Kriza në Ukrainë, SHBA: Rusia mund të inspektojë bazat e NATO-s në Poloni dhe Rumani

Administrata amerikane Joe Biden ka ndërmarrë një nismë të fundit që shkon përtej disa standardeve të deritanishme, në mënyrë që të shmangë një konflikt në Ukrainë. “Bloomberg" raporton se Washingtoni i ka ofruar Kremlinit mundësinë e verifikimit të dispozitivit ushtarak në bazat e NATO-s në Rumani dhe Poloni. Konkretisht bëhet fjalë për të verifikuar nëse aty janë dislokuar raketa Tomahawk, për të cilat Rusia ka ngritur përherë shqetësimet e veta.
Propozimi në fjalë vjen si një përgjigje ndaj pretendimeve të ngritura nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili në një konferencë për shtyp në Moskë, pak ditë më parë, deklaroi se në Poloni dhe Rumani ka sisteme lëshimi MK-41, prej nga ku mund të lëshohen edhe raketat Tomahawk që klasifikohen si armë ofensive dhe nga ky pozicionim mbulojnë territorin rus për mijëra kilometra.
Të dyja vendet e përmendura kanë pranuar verifikimin nga pala ruse, nëse kjo e fundit zbaton parimin e reciprocitetit. Konkretisht Polonia kërkon që të verifikojë dispozitivin rus në Kaliningrad.
Add new comment