BE nuk gjen unanimitet për taksimin e korporatave të mëdha
Ministrat e Financave të vendeve anëtare të BE nuk arritën dot unanimitetin mbi direktivën e BE për një taksë globale për korporatat e mëdha.
Taksa minimale globale është një nga dy shtyllat që përbëjnë një marrëveshje të madhe tatimore ndërkombëtare për të cilën u ra dakord në tetor 2021 nga më shumë se 130 vende, për të penguar konkurrencën ndërkombëtare tatimore.
Ndërsa të gjitha vendet anëtare të BE-së e nënshkruan për marrëveshjen tatimore, Komisioni i BE-së paraqiti një propozim për një direktivë të BE-së për të zbatuar taksën minimale në mënyrë uniforme në të gjithë BE-në.
Zbatimi i marrëveshjes globale të taksave është një nga prioritetet e presidencës franceze të Këshillit të Ministrave të BE-së që zgjat deri në fund të qershorit 2022.
Megjithatë, përpjekjeve franceze nuk iu bindën qeveritë e Suedisë, Polonisë, Maltës dhe Estonisë.
Meqenëse çështjet tatimore kanë nevojë për mbështetjen unanime të qeverive të shteteve anëtare për t'u kthyer në ligj, çdo qeveri e shteteve anëtare është në gjendje të vërë veton ndaj direktivës, duke e bërë më të vështirë punën për ministrin francez të Financave, Bruno Le Maire, i cili kryesoi takimin.
Paksa i frustruar, ai u kujtoi kolegëve të tij ministra të Financave se vendet e tyre kishin rënë dakord të gjitha me marrëveshjen ndërkombëtare të taksave të kaluar në tetor dhe se direktiva që aktualisht është në tryezë nuk ishte gjë tjetër veçse zbatimi i asaj marrëveshjeje.
Për të arritur kompromisin, francezët kishin propozuar shtyrjen e zbatimit të direktivës me një vit dhe t’u lihej në vullnetin e tyre shteteve anëtare zbatimi i pjesëve të taksës minimale globale.
Marrëveshja do të shqyrtohet sërish në fillim të prillit, në takimin e radhës të ministrave të Financave të BE-së, raporton Euractive.
Add new comment