Të kap nostalgjia për rusët e bardhë/SHISH: FETO nuk është organizatë terroriste
Shërbimi Informativ i Shtetit ka përcjellë për MCN Tv një përgjiigje përmes së cilës sqaron statusin e organizatës “FETO” në kuptim të punës së vet dhe detyrave funksionale. Shërbimi informon publikisht se FETO – lëvizja guleniste – nuk bën pjesë në listën e organizatave terroriste që janë të tilla sipas legjislacionit kombëtar dhe rezolutave ndërkombëtare të adoptuara nga Shqipëria. Nga ana tjetër SHISH shton se anëtarë të organizatës nuk përjashtohen nga objekti i punës së vet, në zbatim të detyrimeve që ka, raste për të cilat ka bërë referimet përkatëse. Përtej kësaj, SHISH po thotë se lëvizja guleniste nuk është pjesë e organizatave terroriste, çka e bën të pakuptimtë presionin e Turqisë në formën publike të vet.
Por ajo shpjegon në një dritë të re karakteristikën e qeverisë shqiptare, që nga njëra anë nuk urdhëron asgjë në nivel ligjor për këtë çështje, lejon që një drejtues komuniteti fetar të fyhet nga krerë të tjerë shtetesh, lejon monumente të huaja, simbolika e të cilave evokon një konflikt ku FETO portretizohet si terroriste, aderon në Këshillin e Bashkëpunimit Islamik që e cilëson organizatën si terroriste, mban partneritet strategjik me Turqinë e Erdoganit…e kështu me radhë.
Lista e paradokseve mund të mos mbarojë asnjëherë. FETO është e padëshirueshme, e sikletshme, por qeveria shqiptare nuk ka këllqe të bëjë më shumë se kaq, ndërkohë që këto sjellje na zbulojnë edhe faktin se Turqia nuk ka këllqet e SHBA që sjell në Shqipëri opozitat politike afgane dhe iraniane, një tjetër dëshmi kjo e asaj që jemi. Të vjen nostalgji për rusët e bardhë të Ahmed Zogut, që të paktën u pritën nga një premisë ideologjike në këmbim edhe të mbështetjes konkrete që dhanë siç na rrëfen historiografia.
s.zaimi
Add new comment