Si vdesin institucionet ndërkombëtare

Postuar në 23 Nëntor, 2021 18:24
Ana Palacio

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, fituesit krijuan një sërë institucionesh mbi të cilat që atëherë është mbështetur rendi botëror. Ndërsa këto institucione shpesh janë kontestuar, ato janë dëshmuar shumë elastike. Por kjo nuk do të thotë se ata janë të paprekshëm. Përkundrazi, efektiviteti i tyre mund të gërryhet gradualisht – veçanërisht kur ato përdoren si pengje gjeopolitike.

Një studim akademik ofron analiza të bollshme të faktorëve që rrisin qëndrueshmërinë institucionale dhe atyre që priren të përshpejtojnë dështimin institucional. Një mesazh kyç – të cilin përvoja ime në Bankën Botërore dhe në Bashkimin Evropian e konfirmon – është se institucionet lulëzojnë kur ka besim. Nuk është çudi, pra, që rregulli institucional i rendit ndërkombëtar është në rrezik.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e vuri në provë deficitin e besimit institucional. Në vetëm katër vjet, Trump ose zhvlerësoi ose u shkëput nga disa agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshje shumëpalëshe, paralizoi Organizatën Botërore të Tregtisë dhe tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sistemi shumëpalësh i kaloi testet e stresit që i erdhën nga Trump - por gjithsesi me vështirësi. Për më tepër, largimi i Trump nga Shtëpia e Bardhë nuk solli afatin, e lëre më rimëkëmbjen, për të cilën disa shpresonin. Në vend të kësaj, sipas Barometrit të Mirëbesimit Edelman 2021, besimi global në institucione ka vijuar të bjerë.

Për këtë, një pjesë e mirë e fajit mund t’i vihet pandemisë së COVID-19. Pavarësisht disa sukseseve, institucionet shumëpalëshe nuk arritën të realizonin bashkëpunimin e nevojshëm për të trajtuar në mënyrë efektive krizën. Shpërndarja shumë e pabarabartë e dozave të vaksinave është një rast i tillë.

Disa tashmë i kanë shpërbërë institucionet e pas Luftës së Dytë Botërore, duke argumentuar se ato e nuk mbijetuan si të dobishme. Për këta kritikë, biseda për organe reformuese si Këshilli i Sigurimit i OKB-së ose Fondi Monetar Ndërkombëtar thjesht largon vëmendjen nga detyra më e rëndësishme e "të kuptuarit se si duhet të duket një rend i ri". A duhet, për shembull, të mbështetet më shumë në formacione ad hoc, si ato që janë përhapur vitet e fundit?

Përgjigja për këtë pyetje është qartësisht jo. Në fund të fundit, ato formacione deri më tani nuk kanë arritur të prodhojnë asgjë që u afrohet llojeve të bashkëpunimit shumëpalësh që i nevojitet botës.

Sigurisht, kornizat tradicionale të qeverisjes kanë dështuar me të vërtetë. Për shembull, siç vërejti kohët e fundit Mark Leonard i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Konferencat e OKB-së për Ndryshimet Klimatike "kanë dështuar të prodhojnë një model të qeverisjes globale që mund të zbusë politikat e pushtetit, e lëre më të krijojë një sentiment të fatit të përbashkët të vendeve". COP26 që u mbyll pak ditë më parë në Glasgou i dha mbështetje të mëtejshme këtij përfundimi.

Por ndërkohë që institucionet ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore janë larg të qenit perfekte, të dhënat e tyre kolektive sugjerojnë se ato mbeten shpresa më e mirë e botës për përballimin e sfidave komplekse që dalin përpara. Siç vuri në dukje kohët e fundit Joseph S. Nye i Universitetit të Harvardit, institucionet e krijuara rrënjosin "modele të vlefshme sjelljeje", pasi ato mbështesin një "regjim rregullash, normash, rrjetesh dhe pritjesh që krijojnë role shoqërore, të cilat sjellin detyrime morale".

Natyrisht, ekzistenca e thjeshtë e institucioneve nuk mjafton për të dhënë zgjidhje për problemet e botës. Siç e thotë Nye, ato duhet të përdoren në mënyra që "t’i bashkojnë të tjerët për të mbështetur të mirat publike globale" që çojnë përpara interesat e përbashkëta afatgjata.

Kjo nuk është ajo që bëri BE javën e kaluar, kur debati mbi taksonominë e investimeve të gjelbra u zhvendos në një shkëmbim të ashpër midis “peshave të rënda” që lobojnë për energjinë e rinovueshme të Bllokut dhe atyre që e shohin gazin dhe energjinë bërthamore si pjesë përbërëse të çdo tranzicioni të gjelbër. Ky debat me siguri do të dëmtojë reputacionin e ndërtuar me përpikëri të BE-së si një bartës global i standardeve për qëndrueshmërinë.

Nëse një ndarje e tillë ekziston brenda BE-së, është e vështirë të imagjinohet se si mund të arrihet konsensusi brenda organizatave globale, veçanërisht në një kohë kur konkurrenca e fuqive të mëdha është intensifikuar. Në fakt, në ditët e sotme, institucionet ndërkombëtare po kthehen në një teatër – dhe shpesh dëm kolateral – të konfrontimit gjeopolitik.

Vitet e fundit, Kina ka ndërmarrë hapa për të zgjeruar ndikimin e saj brenda institucioneve shumëpalëshe. Tani ajo drejton katër nga 15 agjencitë e OKB-së – një përfitim që ka ndihmuar në mbrojtjen e saj nga shqyrtimi ndërkombëtar.

Kina është vënë gjithashtu në qendër të skandalit të manipulimit të të dhënave në Bankën Botërore. Një hetim i pavarur i kryer nga firma juridike amerikane ËilmerHale gjeti parregullsi në të dhënat e përdorura për të përcaktuar renditjen e Kinës në raportet e 2018-s dhe 2020-s mbi indeksin e Doing Business.

Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila shërbente si Kryeshefe Ekzekutive e Bankës Botërore në vitin 2018, u akuzua se ka luajtur rol qendror në përpjekjet për të rritur renditjen e Kinës. Brenda disa javësh, Doing Business u ndërpre dhe puna e Georgieva në FMN u bë kryetitull.

Përfundimisht, bordi i FMN-së i doli në krah Georgievës. Për më tepër, hetimi i ËilmerHale është përballur me kritika të rënda për mungesën e provave të forta dhe pozicionimin e njëanshëm. Joseph E. Stiglitz e ka krahasuar me vend të gjithë episodin me një "përpjekje grushti shteti", që synon neutralizimin e përpjekjeve të Georgieva-s për të çuar përpara reformat e guximshme. Georgieva gjithashtu është vlerësuar me të drejtë për lidershipin e saj gjatë pandemisë, duke përfshirë përdorimin e paprecedentë të të drejtave të veçanta të tërheqjes nga FMN.

Megjithatë, skandali i Doing Business mund t'i bëjë dëm të përhershëm një sistemi ndërkombëtar tashmë të rrethuar. Përtej gërryerjes së besimit në Bankën Botërore dhe FMN, debakli ka nxjerrë në pah se si tensionet dypalëshe mund të formësojnë - dhe shtrembërojnë - aktivitetet e institucioneve shumëpalëshe.

Ndërsa pandemia e COVID-19 ka nxjerrë në pah mangësitë e institucioneve ndërkombëtare, ajo ka bërë gjithashtu të qartë, përsëri, se sfidat më të mëdha sot janë të natyrës globale. Në këtë kontekst, mbrojtja e institucioneve shumëpalëshe vështirë se është një shfaqje "nostalgjie". Përkundrazi, është një akt realizmi. Janë të paktë ata që do të përfitonin nga zbërthimi i rendit ekzistues. Pyetja është nëse besimi i publikut mund të rikthehet para se të jetë tepër vonë.

Shkrimi është botuar në Project Syndicate 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.