Ja edhe pak se po vjen fundi i Tranzicionit
Taulant Balla i Partisë Socialiste deklaronte sot se PS-ja është e gatshme të ngrejë të hënën Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Një ditë më parë foli Damian Gjiknuri për të njëjtën gjë. Një shenjë kjo e rivalitetit qesharak që ka kapluar partinë kryesore në vend për poste e ofiqe formalë që nuk ngrenë kandar në një organizatë personale si ajo.
Përtej kësaj, çështja që ka interes është të numerizohet reforma zgjedhore. E sata është në 30 vjet pluralizëm? E 35-ta? e 59-ta? apo e 100-ta?
Cili shtet, por edhe cila organizatë kriminale ndryshon kaq shpesh rregullat për zgjedhjen e përfaqësuesve? Cila nevojë e përligj një gjë të tillë?
Asnjë, veç nevojave që ka kjo klasë politikë për të justifikuar veten në pambarim. Refoma u bë dhe është me konsensus, zgjedhjet u vodhën. Pastaj akuza dhe pastaj reformë sërish. Padyshim që një hap para do jetë hedhur.
Së fundmi ka nisur të flitet shumë për fundin e tranzicionit. Është një ndër ato marifetet e servilëve që synojnë të inaugurojnë suksesin e qeverisë së tanishme me medaljen e tejkalimit të planit qeverisës.
Në një farë mënyre tranzicioni ka marrë fund, apo po shkon drejt fundit. Por jo për shkak të arsyeve që thuhen. Tranzicioni po shkon drejt fundit për shkak se pasuria publike tashmë është shpërndarë, ka krijuar pasanikët e rinj, të cilët ende po mbijetojnë me paratë dhe kontratat e buxhetit. Ky po është kapërcim I madh. Këta pasanikë u krijuan në tregun e ri të pas ’90-ës, për t’u fryrë e fuqizuar duke ikur nga tregu e për të hyrë në thesin e buxhetit.
Ky është kapitalizmi shtetëror që vetëm një letër e ndan nga legjitimimi si të tillë. Eksesi me reformën zgjedhore është episodi i fundit i një sage që do të mbyllet kur pasuria e padeklaruar e politikanëve të sigurohet. Deri atëherë damianët e taulantët, apo belindat do të jenë fytyra e përfaqësimit jo të zgjedhësve, por një strukture ekonomike që e tradhëtoi modestinë e shtirur te darka e Nusretit.
s.zaimi
Add new comment