Milorad Dodik hyn në rrethin e aleatëve të Orbanit
Kryeministri hungarez ka vizituar së fundmi Bosnje-Hercegovinën, ku u takua vetëm me serbin Milorad Dodik, njëri prej tre anëtarëve të presidencës së vendit. Orban tha se Hungaria ka interes të madh në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe serbët që jetojnë në Republikën Srpska të BiH-së luajnë një rol kyç në këtë proces. Në deklaratë thuhet se mes të dyve është biseduar për “mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Hungarisë dhe RS”.
Orban ka ndjekur një politikë të mbledhjes rreth vetes të politikanëve ideologjikisht të afërt në rajon, duke përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik dhe Hristijan Mickoski, udhëheqës i VMRO-DPMNE, partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri slloven, Janez Jansha, është një partner i tij i ngushtë, ndërsa kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, po përpiqet të balancojë për të shmangur kritikat nga Brukseli, me të cilin Orban ka pasur përplasje të shpeshta vitet e fundit.
Orban ka një marrëdhënie të mirë edhe me kryeministrin Edi Rama, pavarësisht natyrës së ndryshme të partive që drejtojnë.
Dodik synon të largojë përfaqësuesin e lartë dhe gjyqtarët e huaj në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, në mënyrë që ligji kundër mohimit të gjenocidit të bëhet i pamundur për t’u zbatuar.
Një tjetër element që i bashkon Orbán, Dodik dhe Vuçiç është se të tre do të përballen me zgjedhje vitin e ardhshëm.
Dodik është njëri prej tre anëtarëve të presidencës së Bosnje-Hercegovinës.
Pas luftës në Bosnjë të viteve 1990 dhe marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA, ajo u nda në dy rajone gjysmë autonome, Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate.
Muajt e fundit, Dodik, i cili përfaqëson Republikën Srpska, ka kërcënuar se do të tërheqë territorin serb nga institucionet kombëtare si autoriteti tatimor, agjencia e barnave dhe - më e rëndësishmja - forcat e armatosura.
Kjo nuk do të ishte shkëputje në kuptimin e plotë, por ringjallja e supozuar e një ushtrie etnike serbe është një perspektivë e frikshme për shumë banorë të Bosnjes. Kjo do të bënte që qeverisë tashmë të dobët t’i zvogëlohej autoriteti edhe më tej.
Këtë “revansh” të Dodik, politologu kroat, Višeslav Raos, e sheh si udhë të pakrye. "Perëndimi, ose më mirë SHBA, po e lënë Dodik të përshkallëzohet në maksimum, në mënyrë që ata të mund të ndërhyjnë, jo ushtarakisht, por duke përdorur mekanizma të ndryshëm, për t'i vënë gjërat përsëri nën kontrollin e tyre", ka thënë ai për agjencinë kroate Hina, të cilës i referohet Euractive.
Add new comment