, Kokës e me gjasë radhës që po shtohet, zotëria duhet të mbrohet me diçka.
Është interesant sepse edhe pas 10 vjetësh në pushtet, Edi Rama nuk ka ende sot një provë të vetme kundër Sali Berishës për ta nisur një procedurë penale ndaj tij. Ndaj ai prek temën e non gratës, pra akuzën e ShBA. Mero Baze, që është pranë kësaj qeverie, ankohej dje në një editorial të vetin se shumica socialiste nuk ka çuar një provë të vetme kundër Berishës, apo akteve të qeverisë së tij. Pas Bazes vazhdon Yzeiri, por kjo është grimca humoristike e këtij vendi, sikundër fakti se pak ditë se z. Rama të sulmonte SPAK, gazetari Vangjeli, edhe ky afër qeverisë, në mos me zyrë në të, njoftoi se ka ardhur një dosje për Berishën nga ShBA.
Mos vallë kryeministri po luan me manovra të tilla për të kompensuar vringëllimën e prangave ndaj të vetëve? Ankesa e Bazes ka bazë, vetëm se Baze p.sh ndoshta harron se për të çuar një letër për Berishën, z. Rama e ka fare të thjeshtë: mjafton të konsultojë Ridvan Boden që futi në Këshillin e Bankës së Shqipërisë si “specialist shumë të mirë”. Zoti Bode ka qenë ministër Financash në qeverinë e z. Berishës dhe ne këtë hall po qajmë: të parave që shpërdorohen.
Asgjë nga këto nuk po ndodh. Dikush po pret të arrestohet sepse ka zullumin shumë të madh, z. Rama po shpreson se Berishën mund ta arrestojë Amerika. Pa bërë gjë vetë, pa u investuar kundër tij dhe Ilir Metës me fakte e prova, dosje që nuk mund të mungojnë.
Ky është në fakt problemi i mungesës së drejtësisë, kallëzimi.
Ky është problemi edhe i politikës hipokrite të Edi Ramës që e di shumë mirë se nuk mund t’i japë më kujt garanci pikërisht sepse sistemi i ngritur nuk mbahet dot nën kontroll.
Ata që i janë afër ndoshta kanë nisur edhe të dyshojnë se “i Gjati ka mbyllur marrëveshje për vete” dhe dyshime të tilla janë më të rrezikshme se çdo gjë. Sepse prishim gjumin e shumëkujt. Ndaj nuk është çudi që sot z. Rama të ketë më shumë frikë këtë gjë dhe të urojë që Berisha të kthehet në pushtet, pse ashtu padyshim që do jetë më i sigurtë, ai dhe të tjerët.
Mundet ta shpallë veten non grata nga Shqipëria, ose Shqipërinë non grata, si një i keqkuptuar i madh, por s’ka gajle se një truk marketingu do jetë.
s.zaimi
Add new comment