Rusia zgjeron kufirin deri në Poloni. Përgatitje për ofensivë në Ukrainën Perëndimore
Bjellorusia ka miratuar së fundmi vendosjen e përhershme në territorin e saj të trupave ruse si dhe të armëve bërthamore. 65.16% e votuesve miratuan propozimin në fjalë që e vendosin de facto kufirin e Rusisë në qendër të Europës. Vendimi ka rëndësi strategjike dhe zbulon në të vërtetë një problem të madh sigurie që ka të bëjë me vizionin e Kremilinit në këtë fushë. Bjellorusia është një vend me pozicion strategjik kyç në Europë; ajo qarkohet nga Letonia dhe Lituania, anëtare të NATO-s, ndan kufirin me Poloninë, një vend me të shkuar historike shumë të ndërlikuar dhe kufizohet në jug me Ukrainën. Bjellorusia ishte pikëhyrja kryesore e trupave gjermane në Luftën e Dytë Botërore në Lindje dhe çlirimi i saj u krye me përpjekje shumë të mëdha, aq sa vetë sovjetikët e konsideruan pikë kthese në luftën e tyre kundër Hitlerit.
Siç është vënë re në këto dekada, Rusia që e ka ngritur përherë shqetësimin e zgjerimit të NATO-s në Lindje, ka toleruar hyrjen në NATO të republikave balltike, ajo ka shumë pak marzh manovre ndaj një vendimi të ngjashëm të Finlandës që i mbyll krahut verior të Rusisë daljen në detin Balltik duke ndjerë sipas perspektivës së saj një izolim strategjik që vazhdon po sipas kësaj perspektive me zhvillimet në Kaukaz dhe Detin e Zi.
Por përpjekja për ndryshim pushteti në verën e shkuar në Bjellorusi përmes një revolucioni demokratik duket se ka bindur Kremlinin për nevojën e imponimit me forcë të shqetësimeve të veta për sigurinë që mesa duket në Bjellorusi kanë pikën e tyre kritike. Nëse sheh hartën, Europa është e gjymtuar pa Bjellorusinë dhe historia na thotë se të paktën që nga luftërat napoleonike, rruga drejt Smolenksut është jetike për kalimin në Moskë, ndërkohë që Kievi mbyll krahun jugor të frontit.
Në këtë kuadër është e qartë se Kremlini nuk do ta tolerojë pa luftë çdo manovër në Bjellorusi dhe vendosja e trupave dhe armëve bërthamore e vendos edhe Perëndimin para faktit të kryer të një kufiri të ri ushtarak në zemër të kontinentit europian. Dhe se ai ka qenë i përgatitur paraprakisht të bëjë një zgjidhje të tillë strategjike para se të niste ndëryrjen në Ukrainë.
Aktualisht përparimi drejt lindjes ka qenë ideologjik dhe më pas ushtarak, çka ka riaktivizuar komplekset e historisë.
Lidhur me Ukrainën, në kontekstin e zhvillimeve të sotme, është e qartë se thuajse askush nuk po lexon dot synimet e Kremlinit. Një pjesë e madhe e analizave flasin për përdorimin e këtij sektori si pjesë taktike e një strategjie më të madhe. Arrihet deri aty sa të flitet për gëlltitjen e Europës Lindore, duke lënë mënjanë faktin se Rusia nuk ka në fakt mjetet për të përmbushur ambicie të tilla në shkallë të gjerë. Asnjë vend nuk ka përveç SHBA, të paktën pas vitit 1990, kapacitetet dhe përvojën planifikuese dhe operative për ndërhyrje në shkallë të gjerë dhe mbajtjen të angazhuar në disa fronte. Nga ana tjetër, ekzagjerimi i ambicieve ruse nuk i qëndorn fakteve në terren. Rusia ka angazhuar 150 000 trupa dhe ka përparuar shpejt në katër ditë pa patur përleshje serioze dhe pa krijuar front.
Po kështu operacioni special i ndërmarrë nga Rusia është vënë re se të paktën në drejtimin e Kievit ka qenë i koordinuar dhe ekzekutuar dobët. Qendra studimore “ISW” shkruan se pauza ruse e 26 shkurtit lidhet pikërisht me dobësitë e vëna re në terren dhe nevojën e ridislokimit të mjeteve të reja, të gjitha në shërbim të goditjes finale me armë të rënda, tani që operacioni kirurgjikal ushtarak dështoi.
Është po ashtu e paqëndrueshme të ngresh hipoteza për ambicie imperiale të Rusisë, kur Kremlini ishte i pari që propozoi negociata me Kievin zyrtar, ndonëse në terren kryeqyteti ukrainas është nën presion nga tre drejtime. Ndërkohë që negocitata nisin në Gomel të Bjellorusisë, njoftohet se trupa dhe mjete ruse po grupohen në Stolin në Bjellorusisë, prej nga ku mendohet të nisë një offensivë në Perëndim të Ukrainës që do të bllokonte linjat e furnizimit dhe dërgesat ushtarake nga Perëndimi.
Faktet në terren flasin se Kremlini ka kërkuar të zgjidhë problemin e tij të sigurisë në Perëndim, ashtu siç e percepton ai dhe jo të kryejë një operacion real pushtimi për shkak se përvoja e Afganistanit, por edhe e SHBA shkon kundër çdo aventure në këtë drejtim. Me hir apo me pahir, ndërhyrja në Ukrainë e vendosi në plan të parë nevojën e rishikimit të raporteve në kontinent, i mësuar mesa duket të margjinalizojë interesat e një fuqie të madhe përmes instrumentalizimit të mjeteve ideologjike. Dhe ky është një gabim që u kushton të gjithëve.
s.zaimi
Add new comment