Një sulm kibernetik ndaj Vodafonit paralizon Portugalinë
Një sulm kibernetik nxorri jashtë funksionit shumicën e shërbimeve të Vodafone në Portugali, duke prekur të paktën 7 milionë abonentë. Sulmi ndodhi gjatë natës së të hënës dhe u shtri mbi rrjetin 4g/5g, TV, shërbimet zanore dhe shërbimet SMS. Kompania ia doli të rikthente shërbimet 3G, port ë tjerat mbetën të prekura. Madje, sulmi ka prekur edhe rrjetin e ATM-ve të disa bankave të mëdha të lidhura me rrjetin Vodafone 4g.
"Ishte një sulm mbi rrjetin, me qëllim, sigurisht vullnetar, të qëllimshëm për t'i lënë klientët tanë pa asnjë shërbim", tha shefi ekzekutiv i Vodafone, Mário Vaz, në një konferencë shtypi në selinë e kompanisë në Parque das Nações, Lisbonë, siç raporton Euractive.
Vaz e përshkroi sulmin kibernetik si një akt "terrorist" dhe "kriminal" dhe tha se gjithçka që "u zhbë" po "ribëhet", por do të duhet "punë e gjatë".
Lidhur me shërbimet thelbësore në Portugali që varen nga rrjeti Vodafone, si shërbimi i ambulancës INEM dhe disa brigada zjarrfikëse, Vaz pranoi se "kishte një efekt në aktivitetin normal", por se ai u zbut për shkak të rivendosjes së aksesit 3G.
Vodafone Portugal tha se nuk ka asnjë provë që të dhënat e abonentëve të jenë komprometuar.
Add new comment